Isaia 41
1 „Ngomni në heshtje, o ishuj. Popujt le t’i mbledhin forcat. Le të afrohen e pastaj le të flasin. Të mblidhemi bashkë për gjykim.
2 Kush e ka çu dikë pi lindja dhe e ka thirrë në drejtësi te kambët e veta, për me ja dorëzu popujt e me i bo mbretat me ju nënshtru? Kush i bon ata pluhur para shpatës së tij, edhe si kashtë të shpërndame para harkut të tij?
3 Aj i ndjek ata, vazhdon rrugën pa u pengu nëpër shtigje ku kambët e tij kurrë s’kanë shkelë.
4 Kush ka vepru edhe e ka bo këtë, kush i ka thirrë brezat njanin mas tjetrit pi fillimit? Unë, Jehovaj, jom i Pari, edhe me të fundit jom hala po i njejti.“
5 Ishujt e panë këtë edhe u frikësun. Skajet e tokës nisën me u dridhë. Ata afrohen edhe dalin përpara.
6 Njani e ndihmon tjetrin edhe i thotë vllaut të vet: „Bahu i fortë.“
7 Zanatlija e forcon punuesin e metalit. Aj që e rrafshon me çekan, e forcon atë që i bjen kudhrës. Për atë që ngjitet me saldim, thotë: „Asht mirë.“ Pastaj e forcojnë me gozhda, që mos me u rrëzu.
8 „Po ti, o Izrael, je shërbëtori jem, ti, o Jakup, që të kam zgjedhë, ti pasardhës i mikut tem Abraham, 9 ti që të kam marrë pi skajet e tokës, ti që të kam thirrë pi pjesët ma të largëta të saj. Të thashë: ‘Ti je shërbëtori jem. Unë të kam zgjedhë, nuk të kam refuzu.
10 Mos ki frikë, se unë jom me ty. Mos u tut, se unë jom Zoti yt. Unë kam me të forcu, po, kam me të ndihmu. Përnime kam me të mbajtë fort me dorën teme të djathtë të drejtësisë.’
11 Kqyr! Krejt ata që nxehen kundër teje kanë me u marrosë edhe kanë me u poshtëru. Ata që luftojnë kundër teje kanë me u zhdukë edhe kanë me marrë fund.
12 Ke me i kërku burrat që luftojnë kundër teje, po s’ke me i gjetë. Burrat që të bajnë luftë kanë me u bo si diçka që s’ekziston, kurgjo hiq.
13 Sepse unë, Jehovaj, Zoti yt, po ta kapi dorën e djathtë, unë që po të thom: ‘Mos ki frikë. Unë kam me të ndihmu.’
14 Mos ki frikë, o Jakup, ti krimb i vogël, unë kam me të ndihmu, o popull i Izraelit“, shpall Jehovaj, Shpaguesi yt, i Shenjti i Izraelit.
15 „Kqyr! Të kam bo si nji vegël shirjeje, nji vegël të re me dhambë të mprehtë në dy anë. Ti ke me i shkelë malet edhe ke me i blu, edhe kodrat ke me i bo si byk.
16 Ke me i shoshitë në erë, edhe era ka me i marrë. Nji stuhi ka me i shpërnda. Ti ke me u gëzu për Jehovajn, edhe ke me folë me krenari për të Shenjtin e Izraelit.“
17 „Ata që janë në hall edhe të vorfnit po kërkojnë ujë, po s’ka. Gjuha ju asht tha pi etja. Unë, Jehovaj, kam me ju përgjigj. Unë, Zoti i Izraelit, nuk kam me i lanë.
18 Në kodrat e zhveshuna kam me bo me rrjedhë lumenj, edhe nëpër lugina kam me bo me shpërthy burime. Shkretinën kam me e kthy në pellg me kallamishte, edhe tokën pa ujë në burime uji.
19 Në shkretinë kam me mbjellë cedrin, akacien, mirtën edhe pishën.
Në rrafshinën e shkretinës kam me mbjellë dëllinjën bashkë me frashërin edhe selvinë, 20 që krejt me pa e me njoftë, me pasë kujdes e me kuptu që dora e Jehovajt e ka bo këtë, edhe i Shenjti i Izraelit e ka kriju.“
21 „Paraqitne rastin tuej gjyqësor“, thotë Jehovaj. „Paraqitni argumentet tueja“, thotë Mbreti i Jakupit.
22 „Sillni prova edhe na kallxoni qka ka me ndodhë. Na kallxoni për ato që kanë qenë ma herët, që me menu për to edhe me marrë vesh qysh kanë përfundu, ose na shpjegoni qka ka me ardhë.
23 Na kallxoni qka ka me ndodhë në të ardhmen, që ta kuptojmë se jeni zota. Po, boni diçka, qoftë mirë a keq, që me u habitë kur ta shohim.
24 Kqyrni! Ju jeni diçka që s’ekziston, edhe ajo që e bani ju asht kurgjo. Kush ju zgjedh juve, asht i neveritshëm.
25 Unë e kam çu dikë pi veriu, edhe aj ka me ardhë, dikë pi lindja, që ka me e thirrë emnin tem. Aj ka me i shkelë sundimtarët si me qenë baltë, si nji poçar që e shkel argjilën e lagët.
26 Kush e ka tregu këtë pi fillimit, që na me mujtë me e ditë, ose kush ka kallxu për të në kohët e kalume, që na me mujtë me thanë: ‘Ka të drejtë’? Përnime, askush s’e ka shpallë! Askush s’e ka kallxu! Askush s’e ka ni as edhe nji fjalë pi ju!“
27 Unë isha i pari që i thashë Sionit: „Kqyr! Qe ku janë!“ Edhe në Jerusalem kam me dërgu nji lajmëtar me lajme të mira.
28 Po unë kqyra, edhe aty s’kishte kërkush. Mes tyne s’kishte asnji këshilltar. Edhe vazhdimisht ju kërkova përgjigje.
29 Kqyrni! Krejt ata janë iluzion. Veprat e tyne janë kurgjo. Figurave të tyne pi metali janë veç erë edhe diçka e pavërtetë.