Hebrenjve 7
1 Ky Melkisedek, mbreti i Salemit edhe prift i Zotit ma të Lartë, i doli përpara Abrahamit kur Abrahami po kthehej pi lufta kundër mbretënve, edhe e bekoi. 2 Edhe Abrahami ja dha të dhjetën pi krejt seneve. Melkisedek së pari domethanë „Mbret i drejtësisë“ — qashtu përkthehet emni i tij — pastaj edhe mbret i Salemit, domethanë „Mbret i paqes“. 3 Masi asht pa babë, pa nanë, pa prejardhje, edhe nuk ka as fillim ditësh, as fund jete, po asht bo i ngjashëm me Birin e Zotit, mbetet prift përgjithmonë.
4 Shihni sa i madh ishte ky njeri, të cilit Abrahami, kryetari i familjes, ja dha të dhjetën pi plaçkës ma të mirë. 5 Vërtet, ata pi bijtë e Levit që e marrin detyrën e priftërisë, simas Ligjit e kanë urdhën me mbledhë të dhjetën pi populli, domethanë pi vllaznit e vet, edhe pse edhe ata janë pasardhës të Abrahamit. 6 Po ai njeri, që nuk ishte pi prejardhja e tyne, e mori të dhjetën pi Abrahami edhe e bekoi atë që i kishte marrë premtimet. 7 Tash, s’ka dyshim që ma i vogli bekohet pi ma i madhi. 8 Edhe në njanin rast, të dhjetën e marrin njerz që vdesin, kurse në rastin tjetër e merr dikush për të cilin dëshmohet që jeton. 9 Mundet me u thanë edhe që Levi, edhe pse zakonisht merr të dhjetën, përmes Abrahamit e pagoi të dhjetën. 10 Sepse aj ishte hala pasardhës i palindun i Abrahamit, kur Melkisedeku i doli përpara të parit të tij.
11 Pra, nëse përsosunia kish mujtë me u arritë përmes priftërisë levitike, sepse ajo ishte nji pjesë e Ligjit që ju dha popullit, pse atëherë duhej me dalë edhe nji prift tjetër, nji „simas mënyrës së Melkisedekut“, e jo simas mënyrës së Aaronit? 12 Masi tash priftëria po ndryshohet, duhet me ndryshu edhe Ligji. 13 Sepse njeriu për të cilin thuhen këto fjalë erdh pi nji fis tjetër, pi i cili askush nuk ka shërby te altari. 14 Sepse dihet që Zotnia jonë ka dalë pi fisi i Judës, po Moisiu nuk ka thanë që pi ky fis kanë me dalë priftërinj.
15 Kjo bohet edhe ma e qartë kur del nji prift tjetër, që asht si Melkisedeku, 16 nji që nuk u bo prift pse e plotësoi nji kërkesë ligjore që kishte të bajë me prejardhjen, po për shkak të fuqisë së nji jete të pashkatërrueshme. 17 Sepse për të dëshmohet: „Ti je prift përgjithmonë, simas mënyrës së Melkisedekut.“
18 Pra, urdhnimi i mëparshëm hiqet, sepse asht i dobët edhe pa efekt. 19 Sepse përmes Ligjit kurgjo nuk u bo e përsosun, po përmes sjelljes së nji shprese ma të mirë, përmes së cilës i afrohemi Zotit. 20 Përveç kësaj, kjo nuk ndodhi pa u bo betim. 21 Vërtet ka burra që janë bo priftërinj pa nji betim, po ky u bo përmes nji betimi pi Zoti, që tha për të: „Jehovaj asht betu edhe nuk ka me e ndërru mendjen: ‘Ti je prift përgjithmonë.’“ 22 Për qata Jezusi u bo garant i nji besëlidhjeje ma të mirë. 23 Përveç kësaj, shumë burra duhej me u bo priftërinj njani mas tjetrit, sepse vdekja nuk i linte me mbetë në detyrë. 24 Po masi aj mbetet gjallë përgjithmonë, priftëria e tij nuk ka pasardhës. 25 Prandaj aj mundet me i shpëtu plotësisht ata që përmes tij i afrohen Zotit, sepse aj jeton gjithmonë për me ndërhy për ta.
26 Asht e përshtatshme që kemi nji Kryeprift të tillë. Aj asht besnik, i pafajshëm, pa të metë, i ndamë pi gjynahqarët edhe i ngritun mbi qiej. 27 Aj nuk ka nevojë, si kryepriftërinjtë tjerë, me ofru kurbane çdo ditë, së pari për gjynahet e veta e pastaj për ato të popullit. Këtë e bani nji herë e përgjithmonë, kur e ofroi veten si kurban. 28 Sepse përmes Ligjit caktohen si kryepriftërinj njerz që kanë dobësi, po përmes betimit që u bo mas Ligjit, caktohet nji Bir që asht bo i përsosun përgjithmonë.