Jobi 18
1 Atëherë Bildadi, shuhiti, ia ka kthy:
2 «Deri kur keni me vazhdu me folë qashtu?
Tregoni pak mend, e masanej mujna me folë.
3 Pse me na kqyrë neve si kafshë edhe
me na majtë për budallë n’sytë tuaj?
4 Edhe nëse ti e shqyen veten pi inatit, a
ka me mbetë toka pa njerëz për shkak
tandin, a ka me lëvizë shkambi pi vendit t’vet?
5 Po, drita e njeriut t’keq ka me u fikë,
edhe flaka e zjarrit t’tij s’ka me ndriçu.
6 Drita n’çadrën e tij ka me u errësu pa
tjetër, edhe llamba mbi të ka me u fikë.
7 Hapat e tij t’fortë kanë me u shkurtu,
edhe këshillat e veta kanë me e rrëzu.
8 Se kamtë e veta kanë me e çu n’nji rrjetë,
edhe aj ka me ecë mbi fijet e asaj rrjete.
9 Nji kurth ka me e kapë për thembre.
Nji lak ka me e nxanë.
10 Nji litar asht i mshefun për të n’tokë,
edhe nji kurth asht n’rrugën e tij.
11 Tmerret kanë me e frikësu pi krejt anëve,
edhe kanë me iu ngjitë mas thembrave.
12 Fuqia ka me e lshu, edhe fatkeqësia
ka me e bo me u lëkundë.
13 Lëkura e tij ka me iu hangër.
Sëmundja ma vdekjeprurëse ka me ia hangër gjymtyrët.
14 Kanë me e tërhjekë me zor pi sigurisë së çadrës së
tij, edhe kanë me e çu te mbreti i tmerreve.
15 Të hujt kanë me jetu n’çadrën e tij.
Mbi shpinë e tij ka me u shpërnda squfur.
16 Rrâjët e tij poshtë kanë me u tha, edhe
degët e tij nalt kanë me u vyshkë.
17 Kujtimi për të ka me u zhdukë pi tokës,
edhe n’rrugë kërkush s’ka me ia ditë emnin.
18 Kanë me e përzanë pi dritës n’terr, edhe
kanë me e dëbu pi tokës pjellore.
19 Aj s’ka me pasë as fëmijë, as pasardhës n’mes t’popullit t’vet, edhe
n’vendin ku jeton s’ka me i mbetë kërkush gjallë mas tij.
20 Kur t’i vijë dita, njerëzit n’perëndim kanë me u
tmerru, edhe njerëzit n’lindje ka me i kapë tmerri.
21 Qeshtu ka me ndodhë me çadrat e atij që bon t’keqen,
edhe me vendin e atij që s’e ka njoftë Zotin.»