Historia e Apostujve 23

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Pavli e kqyri Sinedrin ngultas edhe tha: „Burra, vllazën, deri në ditën e sotme kam jetu para Zotit me ndërgjegje krejt të pastër.“ 2 Atëherë Kryeprifti Anania i urdhnoi ata që rrishin pranë tij me e goditë në gojë. 3 Pavli i tha: „Zoti ka me të goditë ty, o mur i lyem bardhë. A po rrin aty për me më gjyku simas Ligjit, e në të njejtën kohë po e shkel Ligjin tu urdhnu me më goditë?“ 4 Ata që rrishin aty thanë: „A po e fyen Kryepriftin e Zotit?“ 5 Pavli ju përgjigj: „Nuk e dijsha, vllazën, që aj asht Kryeprifti. Sepse në Shkrime shkruhet: ‘Mos fol keq për nji udhëheqës të popullit tand.’“

6 Masi Pavli e dinte që nji pjesë e Sinedrit ishin Saducenj, e nji pjesë Farisenj, thirri: „Burra, vllazën, unë jom Farise, bir Farisenjsh. Për shkak të shpresës në ringjalljen e të dekuneve po gjykohem.“ 7 Kur e tha këtë, nisi grindje mes Farisenjve edhe Saducenjve, edhe mbledhja u nda. 8 Sepse Saducenjtë thojnë që s’ka as ringjallje, as melaqe, as frymë, kurse Farisenjtë i pranojnë krejt këto. 9 Atëherë u bo nji zhurmë e madhe, edhe disa njerz që e kanë njoft ligjin, pi pala e Farisenjve, u çunë në kambë edhe nisën me kundërshtu fort. Ata thanë: „Na nuk po gjejmë kurgjo të padrejtë te ky njeri, po nëse nji frymë a nji melaqe i ka folë…“ 10 Kur grindja u bo edhe ma e madhe, komandanti ushtarak u frikësu mos po e shqyejnë Pavlin copa-copa, prandaj i urdhnoi ushtarët me zhdrypë, me e marrë pi mesi i tyne edhe me e çu në kazermë.

11 Natën tjetër, Zotnia u nal pranë tij edhe i tha: „Merr zemër! Sepse qysh ke dhanë dëshmi të plotë për mu në Jerusalem, qashtu duhet me dhanë dëshmi edhe në Romë.“

12 Kur u bo ditë, Judenjtë u morën vesh mes veti edhe u betuan se kanë me qenë të mallkuem nëse hanë a pinë diçka para se me e mbytë Pavlin. 13 Ishin ma shumë se 40 burra që u betuan kështu. 14 Ata shkun te kryepriftërinjtë edhe pleqtë dhe thanë: „Jemi betu solemnisht që kemi me qenë të mallkuem nëse hamë diçka para se me e mbytë Pavlin. 15 Prandaj tash ju, bashkë me Sinedrin, duhet me e njoftu komandantin ushtarak që ta zhdrypë te ju, gjoja se doni me e shqyrtu ma hollësisht rastin e tij. Po para se me mbërri këtu, na kemi me qenë gati me e zhdukë.“

16 Po djali i motrës së Pavlit nivi për pritën që po planifikohej. Aj shkoi në kazermë edhe ja kallxoi Pavlit. 17 Atëherë Pavli e thirri njonin pi oficerëve edhe i tha: „Çoje këtë djalë të ri te komandanti ushtarak. Ka nji lajm për të.“ 18 Aj e mori me veti, e çoi te komandanti ushtarak edhe tha: „I burgosuni Pavël më thirri edhe më luti me ta pru këtë djalë të ri, sepse ka diçka me të thanë.“ 19 Komandanti ushtarak e mori për dore, u largu pak me të edhe e pyti: „Qka ke me më kallxu?“ 20 Aj ju përgjigj: „Judenjtë janë marrë vesh me të lutë që nesër ta zhdrypësh Pavlin te Sinedri, gjoja se dojnë me marrë vesh ma hollësisht për rastin e tij. 21 Po mos lejo me të bindë, sepse ma shumë se 40 burra pi tyne po i rrinë në pritë. Ata janë betu që kanë me qenë të mallkuem nëse hanë a pinë diçka para se me e mbytë. Tash janë gati edhe po e presin miratimin tand.“ 22 Atëherë komandanti ushtarak e la djalin e ri me shku, po ma parë e urdhnoi: „Mos i kallxo kërkujt që më ke njoftu për këtë.“

23 Aj i thirri dy pi oficerëve edhe ju tha: „Boni gati sonte në orën e 3-të të natës 200 ushtarë për me shku në Cezare, bashkë me 70 kalorës edhe 200 shtizëmbajtës. 24 Siguroni edhe kuaj, që Pavli me hypë mbi ta edhe me mbërri shnosh te guvernatori Feliks.“ 25 Po ashtu shkroi nji letër me këtë përmbajtje:

26 „Klaud Lisia, Shkëlqesisë së Tij, guvernatorit Feliks: Përshëndetje! 27 Këtë burrë e kapën Judenjtë edhe gati e mbytën. Po unë erdha shpejt me ushtarët e mi edhe e shpëtova, sepse mora vesh që asht Romak. 28 Edhe masi deshta me marrë vesh pse po e akuzojshin, e zhdrypa në Sinedrin e tyne. 29 E pashë që akuzohej për çështje që kanë të bajnë me Ligjin e tyne, po nuk kishte asnji akuzë kundër tij që meriton vdekje a lidhje me zinxhirë. 30 Po masi më njoftuan për nji pritë kundër qitij burri, po ta dërgoj menjëherë te ti. Akuzuesit e tij i kam urdhnu me i paraqitë para teje akuzat kundër tij.“

31 Pra, qysh ishin urdhnu, ushtarët e morën Pavlin edhe e çunë natën në Antipatris. 32 Të nesërmen i lanë kalorësit me vazhdu rrugën me të, kurse ata vetë u kthyn në kazermë. 33 Kur mbrrinën në Cezare, kalorësit ja dorëzuan guvernatorit letrën edhe ja dorëzuan edhe Pavlin. 34 Aj e lexoi letrën edhe pyti pi cilës provincë ishte Pavli. Kur mori vesh që ishte pi Kilikia, 35 tha: „Kam me të ngu me hollësi kur të mbërrijnë akuzuesit e tu.“ Pastaj urdhnoi që Pavli të mbahej nën roje në pallatin e Herodit.