Hebrenjve 6

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Prandaj, tash që i kemi lanë mbrapa mësimet themelore për Krishtin, le të synojmë pjekurinë, e jo me e vu prapë themelin, domethanë pendimin pi veprat e vdekuna edhe besimin në Zotin, 2 mësimin për pagëzime, vendosjen e duerve, ringjalljen pi të dekuneve edhe gjykimin e amshuem. 3 Këtë kemi me e bo, nëse Zoti e lejon.

4 Sa për ata që nji herë janë ndriçu, që e kanë shiju dhuratën pi qielli, që kanë marrë pjesë në frymën e shenjtë, 5 që e kanë shiju fjalën e mirë të Zotit edhe fuqitë e sistemit të botës që ka me ardhë, 6 po pastaj janë largu, asht e pamundshme me u ngjallë prapë për pendim, sepse për veten e vet po e gozhdojnë prapë në shtyllë Birin e Zotit edhe po e qesin haptas në turp. 7 Sepse kur toka e pin shiun që bjen vazhdimisht mbi të, edhe pastaj qet bimë që ju hyjnë në punë atyne për të cilët punohet, ajo merr bekim pi Zoti. 8 Po nëse qet ferra edhe gjemba, bohet pa vlerë edhe asht afër me u mallku. Në fund digjet.

9 Edhe pse po flasim kështu, të dashtun, për ju jemi të bindun për diçka ma të mirë, për diçka që çon në shpëtim. 10 Sepse Zoti nuk asht i padrejtë. Aj nuk e harron punën tuej edhe dashninë që e keni tregu për emnin e tij, tu ju shërby të shenjtëve edhe tu vazhdu me ju shërby. 11 Po dëshirojmë që secili pi jush ta tregojë të njejtin zell, që deri në fund me qenë krejt të sigurt për shpresën. 12 Mos u boni dembelë, po merrni si shembull ata që përmes besimit edhe durimit i trashëgojnë premtimet.

13 Sepse kur Zoti ja dha premtimin Abrahamit, u betua në veten e vet, masi s’kishte në kon ma të madh me u betu. 14 Aj tha: „Kam me të beku patjetër edhe kam me të bo patjetër shumë.“ 15 Kështu Abrahami, pasi tregoi durim, e mori këtë premtim. 16 Njerzt betohen në dikon ma të madh, edhe betimi i tyne i jep fund çdo mosmarrëveshjeje, sepse asht garanci ligjore. 17 Qashtu bani edhe Zoti. Kur deshti me ju tregu edhe ma qartë trashëgimtarëve të premtimit sa i pandryshueshëm asht qëllimi i tij, dha garanci me betim. 18 Kështu na që kemi ikë te vendi i strehimit, përmes dy seneve të pandryshueshme, në të cilat asht e pamundshme që Zoti me rrejtë, kemi marrë shumë zemër që ta kapim fort shpresën që na asht vu përpara. 19 Kjo shpresë asht si spirancë për shpirtin tonë, e sigurt edhe e fortë, edhe hyn përtej perdes. 20 Atje ka shku Jezusi si pararendës për neve, aj që asht bo Kryeprift përgjithmonë simas mënyrës së Melkisedekut.