Hebrenjve 9

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Sa i përket besëlidhjes së mëparshme, ajo kishte kërkesa ligjore për shërbimin e shenjtë edhe për vendin e shenjtë në tokë. 2 Sepse u ngrit nji ndarje e parë e tendës, ku ishte shandani edhe tavolina me bukët e paraqituna. Kjo quhet Vendi i Shenjtë. 3 Po mas perdes së dytë ishte ndarja e tendës që quhet Vendi Ma i Shenjtë. 4 Në të ishte temjanica prej ari edhe arka e besëlidhjes, krejt e veshun me ari. Mrena saj ishte shtamba prej ari me manën, shkopi i Aaronit që kishte qitë sytha, edhe pllakat e besëlidhjes. 5 Përmbi të ishin kerubinët e lavdishëm, që e hijëzonin kapakun e shlyerjes. Po tash s’asht koha me folë për këto në hollësi.

6 Qysh se krejt këto u rregulluan kështu, priftërinjtë hyjnë rregullisht në ndarjen e parë të tendës për me i kry shërbimet e shenjta. 7 Po në ndarjen e dytë hyn veç Kryeprifti nji herë në vit, edhe jo pa gjak, të cilin e ofron për veten edhe për gjynahet që populli i ka bo pa e ditë. 8 Kështu fryma e shenjtë e ban të qartë që udha për në vendin e shenjtë hala nuk ishte zbulu, përderisa tenda e parë po qëndronte. 9 Kjo tendë asht nji simbol për kohën e tashme, edhe simas kësaj ofrohen si dhurata, ashtu edhe kurbane. Megjithatë, ato nuk munden me e bo të përsosun ndërgjegjen e atij që ban shërbim të shenjtë. 10 Ato kanë të bajnë veç me ushqime, pije edhe larje të ndryshme rituale. Ishin kërkesa ligjore që kishin të bajnë me trupin. Ato u vunë deri në kohën e caktume, kur senet kishin me u vu në vend.

11 Po kur Krishti erdh si Kryeprift për me i pru të mirat që tashmë janë këtu, aj kaloi nëpër tendën ma të madhe edhe ma të përsosun, që nuk asht e bame me duer, domethanë nuk asht pjesë e këtij krijimi. 12 Aj hyri nji herë e përgjithmonë në vendin e shenjtë, jo me gjakun e cjepve edhe të viçave të ri, po me gjakun e vet, edhe fitoi për neve nji çlirim të amshuem. 13 Sepse nëse gjaku i cjepve e i demave edhe hiri i nji lope të re, që spërkatet mbi ata që janë ndotë, munden me i shenjtëru aq sa trupi me u pastru, 14 sa ma shumë atëherë gjaku i Krishtit, i cili përmes veprimit të frymës së amshume ja ofroi veten Zotit pa të metë, ka me na e pastru ndërgjegjen pi veprat e vdekuna, që të mundemi me i bo shërbim të shenjtë Zotit të gjallë?

15 Për qata aj asht Ndërmjetës i nji besëlidhjeje të re. Kështu të thirrunit munden me e marrë premtimin për nji trashëgimi të amshume. Sepse aj ka vdekë që ata, në bazë të shpërblesës, me u çliru pi shkeljet që ishin nën besëlidhjen e mëparshme. 16 Sepse aty ku ka besëlidhje, duhet vdekja e njeriut që e lidh besëlidhjen. 17 Sepse besëlidhja hyn në fuqi me vdekje. Përderisa njeriu që e lidh besëlidhjen jeton, ajo nuk asht në fuqi. 18 Prandaj edhe besëlidhja e mëparshme nuk hyri në fuqi pa gjak. 19 Sepse pasi Moisiu ja paraqiti popullit çdo urdhën të Ligjit, e mori gjakun e viçave të ri edhe të cjepve, bashkë me ujë, lesh të kuq flakë edhe hisop, edhe e spërkati librin edhe krejt popullin. 20 Aj tha: „Ky asht gjaku i besëlidhjes që duhet me e mbajtë, qysh ju ka urdhnu Zoti.“ 21 Me gjak e spërkati edhe tendën edhe krejt enët për shërbimin e shenjtë. 22 Po, simas Ligjit, gati krejt senet pastrohen me gjak. Pa u derdhë gjak, s’ka falje.

23 Prandaj paraqitjet simbolike të atyne që janë në qiell duhej me u pastru në këtë mënyrë. Po ato që janë në qiell kërkojnë kurbane shumë ma të mira. 24 Sepse Krishti nuk hyri në nji vend të shenjtë të bamë me duer, që asht veç kopje e realitetit, po hyri në qiell, që tash të paraqitet para Zotit për neve. 25 Këtë nuk e bani për me e ofru veten vazhdimisht, qysh hyn Kryeprifti vit për vit në vendin e shenjtë me gjak që s’asht i veti. 26 Përndryshe, aj ishte dashtë me vuajtë vazhdimisht qysh pi themelimi i botës. Po tash, në përfundim të sistemeve, aj u shfaq nji herë e përgjithmonë për me e hjekë gjynahin përmes kurbanit të vet. 27 Qysh njerzt duhet me vdekë nji herë e përgjithmonë, e mas kësaj vjen gjykimi, 28 qashtu edhe Krishti u ofru nji herë e përgjithmonë për me i bartë gjynahet e shumë vetave. Kur të shfaqet për herë të dytë, kjo ka me qenë e ndame pi gjynahi, edhe atëherë kanë me e pa ata që po e presin me mall, për me u shpëtu.