Jobi 11

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Atëherë Zofari, naamathiti, ia ka kthy:

2 A kanë me mbetë krejt qeto fjalë pa përgjigje?
A ka të drejtë dikush veç pse flet shumë?

3 A kanë me ua mbyllë gojën njerëzve fjalët e tua t’kota?
A s’ka me t’ndalë kërkush kur po fol me tallje?

4 Ti po thu:
‘Mësimi jem asht i pastër, pa kurrfarë shtrembërimi, edhe unë jom i pastër n’sytë e tu.’

5 Po sikur veç Zoti me folë me ty, sikur
veç me i dalë naj fjalë pi gojës!

6 Atëherë aj kishte me t’i zbulu të fshehtat e urtësisë, se urtësia
që t’hyn n’punë i ka shumë anë. Atëherë kishe me e kuptu
që Zoti po i len me u harru disa pi gabimeve tua.

7 A munesh me i zbulu senet e thella
t’Zotit, a me kuptu krejt për t’Gjithëfuqishmin?

8 Ajo asht ma e naltë se qielli. Qka munesh me arritë ti deri atje?
Asht ma e thellë se vorri. Qka munesh me ditë ti për to?

9 Ajo asht ma e gjatë se toka,
edhe ma e gjanë se deti.

10 Nëse aj kalon, e kap dikon edhe e
thirr gjyqin, kush munet me e ndalë?

11 Se aj e din kur njerëzit jonë t’rrejshëm.
E kur sheh diçka t’keqe, a s’ka me ia kushtu vëmendjen?

12 Po njeriu me kry bosh ka me kuptu diçka veç atëherë
kur nji gomar i egër ka me lindë nji njeri.

13 Ah, sikur veç me e përgatitë zemrën tane
edhe me i zgjatë duart kah aj!

14 Nëse dora jote bon diçka t’keqe, largoje atë pi vetes,
edhe mos e le padrejtësinë me banu n’çadrat e tua.

15 Se atëherë kishe mujtë me e çu kryt nalt pa pasë marre.
Kishe mujtë me qëndru i fortë, pa pasë frikë.

16 Se atëherë ka me t’u harru krejt telashet e tua.
Ka me t’u kujtu veç si uji që ka rrjedhë e ka kalu.

17 Jeta jote ka me konë ma e ndritshme se mesdita.
Edhe kohët e errëta kanë me konë si mëngjesi.

18 Ka me t’u mbushë zemra me siguri, se ka shpresë, edhe masi
ta kqyrsh vendin përreth, ka me mujtë me u shtri i sigurt.

19 Ka me mujtë me u shtri pa t’frikësu kërkush, edhe
shumë njerëz kanë me u mundu me ta fitu pëlqimin.

20 Po t’këqijve kanë me iu lodhë sytë. S’kanë
me gjetë kërkah vend me u strehu, e shpresa
e tyne e vetme ka me konë vdekja.»