Isaia 60

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 „Çohu, oj grue, shndrit, se drita jote ka ardhë.
Lavdia e Jehovës po shndrit përmbi ty.

2 Se kqyre! Terri ka me e mbulu tokën edhe
errësina e madhe ka me i mbulu popujt,
po përmbi ty ka me shndrit Jehova edhe lavdia
e tij ka me u pa përmbi ty.

3 Popujt kanë me ardh te drita jote
edhe mbretat te shkëlqimi yt i madh.

4 Çoji sytë edhe kqyr rreth e rrotull! Krejt jonë mbledhë,
edhe po vijnë te ti. Djemtë e tu kanë
me ardh pa u nalë pi së largu edhe çikat
e tua, që kanë me i bartë në ije.

5 Atëherë ke me i pa krejt këto edhe ke me
shndrit, e zemra jote ka me t'rrah fort edhe ka me
t'u mbush përplot, se pasunia e detit ka me t'u
pru ty. Thesaret e popujve kanë me ardh te ti.

6 Tufa të mëdhaja devesh kanë me ta
mbulu vendin, devetë e reja meshkuj pi Midiani
edhe Efa. Krejt ata pi Sheba kanë
me ardhë. Kanë me pru ar edhe temjan.
Kanë me e shpall lavdinë e Jehovës.

7 Krejt kopetë e Kedarit kanë me u mbledh te
ti. Dashat e Nebajotit kanë me t'shërby. Kanë me
u pranu me pëlqim në altarin tem edhe
unë kom me e zbukuru shpinë teme të lavdishme.

8 Kush jonë këta që po fluturojnë si retë, si
pëllumbat që po kthehen te pëllumboret e veta?

9 Se ishujt kanë me shpresu te unë. Anijet
e Tarshishit kanë me lundru përpara, për me
i pru djemtë e tu pi së largu,
bashkë me argjendin edhe arin e tyne,
për emnin e Jehovës, Zotit tand, të Shenjtit
të Izraelit, se aj ka me të madhnu.

10 Të hujt kanë me t'i ndërtu muret edhe mbretat
e tyne kanë me t'shërby, se kur jom kon i
zemrum, të kom goditë, po kur kom me ta
kallxu pëlqimin tem, kom me pasë dhimt për ty.

11 Dyert e tua kanë me nejt gjithmonë çelë.
S'kanë me u mshel as ditën as natën, që
me mujt me t'i pru thesaret e popujve,
edhe mbretat e tyne kanë me ju pri.

12 Se çdo popull edhe çdo mbretni që s'ka me t'shërby, ka
me u shkatërru, edhe kombet kanë me u shkretu krejt.

13 Te ti ka me ardh lavdia e Libanit,
dëllinja, frashni edhe selvia, krejt bashkë, për me e
zbukuru vendin tem të shenjtë. Vendin ku i
vnoj kambët e mia, kom me e madhnu.

14 Djemtë e atyne që të kanë shtypë, kanë me ardh edhe kanë
me u përkul para teje. Krejt ata që s'të kanë respektu,
kanë me u detyru me ra te kambët e tua, edhe kanë
me t'thirrë Qyteti i Jehovës, Sioni i të Shenjtit të Izraelit.

15 Në vend që me kon e braktisun edhe e urryme,
nji qytet kah s'kalon kurrkush, unë kom me të
bo burim krenarie t'amshume, edhe shkak gëzimi brez mas brezi.

16 Edhe ti përnime ke me pi qumështin e popujve, ke
me thith gjinin e mbretave. Edhe pa pikë dyshimi
ke me e kuptu që unë, Jehova, jom Shpëtimtari yt
edhe që i Fuqishmi i Jakobit asht Shpenguesi yt.

17 Në vend të bakrit kom me pru ar
edhe në vend të hekurit kom me pru
argjend, në vend të drunit kom me pru bakër
edhe në vend të gurëve kom me pru
hekur. Edhe paqen kom me ta vnu mbikëqyrës
edhe drejtësinë përgjegjëse për ndamjen e punëve tua.

18 Në vendin tand s'ka me u ni ma për dhunë, as
për shkatërrim a shkretim mrena kufijve të tu. Edhe muret e
tua ke me i qujt Pshtim, e dyert e tua Lavdërim.

19 Ditën s'ka me kon ma dilli drita jote edhe
as hana s'ka me të dhanë ma dritë.
Se Jehova ka me t'u bo dritë e amshume
edhe Zoti yt ka me kon bukuria jote.

20 Dilli yt s'ka me perëndu ma, as hana
jote s'ka me u pakësu, se Jehova ka
me t'u bo dritë e amshume. Ditët
e pikëllimit tand atëherë kanë me marrë fund.

21 Edhe krejt populli yt ka me kon i
drejtë. Ata kanë me e pasë tokën përjetë. Ata
jonë filizi që unë e kom mbjellë, vepra
e duerve të mia, për me më zbukuru.

22 Ma i vogli ka me u bo nji mijë edhe aj
që s'ka peshë ka me u bo nji komb i fortë. Unë
vetë, Jehova, kom me e shpejtu këtë kur t'i vijë koha.“