Hosea 4

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Ngoni fjalët e Jehovës, o popull i Izraelit, se Jehova ka
nji çashtje me banorët e këtij vendi, se në këtë vend
s'ka as të vërtetë, as dashni besnike, as njohuri për Zotin.

2 Betimet e rrejshme, rrenat edhe vrasjet, vjedhjet
edhe tradhtia bashkëshortore jonë përhap gjithkah,
edhe nji gjakderdhje po shkon mas tjetrës.

3 Për qata vendi ka me mbajt zi, edhe
krejt banorët e tij kanë me u ligështu. Kafshët
e egra të fushës edhe shpezët e qiellit,
bile edhe peshqt e detit kanë me cofë.

4 «Po askush mos të grindet e as mos ta qortojë tjetrin,
se populli yt asht si ata që grinden me nji prift.

5 Për qata ti ke me u pengu në mes të ditës,
edhe pejgamberi ka me u pengu bashkë me ty, sikur me
konë natë. Edhe unë kom me ia mbyll gojën nanës tane.

6 Popullit tem ka me iu mbyll goja, se s'ka njohuri. Pasi
ti e ke refuzu njohurinë, edhe unë kom me të refuzu
si priftin tem. Edhe pasi ti e ke harru ligjin e
Zotit tand, edhe unë kom me i harru djemt e tu.

7 Sa ma shumë që jonë shtu, aq ma shumë kanë bo gjynahe kundër meje.
Lavdinë e tyne kom me e kthy në marre.

8 Ata ushqehen me gjynahet e popullit tem,
edhe i lakmojnë fajet e tij.

9 Popullit ka me i ndodh njajt si priftit. Unë kom me
ju kërku llogari për mënyrën qysh kanë jetu, edhe kom
me i lanë me i bart pasojat e punëve të veta.

10 Kanë me hangër, po s'kanë me u ngi. Kanë
me bo kurvni të randë, po s'kanë me
u shtu, se s'kanë tregu kurrfarë respekti për Jehovën.

11 Kurvnia, vena edhe vena e re ia marrin
njeriut vullnetin me bo qka asht e drejtë.

12 Populli jem lyp këshilla pi idhujve të vet të drunit,
edhe bon qka i thotë shkopi i fallit. Se fryma
e kurvnisë po i çon në rrugë të gabume, edhe
me kurvninë e tyne nuk pranojnë me iu nënshtru Zotit.

13 Në maje të maleve bajnë kurbane, edhe nëpër
kodra i djegin kurbanet që me dalë tym, nën
dushqe, nën drujt e storaksit edhe nën çdo
dru të madh, se hija e tyne asht
e mirë. Për qata çikat tuaja merren me kurvni,
edhe nuset tuaja i tradhtojnë burrat e vet.

14 Unë s'kom me ju kërku llogari çikave tuaja për
kurvninë e tyne, e as nuseve tuaja për tradhtinë bashkëshortore.
Se burrat shkojnë me kurva, edhe bajnë kurbane bashkë
me gratë që merren me kurvni në tempuj. Nji popull
i tillë, që s'ka mend, ka me u shkatërru.

15 Edhe pse ti, o Izrael, po merresh me
kurvni, Juda mos të bohet me faj. Mos
shkoni në Gilgal e as në Beth-Aven,
edhe mos u betoni: ‘Pasha Jehovën e gjallë!’

16 Se Izraeli u bo kryefortë si nji lopë që s'don me ngu.
A ka me i kullot tash Jehova si nji dash të ri në nji kullosë të hapët?

17 Efraimi asht lidh fort me idhujt.
Lene ashtu!

18 Kur i kryhet birra, aj bon
kurvni të randë. Edhe prijësit
e tij e dojnë fort çnderimin.

19 Era ka me e mbështjellë me krahët e saj, edhe
aj ka me pas marre për kurbanet e veta.»