Hebrenjve 5
1 Sepse çdo Kryeprift që merret pi njerzt, caktohet për ta në shërbimin ndaj Zotit, që me ofru dhurata edhe kurbane për gjynahe. 2 Aj mundet me u sjellë me dhimt ndaj atyne që nuk dinë edhe ndaj atyne që janë largu pi udha, sepse edhe aj vet vazhdimisht përballet me dobësinë e vet. 3 Për qata duhet me ofru kurbane për gjynahet e veta, qysh edhe për gjynahet e popullit.
4 Këtë nder askush nuk e merr vetë, po e merr veç kur thirret pi Zoti, qysh ndodhi me Aaronin. 5 Qashtu edhe Krishti nuk e lavdëroi veten tu u bo Kryeprift, po u lavdëru pi Ai që i tha: „Ti je Biri jem. Sot unë u bana Ati yt.“ 6 Qysh thotë edhe në nji vend tjetër: „Ti je prift përgjithmonë, simas mënyrës së Melkisedekut.“
7 Gjatë jetës së tij në tokë, Krishti i paraqiti përgjërime edhe lutje me britma të forta edhe lot Atij që mundte me e shpëtu pi vdekja, edhe u dëgjua për shkak të respektit të tij të thellë për Zotin. 8 Edhe pse ishte Bir, aj mësoi bindjen përmes asaj që vuajti. 9 Edhe pasi u bo i përsosun, u bo përgjegjës për shpëtimin e amshuem të krejt atyne që i binden, 10 sepse Zoti e ka caktu Kryeprift simas mënyrës së Melkisedekut.
11 Për të kemi shumë me thanë, po asht vështirë me e shpjegu, sepse ju nuk po ngoni ma si duhet. 12 Sepse edhe pse deri tash ishte dashtë me qenë mësues, ju prapë keni nevojë që dikush me ju mësu pi fillimi senet themelore të fjalëve të shenjta të Zotit. Ju prapë keni nevojë për qumësht, jo për ushqim të fortë. 13 Kush ushqehet vazhdimisht veç me qumësht, nuk asht i mësuem me mesazhin e drejtësisë, sepse asht fmi i vogël. 14 Kurse ushqimi i fortë asht për njerz të pjekun, që përmes përdorimit e kanë ushtru aftësinë me dallu të drejtën pi të gabumes.