Historia e Apostujve 21
1 Pasi u ndamë me zor pi ta edhe u nisëm me anije, shkum drejt në Kos, të nesërmen në Rodos, e pi aty në Patarë. 2 Kur gjetëm nji anije që kalonte për në Feniki, hypëm në të edhe u nisëm. 3 E pamë ishullin e Qipros, e lamë në anën e majtë edhe vazhduam me lundru për në Siri. Në Tir u nalëm, sepse aty duhej me u shkarku anija. 4 I kërkuam nxansat, i gjetëm edhe qëndruam aty shtatë ditë. Po përmes frymës, ata i thojshin vazhdimisht Pavlit mos me hy në Jerusalem. 5 Kur na u kry koha aty, u nisëm për rrugë. Krejt ata, bashkë me gratë edhe fmitë, na përcollën deri jashtë qytetit, edhe pasi ramë në gjunjë në plazh e u lutëm, 6 u përshëndetëm me njani-tjetrin. Na hypëm në anije, kurse ata u kthyn në shpijat e veta.
7 Pastaj e vazhduam udhëtimin me det pi Tiri edhe mbrritëm në Ptolemaidë. I përshëndetëm vllaznit edhe qëndruam nji ditë me ta. 8 Të nesërmen u nisëm edhe erdhëm në Cezare, ku hymë në shpinë e Filipit, shpallësit të lajmit të mirë, që ishte njoni pi shtatë burrave. Te aj qëndruam. 9 Ky burrë kishte katër çika të pamartueme, që profetizojshin. 10 Pasi qëndruam aty disa ditë, zhdrypi pi Judea nji pejgamber me emnin Agab. 11 Aj erdh te na, e mori rripin e Pavlit, i lidhi kambët edhe duert e veta dhe tha: „Fryma e shenjtë thotë kështu: ‘Burrin që e ka këtë rrip, kështu kanë me e lidhë Judenjtë në Jerusalem, edhe kanë me ja dorëzu njerzve pi kombeve tjera.’“ 12 Kur e nimë këtë, na edhe ata që ishin aty, nisëm me ju lutë fort mos me hypë në Jerusalem. 13 Atëherë Pavli u përgjigj: „Qka po boni kështu? Pse po kajni edhe po mundoheni me ma dobësu vendimin? Jini të sigurt: unë jom gati jo veç me u lidhë, po edhe me vdekë në Jerusalem për emnin e Zotnisë Jezus.“ 14 Kur nuk mujtem me ja ndërru mendjen, nuk kundërshtum ma edhe thamë: „Le të bohet vullneti i Jehovajt.“
15 Mas këtyne ditëve, u përgatitëm për udhëtim edhe u nisëm për në Jerusalem. 16 Edhe disa pi nxansave të Cezaresë erdhën me neve, që me na çu te Mnasoni pi Qipros, njoni pi nxansave të parë. Te aj duhej me qenë mysafirë. 17 Kur erdhëm në Jerusalem, vllaznit na pritën me gëzim. 18 Të nesërmen Pavli shkoi me neve te Jakupi, edhe krejt pleqtë ishin të pranishëm. 19 Aj i përshëndeti edhe nisi me kallxu me hollësi qka kishte bo Zoti përmes shërbimit të tij mes kombeve tjera.
20 Pasi i ninë këto, nisën me e lavdëru Zotin. Po i thanë Pavlit: „Po e sheh, vlla, sa mijëra besimtarë ka mes Judenjve, edhe krejt janë plot zell për Ligjin. 21 Po ata kanë ni fjalë për ty, që ti po i mëson krejt Judenjtë mes kombeve tjera me u largu pi Moisiu, sepse po ju thu mos me i rrethpre fmitë e vet e mos me i ndjekë zakonet e zakonshme. 22 Qka duhet me bo tash? Ata patjetër kanë me ni që ti ke ardhë. 23 Prandaj bone këtë që po ta thojmë: Këtu i kemi katër burra që i kanë vu vetes nji betim. 24 Merri këta burra me veti, pastrohu ritualisht bashkë me ta, edhe paguaje shpenzimin për ta, që me mujtë me i rru flokët. Atëherë krejt kanë me ditë që s’ka kurgjo të vërtetë në fjalët që kanë ni për ty, po që ti po sillesh me rregull edhe po e mban Ligjin. 25 Sa për besimtarët pi kombeve tjera, ju kemi shkru për vendimin tonë, që të rrinë larg pi gjithçkaje që ju asht fliju idhujve, pi gjaku, pi asaj që asht mbytë edhe pi imoraliteti seksual.“
26 Të nesërmen Pavli i mori burrat me veti edhe u pastru ritualisht bashkë me ta. Hyni në tempull për me lajmëru kur kanë me u kry ditët e pastrimit ceremonial edhe kur duhet me u ofru kurbani për secilin pi tyne.
27 Kur shtatë ditët gati po kryheshin, Judenjtë pi provinca e Azisë, që e panë në tempull, e nxitën krejt turmën. E kapën 28 edhe bërtitën: „Burra të Izraelit, na ndihmoni! Ky asht njeriu që gjithkah po përhap mësime kundër popullit tonë, kundër Ligjit tonë edhe kundër këtij vendi. Edhe kjo s’asht krejt: aj ka pru edhe Grekë në tempull edhe e ka ndotë këtë vend të shenjtë.“ 29 Sepse ma herët e kishin pa Trofimin Efesianin në qytet me Pavlin, edhe menduan që Pavli e kishte pru në tempull. 30 Krejt qyteti u trazu. Njerzt vrapuan bashkë, e kapën Pavlin edhe e tërhoqën zvarrë jashtë tempullit. Menjiherë mas kësaj, dyert u mbyllën. 31 Derisa po mundoheshin me e mbytë, komandantit të njësisë ushtarake i erdh lajmi që krejt Jerusalemi ishte në pështjellim. 32 Aj menjëherë mori me veti ushtarë edhe oficerë, edhe zhdrypi me vrap te njerzt. Kur e panë komandantin ushtarak edhe ushtarët, u nalën së rrahuri Pavlin.
33 Komandanti ushtarak u afru edhe urdhnoi me e arrestu. Dha urdhën me e lidhë me dy zinxhirë. Pastaj pyti kush ishte edhe qka kishte bo. 34 Po disa pi turmës bërtitshin nji sen, e disa tjetër sen, edhe aj nuk mujti me marrë vesh kurgjo të saktë për shkak të rrëmujës, prandaj urdhnoi që Pavli me u çu në kazermë. 35 Kur Pavli mbrrini te shkallët, ushtarët u desht me e bartë për shkak të turmës së dhunshme. 36 Sepse shumë njerz po i shkojshin mas tu bërtitë: „Hiqne qafe!“
37 Kur Pavli po futej në kazermë, e pyti komandantin ushtarak: „A muj me të thanë diçka?“ Aj ju përgjigj: „A po fol greqisht? 38 A nuk je ti pra Egjiptasi që para nji kohe nisi nji kryengritje edhe i qiti 4000 burrat me thika në shkretinë?“ 39 Pavli ju përgjigj: „Jo, unë jom Jude pi Tarsi i Kilikisë, qytetar i nji qyteti jo të panjohun. Prandaj po të lutna, më lejo me ju folë popullit.“ 40 Pasi komandanti i dha leje, Pavli, tu qëndru në shkallë, i bani shenjë popullit me dorë. U bo krejt qetësi, edhe Pavli ju drejtua atyne në hebraisht. Tha: