Jeremia 19
1 Kështu më tha Jehovai: „Shko e bleje nji qyp balte te nji poçar. Merr me veti disa pleq të popullit edhe disa pleq të priftërinjve
2 edhe shko te lugina e birit të Hinomit, te hyrja e Portës së Copave të Enëve. Aty shpalli fjalët që kam me t'i thanë.
3 Thuju: ‘Ngoni fjalët e Jehovait, o mbreta të Judës edhe ju banorë të Jerusalemit. Kështu thotë Jehovai, Zoti i ushtrive, Zoti i
Izraelit: „Së shpejti kam me pru nji fatkeqësi mbi këtë vend, e kujtdo që e nin, kanë me i ushtu veshët.
4 Se ata më kanë lanë mu edhe e kanë ndrru këtë vend aq shumë sa s'njihet ma. Aty po u ofrojnë kurbane zotave tjerë, që as ata, as të parët e tyne e as mbretat e Judës s'i kanë njoft. Edhe e kanë mbush këtë vend me gjakun e njerëzve të pafajshëm.
5 Ata i kanë ndërtu vendet e nalta të Baalit për me i djeg djemtë e vet si kurbane që digjen krejt për Baalin. Këtë sen unë s'e kom urdhnu, as s'kom fol për të, e as s'më ka shku kurrë ndërmend.“‘
6 ‘„Për qata po vijnë ditët“, thotë Jehovai, „kur këtë vend s'kanë me e thirrë ma Tofet, as Lugina e Birit të Hinomit, po Lugina e Therjes.
7 Në këtë vend kam me ua prish planet Judës edhe Jerusalemit. Kam me i bo me ra pi shpatës para armiqve të vet, pi dorës së atyne që po dojnë me ua marrë jetën. Trupat e tyne të vdekun kam me ua dhanë për ushqim shpezëve të qiellit edhe shtazëve të tokës.
8 Edhe këtë qytet kam me e bo nji pamje të tmerrshme edhe vend për tallje. Kushdo që kalon atypari ka me mbet i tmerrum tu e kqyrë edhe ka me fishkëllu për shkak të krejt fatkeqësive që e kanë goditë.
9 Edhe kam me i bo njerëzit me e hangër mishin e djemve edhe çikave të veta. Secili ka me e hangër mishin e tjetrit për shkak të rrethimit edhe dëshpërimit, kur armiqtë që po dojnë me ua marrë jetën kanë me i rrethu.“‘
10 Masanej thyeje qypin para syve të burrave që kanë shku me ty,
11 edhe thuju: ‘Kështu thotë Jehovai, Zoti i ushtrive: „Qeshtu kam me e thy këtë popull edhe këtë qytet, njajt si kur thyhet qypi i poçarit, që s'munet me u ndreq ma. Edhe të vdekunit kanë me i varrosë në Tofet, derisa s'ka me pas ma vend.“‘
12 ‘Qeshtu kam me vepru me këtë vend edhe me banorët e tij’, thotë Jehovai, ‘edhe këtë qytet kam me e bo si Tofeti.
13 Edhe shpitë e Jerusalemit edhe shpitë e mbretave të Judës kanë me u bo të papastra si Tofeti. Po, krejt ato shpi, mbi kulmet e të cilave kanë ofru kurbane për krejt ushtrinë e qiellit edhe kanë derdh pije si kurban për zota tjerë.’“
14 Kur Jeremia u kthy pi Tofetit, ku Jehovai e kish çu me profetizu, aj ka shku e ka nejt në oborrin e shpisë së Jehovait edhe i ka thanë krejt popullit:
15 „Kështu thotë Jehovai, Zoti i ushtrive, Zoti i Izraelit: ‘Kqyrni, unë kam me pru mbi këtë qytet edhe mbi krejt vendet përreth tij krejt fatkeqësinë që e kom paralajmëru, se ata me kryefortësi s'kanë dasht me i ngu fjalët e mia.’“