Josiu 8

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Atëherë Jehovai i ka thanë Josiut: «Mos ki frikë edhe mos u tut. Merri krejt luftëtarët me veti edhe nisuni kundër Ait. Unë ta kom dhanë n'dorë mbretin e Ait, popullin e tij, qytetin e tij edhe tokën e tij.

2 Banja Ait edhe mbretit t'tij qysh ia keni ba Jerikos edhe mbretit t'saj, veç se kësaj here keni drejtë me marrë plaçkë edhe bagëtinë. Zini pritë mbrapa qytetit.»

3 Kështu Josiu u nis bashkë me krejt luftëtarët kundër Ait. Aj i ka zgjedhë 30 000 luftëtarë t'fortë edhe i ka nisë natën.

4 I ka urdhnu: «Zini pritë mbrapa qytetit, po mos u largoni shumë pi tij. Rrini krejt gati.

5 Unë edhe krejt ata që jonë me mu kemi me iu afru qytetit. Kur ata t'na sulmojnë si herën e kalume, na kemi me u tërhjekë para tyne.

6 Kemi me i lanë me na ndjekë derisa t'i largojmë pi qytetit, se ata kanë me thanë: ‘Po ikin para nesh si herën e kalume.’ Edhe na kemi me u tërhjekë.

7 Atëherë dilni pi pritës edhe merreni qytetin. Jehovai, Zoti juaj, ka me jua dhanë n'dorë.

8 Sapo ta merrni qytetin, jepjani flakën. Bani qysh ka thanë Jehovai. Këto jonë urdhnat e mi.»

9 Kështu Josiu i ka nisë, edhe ata kanë shku me zanë pritë. Janë vendosë mes Bethelit edhe Ait, n'perëndim t'Ait, kurse Josiu atë natë ka nejt me tjerët.

10 Josiu u çu herët n'sabah, i ka rreshtu ushtarët edhe bashkë me pleqtë e Izraelit u ka pri drejt Ait.

11 Krejt luftëtarët që i ka pasë me veti kanë shku përpjetë edhe iu kanë afru qytetit pi përpara. E kanë ngritë kampin n'veri t'Ait, e mes tyne edhe qytetit u konë lugina.

12 Me urdhnin e tij, rreth 5 000 burra veç kanë zanë pritë n'perëndim t'qytetit, mes Bethelit edhe Ait.

13 Kështu kampi kryesor u konë n'veri t'qytetit, kurse prita n'perëndim. Po atë natë Josiu ka zhdrypë n'mes t'luginës.

14 Kur mbreti i Ait e ka pa këtë, aj ka dalë me vrap pi qytetit herët n'sabah bashkë me burrat e tij, për me luftu kundër Izraelit. Ata jonë nisë për te nji vend i caktum, pi ku shihej rrafshina e shkretë. Po mbreti s'e ka ditë që mbrapa qytetit u konë nji pritë.

15 Kur burrat e Ait kanë sulmu, Josiu edhe izraelitët kanë ikë rrugës kah shkretëtina.

16 Atëherë i kanë thirrë krejt burrat që jonë konë n'qytet, edhe ata kanë shku mas tyne. Tu e ndjekë Josiun, jonë largu gjithnjë e ma shumë pi qytetit.

17 S'ka mbetë asnji burrë n'Ai as n'Bethel që s'ka shku mas izraelitëve. Qytetin e kanë lanë pa mbrojtje.

18 Atëherë Jehovai i ka thanë Josiut: «Drejtoje shtizën që e ki n'dorë kah Ai, se unë kam me ta dhanë n'dorë.» Josiu e ka drejtu shtizën e tij kah qyteti.

19 Sapo e ka zgjatë dorën, burrat që kanë zanë pritë kanë dalë me vrap pi pritës, kanë hy n'qytet, e kanë marrë edhe menjiherë ia kanë shti flakën.

20 Kur burrat e Ait jonë kthy mbrapa edhe e kanë pa tymin e qytetit tu u çu drejt qiellit, s'kanë pasë ma fuqi me ikë askund. Atëherë grupi që ka ikë kah shkretëtina u asht kthy kundër atyne që po i ndiqnin.

21 Kur Josiu edhe izraelitët e kanë pa që burrat pi prita e kanë marrë qytetin edhe që tymi po çohej pi tij, jonë kthy mbrapa edhe i kanë sulmu burrat e Ait.

22 Tjerët kanë dalë pi qytetit drejt tyne, kështu që burrat e Ait kanë mbetë t'rrethum pi izraelitët. Izraelitët i kanë mundë krejt, edhe s'ka shpëtu asnji, as s'ka mujtë kush me ikë.

23 Veç mbretin e Ait e kanë kapë gjallë edhe e kanë pru te Josiu.

24 Pasi izraelitët i kanë vra krejt banorët e Ait që i kanë ndjekë n'vendin e hapët n'shkretëtinë, edhe krejt deri te i fundit jonë vra me shpatë, krejt izraelitët jonë kthy n'Ai edhe kanë sulmu me shpatë edhe aty.

25 Atë ditë kanë vdekë krejt banorët e Ait, gjithsej 12 000 burra e gra.

26 Josiu e ka mbajtë dorën me shtizën t'zgjatun derisa i ka shkatërru krejt banorët e Ait, pa lanë asnji.

27 Izraelitët kanë marrë plaçkë pi qyteti edhe bagëtinë, qysh e ka urdhnu Jehovai Josiun.

28 Masanej Josiu e ka djegë Ain edhe e ka ba nji grumbull rrënimesh që ka mbetë ashtu deri sot.

29 Mbretin e Ait e ka varë n'nji trung deri n'mramje. Pak para perëndimit t'diellit, Josiu ka urdhnu me ia zhdrypë trupin. Masanej e kanë gjujtë te hyrja e portës t'qytetit edhe mbi të kanë ba nji grumbull t'madh gurësh, që asht aty deri sot.

30 N'atë kohë Josiu ka ndërtu nji altar për Jehovain, Zotin e Izraelit, n'malin Ebal,

31 «nji altar pi gurë t'papun gumë, që s'jonë prekë me vegla hekuri», qysh ua ka urdhnu Moisiu, shërbëtori i Jehovait, izraelitëve edhe qysh asht shkru n'librin e ligjit t'Moisiut. Mbi këtë altar i kanë ofru Jehovait kurbane t'djeguna edhe kurbane bashkësie.

32 Masanej aty, mbi gurë, Josiu e ka shkru nji kopje t'ligjit që Moisiu e ka shkru para syve t'izraelitëve.

33 Krejt Izraeli, bashkë me pleqtë, përgjegjësit edhe gjykatësit, kanë nejt n'dy anët e arkës së besëlidhjes, përballë priftave levitë që e kanë bartë arkën e besëlidhjes së Jehovait. Aty jonë konë edhe t'huejt që kanë jetu mes tyne, edhe izraelitët. Gjysma kanë nejt para malit Gerizim edhe gjysma tjetër para malit Ebal (qysh e ka urdhnu atëherë Moisiu, shërbëtori i Jehovait), që populli i Izraelit me marrë bekim.

34 Masanej Josiu e ka lexu krejt ligjin, fjalë për fjalë, bekimet edhe mallkimet, krejt qka asht shkru n'librin e ligjit.

35 S'ka lanë asnji fjalë pa e lexu pi krejt qka ka urdhnu Moisiu. I ka lexu para krejt popullit t'Izraelit, bashkë me gratë, fëmijët edhe t'huejt që kanë jetu mes tyne.