Jeremia 39

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 N'vitin e nandë t'sundimit t'Zedekias, mbretit t'Judës, n'mujin e dhjetë, mbreti Nebukadnezar i Babilonisë ka ardhë me krejt ushtrinë e vet n'Jerusalem edhe e ka rrethu qytetin.

2 N'vitin e njëmbëdhjetë t'sundimit t'Zedekias, ditën e nandë t'mujit t'katërt, muri i qytetit u ça.

3 Krejt komandantët e mbretit t'Babilonisë kanë hy mrena edhe janë ulë te porta e mesme. Mes tyne u konë Nergal-Sarezeri, Samgari, Nebu-Sarsechimi, Rabsarisi, Nergal-Sarezeri, Rabmagu, edhe krejt komandantët tjerë t'mbretit t'Babilonisë.

4 Kur Zedekia, mbreti i Judës, edhe krejt ushtarët i kanë pa, kanë ikë. Natën kanë dalë pi qyteti nëpër kopshtin e mbretit, përmes portës që u konë mes dy mureve, edhe kanë vazhdu rrugën kah Araba.

5 Po ushtria e kaldeasve u asht vu mas edhe e ka zanë Zedekian n'fushën e shkretë t'Jerikos. E kanë kapë edhe e kanë çu te mbreti Nebukadnezar i Babilonisë, n'Ribla, n'vendin e Hamathit. Atje mbreti e ka gjyku edhe ia ka dhanë dënimin.

6 Atje n'Ribla, mbreti i Babilonisë ka urdhnu me ia vra djemtë Zedekias para syve t'babës së tyne. Ka urdhnu me i vra edhe krejt njerëzit e familjeve fisnike t'Judës.

7 Masanej ia ka qitë sytë Zedekias edhe e ka lidhë me zinxhirë t'bakrit, që me e çu n'Babiloni.

8 Masanej kaldeasit ia kanë kallë flakën pallatit t'mbretit edhe shpive t'popullit, edhe i kanë rrënu muret e Jerusalemit.

9 Nebusaradani, komandanti i rojave, i ka marrë rob edhe i ka çu n'Babiloni njerëzit që kishin mbetë n'qytet, ata që kishin kalu n'anën e tij edhe krejt ata tjerët që kishin mbetë.

10 Po Nebusaradani, komandanti i rojave, i ka lanë n'vendin e Judës do njerëz pi ma t'varfnit e popullit, që s'kishin pasë kurgjo. Atë ditë u ka dhanë edhe vneshta e ara me i punu.

11 Atëherë mbreti Nebukadnezar i Babilonisë i ka dhanë Nebusaradanit, komandantit t'rojave, nji urdhën për Jeremian:

12 “Merre Jeremian edhe kujdesu për të. Mos i ban kurrfarë dami edhe plotësoja krejt qka t'kërkon.”

13 Atëherë Nebusaradani, komandanti i rojave, Nebushasbani, Rabsarisi, Nergal-Sarezeri, Rabmagu, edhe krejt prijësit e mbretit t'Babilonisë kanë dhanë urdhën

14 me e marrë Jeremian pi oborri i rojave. Ata ia kanë dorëzu Gedaljas, djalit t'Ahikamit, djalit t'Shafanit, që me e çu n'shpinë e vet. Kështu Jeremia ka jetu mes popullit.

15 Kur Jeremia u konë hala i burgosun n'oborrin e rojave, i ka ardhë kjo fjalë pi Jehovait:

16 “Shko edhe thuji Ebed-Melekut, etiopasit: ‘Kështu thotë Jehovai, Zoti i ushtrive, Zoti i Izraelit: “Unë kam me i përmbushë fjalët e mia për këtë qytet. Kam me i pru fatkeqësi e jo t'mira. Atë ditë ti ki me e pa vetë qka ka me ndodhë.”’

17 ‘Po ty kam me të shpëtu atë ditë’, thotë Jehovai, ‘edhe s'kam me të dorëzu n'duart e atyne burrave që ti u tutesh.’

18 ‘Unë pa tjetër kam me të ndihmu me shpëtu, edhe ti s'ki me u vra pi shpata. Ki me shpëtu gjallë, se ti ke pasë besim te unë’, thotë Jehovai.”