Hosea 1

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Fjala e Jehovës që i ka ardhë Hoseas, djalit të Beerit, në kohën e Uzisë, Jothamit, Ahazit edhe Hizkisë, mbretave të Judës, edhe në kohën e Jeroboamit, djalit të Joasit, mbretit të Izraelit.

2 Kur Jehova ia ka nis me e shpall fjalën e vet përmes Hoseas, Jehova i ka thanë Hoseas: «Shko e martohu me nji grue që merret me kurvni edhe ki fëmijë pi kurvnisë, se ky vend, tu u marrë me kurvni, asht largu krejt pi meje, Jehovës.»

3 Kështu aj ka shku edhe asht martu me Gomerën, çikën e Diblaimit. Ajo ka mbet shtatzanë edhe ia ka lind nji djalë.

4 Masanej Jehova i ka thanë: «Vnoja emnin Jezreel, se së shpejti kom me ia kërku llogarinë shpisë së Jehut për gjakun e derdhun në Jezreel, edhe kom me i dhanë fund sundimit mbretnor të shpisë së Izraelit.

5 Atë ditë kom me e thy harkun e Izraelit në luginën e Jezreelit.»

6 Gomera ka mbet apet shtatzanë edhe ka lind nji çikë. Atëherë Zoti i ka thanë Hoseas: «Vnoja emnin Lo-Ruhama, se s'kom me pas ma dhimt për shpinë e Izraelit, po kom me i përzanë patjetër.

7 Po për shpinë e Judës kom me pas dhimt. Unë, Jehova, Zoti i tyne, kom me i shpëtu. S'kom me i shpëtu as me hark, as me shpatë, as me luftë, as me kuaj, as me kalorsë.»

8 Pasi ia ka da gjinin Lo-Ruhamës, Gomera ka mbet apet shtatzanë edhe ka lind nji djalë.

9 Atëherë Zoti ka thanë: «Vnoja emnin Lo-Ami, se ju s'jeni populli jem edhe unë s'jom Zoti i juve.

10 Edhe numri i popullit të Izraelit ka me u bo si kokrrat e ranës në breg të detit, që s'munen as me u matë, as me u numru. Edhe në venin ku u kanë thanë: ‘Ju s'jeni populli jem’, ka me ju u thanë: ‘Bijtë e Zotit të gjallë.’

11 Edhe populli i Judës edhe populli i Izraelit kanë me u bashku si nji, kanë me e zgjedh nji prijës të përbashkët edhe kanë me dalë pi vendit, se e madhe ka me konë dita e Jezreelit.