Jakobit 4

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Pi vijnë luftat edhe grindjet mes jush? A nuk vijnë pi dëshirat tueja gjynahqare që luftojnë mrena jush? 2 Lakmoni diçka, po nuk e merrni. Mbytni edhe lakmoni pa nalë, po prapë nuk fitoni kurgjo. Vazhdimisht grindeni edhe luftoni. Nuk keni kurgjo, sepse nuk kërkoni. 3 E kur kërkoni diçka, nuk merrni kurgjo, sepse kërkoni me qëllim të keq, domethanë për me i kënaqë dëshirat tueja gjynahqare.

4 Ju kurorëshkele, a nuk e dini që miqësia me botën domethanë armiqësi me Zotin? Pra, kushdo që don me qenë mik i botës, po e bon veten armik të Zotit. 5 Apo po mendoni që Shkrimet thojnë kot: „Fryma që banon mrena nesh vazhdimisht ka dëshira plot zili“? 6 Po mirësia e pameritume që Zoti e jep asht ma e madhe. Për qata thuhet: „Zoti ju kundërvihet krenarëve, po të përulurve ju jep mirësi të pameritume.“

7 Prandaj nënshtrojuni Zotit, po kundërvijuni Djallit, edhe aj ka me ikë pi ju. 8 Afrohuni te Zoti, edhe aj ka me ju afru juve. Pastroni duert, ju gjynahqarë, edhe pastroni zemrat, ju me dy mendje. 9 Ndjeni dhimbje, mbani zi edhe kajni. Të qeshunit tuej le të kthehet në zi, edhe gëzimi juej në dëshpërim. 10 Përuluni para syve të Jehovajt, edhe aj ka me ju ngritë.

11 Mos folni ma kundër njani-tjetrit, vllazën. Kush flet kundër nji vllau a e gjykon vllaun e vet, po flet kundër Ligjit edhe po e gjykon Ligjin. E nëse ti e gjykon Ligjin, nuk je zbatues i Ligjit, po po e bon veten gjykatës. 12 Ka veç nji që asht Ligjdhënës edhe Gjykatës, aj që mundet me shpëtu edhe me shkatërru. Po ti, kush je që po e gjykon të afërmin tand?

13 Tash ngoni ju që thoni: „Sot a nesër kemi me shku në këtë a atë qytet, kemi me nejtë atje nji vit, kemi me bo tregti edhe kemi me fitu.“ 14 Po ju nuk e dini fare qysh ka me qenë jeta juej nesër. Sepse jeni si avull që shihet për pak kohë e pastaj zhduket. 15 Ma mirë thoni: „Nëse don Jehovaj, kemi me jetu edhe kemi me bo këtë a atë.“ 16 Po ju krenoheni me mburrjet tueja arrogante. Këto mburrje janë diçka e keqe. 17 Pra, nëse dikush e din qka asht e drejtë, po nuk e bon, atëherë kjo për të asht gjynah.