Jeremia 6

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Kërkoni strehë, o bijtë e Beniaminit, larg Jerusalemit.
Bini borisë në Tekoa, ndizni nji zjarr si
shenjë mbi Beth-Hakerem! Se pi veriut po vjen
nji e keqe, nji fatkeqësi shumë e madhe.

2 Bija e Sionit i ngjan nji gruje t'bukur e t'butë.

3 Barinjtë bashkë me kopetë e tyne kanë me ardh te
ajo. Kanë me i ngreh tendat rreth saj, edhe secili
ka me e kullot kopenë për të cilën asht përgjegjës.

4 “Bëhuni gati me luftu kundër Jerusalemit!
Çohuni, hajde ta sulmojmë qytetin
n'mesditë!” “Mjerë na, dita po mbaron,
hijet e mramjes po zgjaten!”

5 “Çohuni, hajde ta sulmojmë natën
edhe t'ia shkatërrojmë kullat mbrojtëse.”

6 Se kështu thotë Jehovai, Zoti i ushtrive:
“Preni drunj edhe ngritni nji ledh për me e rrethu Jerusalemin.
Ky asht qyteti që duhet me dhanë llogari.
Aty s'ka sen tjetër veç shtypje.

7 Qysh nji cisternë e mban ujin e vet
t'ftoftë, ashtu edhe ajo e mban t'ftoftë ligësinë
e vet. Brenda saj nihet dhunë e shkatërrim.
Sëmundje e vuajtje i kam vazhdimisht para syve.

8 Pranoje paralajmërimin, Jerusalem, se përndryshe unë kam me u largu pi teje me neveri.
Kam me të shkretu e me të ba nji vend ku s'banon kërkush.”

9 Kështu thotë Jehovai, Zoti i ushtrive:
“Ata kanë me e mbledh krejt qka ka mbet pi Izraelit, qysh mblidhen edhe kokrrat e fundit t'rrushit pi hardhisë.
Kthehu prapë e mblidhi kokrrat, qysh i mbledh rrushin ai që vjel hardhitë.”

10 “Kujt me i fol, kë me paralajmëru?
Kush ka me m'ngu?
Veshët i kanë t'mbyllun, e për qata s'munden me ia vu veshin.
Fjalët e Jehovait janë ba diçka që ata e përqeshin.
Ata s'kanë kurrfarë qefi me i ngu.

11 Për qata jom mbush me zemërimin e Jehovait,
edhe jom lodh tu u përmbajtë.” “Derdhe
zemërimin mbi fëmijën që asht n'rrugë, edhe mbi
djelmoshat që mblidhen n'grupe. Ka me i godit
krejt, burrin bashkë me grunë e vet,
pleqtë bashkë me ata që janë shumë t'moshuem.

12 Shtëpitë e tyne kanë me iu dhanë tjerëve, bashkë
me arat edhe gratë e tyne. Se unë kam me
e shtri dorën kundër banorëve t'këtij vendi”, thotë Jehovai.

13 “Pi ma t'voglit deri te ma i madhi, secili po mundohet me u pasunu me hile.
Pi profeti deri te prifti, secili po mashtron.

14 Edhe ata po mundohen me e shëru
shkatërrimin e popullit tem veç sa për
sy e faqe, tu thanë: ‘Paqe
ka! Paqe ka!’, kur n'fakt s'ka paqe.

15 A po ju vjen marre për gjanat e neveritshme që i kanë ba?
Jo, atyne s'ju vjen marre hiq!
Ata as nuk e dinë qka asht me u ndi i poshtnum!
Për qata kanë me ra bashkë me ata që rrëzohen.
Kur t'i ndëshkoj, kanë me u pengu e me ra”, thotë Jehovai.

16 Kështu thotë Jehovai: “Ndaluni te udhëkryqi edhe
shikoni. Pyetni për rrugët e moçme, pyetni
ku asht rruga e mirë edhe ecni
nëpër të, e keni me gjet
qetësi për vete.” Po ata kanë thanë:
“Na s'kemi me ecë nëpër atë rrugë.”

17 “Edhe unë i kam caktu rojet që thirrshin:
‘Vnojani veshin zanit t'borisë!’” Po ata kanë thanë:
“Na s'kemi me ia vu veshin.”

18 “Për qata, dëgjoni, o popuj! Edhe
ti, o bashkësi, merre vesh
qka ka me ju ndodh atyne.

19 Dëgjo, oj tokë! Unë kam me i
sjell fatkeqësi këtij populli për shkak
t'dredhive që i kanë ba vetë, se
ata s'ia kanë vu veshin fjalëve
t'mia edhe e kanë refuzu ligjin tem.”

20 “Qka më duhet mu temjani që e bjen pi
Shebës edhe kallami me erë t'mirë pi nji
vendi t'largët? Kurbanet e juja që digjen krejt nuk
i pranoj, edhe kurbanet tjera t'jujat s'më pëlqejnë.”

21 Për qata Jehovai thotë: “Unë kam me
i qit këtij populli gurë përpara që
me u pengu, edhe ata kanë me
u pengu n'ata gurë, baballarët bashkë me
djemtë e tyne, komshiu bashkë me shokun
e vet, edhe krejt kanë me vdek.”

22 Kështu thotë Jehovai:
“Kqyrni!
Nji popull po vjen pi vendit t'veriut, edhe nji komb i madh ka me u çu pi skajeve ma t'largëta t'tokës.

23 Ata kanë me i kap harqet edhe shtizat për me
i gjujt. Janë t'egër edhe s'kanë me pas kurrfarë dhimti.
Zani i tyne ka me ushtu si deti, edhe
kanë me ardh hypun n'kuaj. Kanë me u rreshtu për
luftë si nji luftëtar kundër teje, oj bija e Sionit.”

24 Na e kemi ni lajmin për
ta. Duert na janë lëshu. Na
ka kap dëshpërimi, edhe dhimtjet
si t'nji gruje që po lind.

25 Mos dil n'arë edhe
mos ec n'rrugë, se armiku
e ka shpatën. Gjithkah
ka frikë e tmerr.

26 Oj bija jem, populli jem, veshu me
tesha thesi edhe rrotullohu n'hi. Vajto si për
nji djalë t'vetëm, me vajtim t'hidhët, se
shkatërruesi ka me ardh papritmas mbi neve.

27 “Unë të kam ba si nji njeri që i provon metalet
në mes t'popullit tem, që i kontrollon krejt senet me kujdes. Ti
duhet me pas kujdes edhe me e provu rrugën e tyne.

28 Krejt ata janë njerëz shumë
kokëfortë, edhe shkojnë gjithkah tu shpifë
për tjerët. Janë si bakri
edhe hekuri. Krejt janë t'prishun.

29 Shakulli që e fryn zjarrin asht djegë. Pi
zjarrit t'tyne po del plumb. Kot po
mundohen me e pastru metalin mirë, prapë e
prapë, se njerëzit e këqij s'janë largu.

30 Kanë me i qujtë me siguri ‘argjend i
hedhun poshtë’, se Jehovai i ka hedhë poshtë.”