Hebrenjve 8
1 Pi krejt qka po thojmë, pika kryesore asht kjo: Na kemi nji Kryeprift të tillë, edhe aj asht ulë në anën e djathtë të fronit të Madhështisë në qiell. 2 Aj asht shërbëtor i vendit të shenjtë edhe i tendës së vërtetë, që e ngriti Jehovaj, jo njeriu. 3 Çdo Kryeprift caktohet për me ofru dhurata edhe kurbane. Prandaj ishte e nevojshme që edhe ky me pasë diçka për me ofru. 4 Po të ishte në tokë, nuk kish me qenë prift, sepse këtu veç ka burra që i ofrojnë dhuratat simas Ligjit. 5 Këta burra bajnë shërbim të shenjtë në nji paraqitje simbolike edhe hije të gjanave qiellore. Kjo shihet pi urdhni hyjnor që e mori Moisiu kur duhej me e ndërtu tendën. Zoti tha: „Kujdesu që krejt senet me i bo simas modelit që t’u tregua në mal.“ 6 Po tash Jezusi ka marrë nji shërbim ma të madh, sepse aj asht edhe Ndërmjetës i nji besëlidhjeje ma të mirë, që asht vendosë me ligj mbi premtime ma të mira.
7 Sepse po të kishte qenë pa të meta ajo besëlidhja e parë, nuk kish pasë nevojë për nji të dytë. 8 Sepse aj gjen të metë te populli kur thotë: „‘Kqyrni! Po vijnë ditët’, thotë Jehovaj, ‘kur kam me lidhë nji besëlidhje të re me shpinë e Izraelit edhe me shpinë e Judës. 9 Ajo s’ka me qenë si besëlidhja që e lidha me të parët e tyne atë ditë kur i mora për dore për me i nxjerrë pi Egjipti. Sepse ata nuk e mbajtën besëlidhjen teme, prandaj unë nuk u kujdesa ma për ta.’ Kështu thotë Jehovaj.
10 ‘Sepse kjo asht besëlidhja që kam me e lidhë me shpinë e Izraelit mas atyne ditëve’, thotë Jehovaj. ‘Kam me i vu ligjet e mia në mendjen e tyne edhe kam me i shkru në zemrën e tyne. Kam me u bo Zoti i tyne, edhe ata kanë me u bo populli jem.
11 Nuk ka me qenë ma që secili ta mësojë bashkëqytetarin e vet edhe vllaun e vet, tu i thanë: „Njohe Jehovajn!“, sepse krejt kanë me më njoftë, pi ma i vogli deri te ma i madhi. 12 Kam me ju tregu dhimt për veprat e tyne të padrejta, edhe gjynahet e tyne nuk kam me i kujtu ma.’“
13 Kur aj flet për nji „besëlidhje të re“, e ka shpallë të vjetrueme atë të mëparshmen. E ajo që asht vjetru edhe po plaket, shpejt ka me u zhdukë.