Isaia 33

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Mjerë ti, o shkatërrues, që s'të kanë shkatërru,
ti që mashtron, po që s'të kanë
mashtru! Kur ta krysh shkatërrimin, kanë me t'shkatërru.
Kur ta krysh mashtrimin, kanë me t'mashtru.

2 O Jehova, na trego mirësi.
Na e kemi shpresën te ti.
Bëhu krahu jonë çdo mëngjes,
po, shpëtimi jonë n'kohë t'hallit.

3 Kur nihet zhurma e madhe e trazirave, popujt ikin.
Kur ti çohesh, kombet shpërndahen.

4 Qysh mblidhen karkalecat që s'ngihen kurrë, qashtu kanë me mbledhë plaçkë pi jush.
Kanë me u sulë mbi të si tufa karkalecash.

5 Jehovai ka me u lartësu, se aj
banon shumë nalt. Aj ka me e mbushë
Sionin me gjykim t'drejtë e me drejtësi.

6 Aj i bon kohët e tua t'qëndrueshme.
Shpëtimi, mençuria, njohuria e respekti i madh për Jehovain kanë me qenë me bollëk.
Ky asht thesari i tij.

7 Kqyrni! Trimat po bërtasin n'rrugë. T'dërgumit për
paqe po kajnë me lot t'hidhur.

8 Rrugët e mëdha jonë shkretu.
Kërkush s'po kalon nëpër rrugë.
Aj e ka thy besëlidhjen.
I ka përbuzë qytetet.
S'ka kurrfarë respekti për njeriun e vdekshëm.

9 Vendi po mban zi e po vyshket.
Libani asht turpnu, asht kalbë. Sharoni u
bo si shkretinë, e Bashani e
Karmeli po i shkundin gjethet e veta.

10 «Tash po çohem», thotë
Jehovai, «tash po ngrihem, tash
po e madhëroj veten.

11 Ju po ngjizni bar t'thatë e po lindni kashtë.
Fryma juaj ka me ju përpi si zjarr.

12 E popujt kanë me u djegë e me u bo si gëlqere.
Si gjemba t'premë kanë me marrë flakë.

13 Ju që jeni larg, dëgjoni qka kom me bo!
E ju që jeni afër, pranojeni fuqinë teme!

14 Gjynahqarët n'Sion jonë tutë.
Ata që s'jonë besnikë i ka kapë dridhja:
'Kush pi neve munet me jetu aty ku digjet nji zjarr i madh?
Kush pi neve munet me jetu mes flakëve që s'shuhen kurrë?'

15 Kush ec vazhdimisht n'rrugë t'drejtë, kush flet drejt,
kush s'e pranon fitimin e marrë me rrena
e mashtrime, kush i largon duart pi ryshfetit, n'vend
që me e marrë, kush i mbyll veshët
kur flitet për derdhje gjaku, e kush i
mbyll sytë për mos me pa kurgjo t'keqe,

16 aj ka me jetu nalt. Vendet e forta
mes shkambinjve kanë me qenë strehë e sigurt
për të, bukën ka me e pas
t'sigurume, e uji s'ka me i mungu kurrë.»

17 Sytë e tu kanë me e pa nji mbret me krejt madhështinë e tij.
Kanë me pa nji vend shumë larg.

18 Zemra jote ka me e kujtu tmerrin:
«Ku asht sekretari?
Ku asht aj që e peshonte haraçin?
Ku asht aj që i numëronte kullat?»

19 S'ki me e pa ma atë popull t'pafytyrë, nji popull
që flet nji gjuhë aq t'huj sa s'munesh me e kuptu,
që belbëzon fjalë që ti s'munesh me i marrë vesh.

20 Kqyre Sionin, qytetin ku i mbajmë festat tona! Sytë e
tu kanë me e pa Jerusalemin si nji vend ku
jetohet n'qetësi, si nji çadër që s'luhet pi vendit.
Kunjat e çadrës së tij s'ka me i nxjerrë kërkush
kurrë, e asnji litar i saj s'ka me u këputë.

21 Atje, Jehovai madhështor ka me qenë për neve
si nji vend me lumenj e kanale t'gjana, ku
s'ka me kalu asnji flotë anijesh me rrema,
e as s'ka me lundru naj anije madhështore.

22 Se Jehovai asht Gjykatësi jonë, Jehovai
asht aj që na e jep
ligjin, Jehovai asht Mbreti jonë. Aj
asht që ka me na shpëtu.

23 Litarët e tu kanë me u lëshu e me u varë.
S'kanë me mujtë as me e majtë direkun drejt, as me e shtri velën.
Atë kohë ka me u nda plaçkë me bollëk.
Edhe t'çalët kanë me marrë shumë plaçkë.

24 E asnji banor s'ka me thanë:
«Jom i smutë.» Popullit që banon n'atë vend ka me iu falë faji.