Jeremia 42
1 Masanej kanë ardhë krejt komandantët e ushtrisë, Johanani, djali i Kareahut, Jesanja, djali i Hoshajas, edhe krejt populli, pi ma t'voglit e deri te ma i madhi.
2 Ata i kanë thanë profetit Jeremia: “T'lutna, ndëgjoje kërkesën tonë edhe lutju për neve Jehovait, Zotit tand, për krejt neve që kemi mbetë. Se qysh po e sheh edhe vetë, pi gjithë atyne njerëzve që u konë shumë, tash kemi mbetë veç pak.
3 Le t'na kallxojë Jehovai, Zoti yt, cilës rrugë me ia majtë edhe qka duhet me ba.”
4 Profeti Jeremia u ka thanë: “Mirë, kam me iu lutë Jehovait, Zotit tuaj, qysh po kërkoni ju. Edhe kam me jua kallxu secilën fjalë që Jehovai ka me ju përgjigjë. S'kam me ju mshefë asnji fjalë.”
5 Atëherë ata i kanë thanë Jeremias: “Le t'jetë Jehovai dëshmitar i vërtetë edhe besnik kundër neve, nëse nuk e bajmë saktë krejt atë që Jehovai, Zoti yt, na udhëzon përmes teje.
6 Edhe nëse na del mirë a keq, na kemi me e ndëgju zanin e Jehovait, Zotit tonë, te i cili po të çojmë. Se kur e ndëgjojmë Jehovain, Zotin tonë, ka me na shku mirë.”
7 Mas dhjetë ditësh, Jeremias i ka ardhë nji fjalë pi Jehovait.
8 Atëherë aj e ka thirrë Johananin, djalin e Kareahut, krejt komandantët e ushtrisë që u konë me të, edhe krejt popullin, pi ma t'voglit e deri te ma i madhi.
9 Edhe u ka thanë: “Kështu thotë Jehovai, Zoti i Izraelit, te i cili m'keni çu me iu lutë për mëshirë:
10 ‘Nëse përnime rrini n'këtë vend, atëherë unë kam me ju ndërtu e s'kam me ju rrënu, kam me ju mbjellë e s'kam me ju shkulë, se ka me m'ardhë keq për fatkeqësinë që ua kam pru.
11 Mos u tutni pi mbretit t'Babilonisë, që po i tuteni aq shumë!’ ‘Mos u tutni pi tij’, thotë Jehovai,
‘se unë jom me ju për me ju shpëtu edhe për me ju çliru pi dorës së tij.
12 Unë kam me pasë dhimt për ju, edhe atij ka me i ardhë gjynah për ju e ka me ju kthy n'vendin tuaj.
13 Po nëse ju thoni: “Jo, na s'kemi me nejtë n'këtë vend!”, edhe nuk e ndëgjoni Jehovain, Zotin tuaj,
14 po thoni: “Jo, na kemi me shku n'Egjipt, ku s'kemi me pa luftë, s'kemi me ndëgju zhurmën e borive t'luftës edhe s'kemi me pasë uri për bukë. Atje kemi me jetu”,
15 atëherë ndëgjoni fjalët e Jehovait, o ju që keni mbetë pi Juda. Kështu thotë Jehovai, Zoti i ushtrive, Zoti i Izraelit: “Nëse ju e keni nda mendjen patjetër me shku n'Egjipt edhe shkoni atje për me jetu,
16 atëherë bash ajo shpatë që po i tuteni ka me ju zanë n'Egjipt, edhe bash ajo uri që po ju frikëson ka me ju ndjekë deri n'Egjipt, edhe atje keni me dekë.
17 Edhe krejt ata që e kanë nda mendjen me shku n'Egjipt për me jetu atje, kanë me dekë pi shpata, uria edhe murtaja. Asnjani pi tyne s'ka me mbetë gjallë, e as s'ka me shpëtu pi fatkeqësia që kam me ua pru.”’
18 Se kështu thotë Jehovai, Zoti i ushtrive, Zoti i Izraelit: ‘Qysh e kam derdhë hidhërimin edhe zemërimin tem mbi banorët e Jerusalemit, qashtu kam me e derdhë zemërimin tem mbi ju nëse shkoni n'Egjipt. Keni me u ba shembull mallkimi, nji pamje tmerri, njerëzit kanë me ju mallku edhe keni me mbetë me marre. Edhe këtë vend s'keni me e pa kurrë ma.’
19 Jehovai i ka thanë këto fjalë kundër jush, o ju që keni mbetë pi Juda. Mos shkoni n'Egjipt. Dijeni mirë që sot ju kam paralajmëru:
20 Faji juaj ka me ju kushtu me jetë! Se ju m'keni çu te Jehovai, Zoti juaj, edhe m'keni thanë: ‘Lutju për neve Jehovait, Zotit tonë, edhe na kallxo krejt qka thotë Jehovai, Zoti jonë, e na kemi me e ba.’
21 Sot jua kam kallxu krejt, po ju s'keni me e ndëgju zanin e Jehovait, Zotit tuaj, edhe s'keni me ba asnji sen pi atyne që aj m'ka urdhnu me jua thanë.
22 Për qata, dijeni mirë që keni me dekë pi shpata, uria edhe murtaja n'atë vend ku po doni me shku e me jetu.”