Hebrenjve 13
1 Vazhdoni me e dashtë njani-tjetrin si vllazën. 2 Mos e harroni mikpritjen, sepse përmes saj disa, pa e ditë, kanë pritë melaqe te vetja. 3 Kujtoni ata që janë në burg, sikur t’ishit të lidhun bashkë me ta, edhe ata që po trajtohen keq, sikur po vuani bashkë me ta. 4 Martesa le të mbahet me nder pi krejt, edhe shtrati martesor le të jetë i panjollë, sepse Zoti ka me i gjyku ata që bojnë imoralitet seksual edhe kurorëshkelësit. 5 Mënyra juej e jetës le të jetë pa dashni për pare. Jini të kënaqun me ato që i keni. Sepse aj ka thanë: „Kurrë s’kam me të lanë, edhe kurrë s’kam me të braktisë.“ 6 Prandaj mundemi me thanë me plot siguri: „Jehovaj asht ndihmësi jem, s’kam me pasë frikë. Qka mundet me më bo njeriu?“
7 Kujtoni ata që marrin udhëheqjen mes jush, që jau kanë bo të njohun fjalën e Zotit. Kqyrni mirë rezultatet e mënyrës së tyne të jetës edhe merrni shembull pi besimi i tyne.
8 Jezu Krishti asht i njejti dje, sot edhe përgjithmonë.
9 Mos lejoni me ju çu rrugë të gabume pi lloj-lloj mësimesh të huja. Ma mirë asht që zemra me u forcu përmes mirësisë së pameritume, e jo përmes ushqimeve. Ato nuk ju sjellin dobi atyne që merren me to.
10 Na kemi nji altar, pi i cili nuk kanë të drejtë me hangër ata që bajnë shërbim të shenjtë në tendë. 11 Sepse trupat e kafshëve, gjaku i të cilave çohet pi Kryeprifti në vendin e shenjtë si kurban për gjynah, digjen jashtë kampit. 12 Prandaj edhe Jezusi vuajti jashtë derës së qytetit, që përmes gjakut të vet ta shenjtërojë popullin. 13 Pra, le të dalim jashtë kampit te aj, edhe le ta durojmë turpin që aj e duroi. 14 Sepse këtu nuk kemi nji qytet që mbetet, po po synojmë atë që ka me ardhë. 15 Përmes tij le t’i ofrojmë gjithmonë Zotit nji kurban lavdie, domethanë frytin e buzëve tona, që e bojnë publikisht të njohun emnin e tij. 16 Mos harroni as me bo mirë edhe me nda me të tjerët atë që keni, sepse me kurbane të tilla Zoti gëzohet.
17 Ngoni ata që marrin udhëheqjen mes jush edhe nënshtrojuni atyne, sepse ata rrinë zgjuet për ju edhe kanë me dhanë llogari për këtë. Le ta bojnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, se përndryshe kjo kish me qenë në damin tuej.
18 Vazhdoni me u lutë për neve. Sepse jemi të bindun që kemi ndërgjegje të mirë, masi duam me u sjellë ndershëm në gjithçka. 19 Po ju lutem sidomos për këtë, që sa ma shpejt me mujtë me qenë prapë te ju.
20 Zoti i paqes, që e solli nalt pi të dekunit Bariun e madh të deleve, Zotninë tonë Jezus, me gjakun e nji besëlidhjeje të amshume, 21 ju pajistë me çdo të mirë që ju duhet për me e kry vullnetin e tij. Le të veprojë aj në neve përmes Jezu Krishtit atë që asht e mirë në sytë e tij. Atij i takon lavdia përgjithmonë e jetë. Amin.
22 Tash po ju lutem fort, vllazën, ngojini me durim këto fjalë inkurajimi, sepse ju kam shkru veç nji letër të shkurtë. 23 Du me ju njoftu që vllau jonë Timoteu asht liru. Nëse vjen së shpejti, kemi me ju vizitu bashkë.
24 Përshëndetni krejt ata që marrin udhëheqjen mes jush edhe krejt të shenjtit. Vllaznit pi Italia ju çojnë të fala.
25 Mirësia e pameritume qoftë me ju krejt.