Kangë t'shejta 145
א (Aleph)
1 Ka me t'lartësu, o Zoti jem e Mbreti jem, emnin
tand ka me e lavdëru për jetë e mot.
ב (Bet)
2 Tanë ditën ka me t'lavdëru.
Emnin tand ka me e lavdëru për jetë e mot.
ג (Gimel)
3 Jehovai asht i madh e meriton me u lavdëru shumë.
Madhështia e tij s'mundet me u kuptu deri n'fund.
ד (Dalet)
4 Nji brez mas tjetrit ka me i lavdëru punët e tua.
Kanë me tregu për veprat e tua t'fuqishme.
ה (He)
5 Kanë me folë për shkëlqimin e madhështisë tane, e unë
kom me mendu thellë për veprat e tua t'mrekullueshme.
ו (Waw)
6 Kanë me folë për veprat e tua që t'bojnë me pasë frikë
e respekt, e unë kom me tregu sa i madh je.
ז (Zajin)
7 Kur t'kujtojnë sa i mirë je pa fund, kanë me
folë plot gëzim, e kanë me brohoritë për drejtësinë tane.
ח (Chet)
8 Jehovai ka dhimt e i vjen gjynah, s'zemërohet shpejt
e dashnia e tij besnike asht e madhe.
ט (Tet)
9 Jehovai asht i mirë me krejt, e dhimta
e tij shihet n'krejt punët e tij.
י (Jod)
10 Krejt veprat e tua kanë me t'madhëru, o Jehova,
e ata që t'rrijnë besnikë kanë me t'lavdëru.
כ (Kaf)
11 Kanë me tregu sa e lavdishme asht mbretnia
jote, e kanë me folë për fuqinë tane,
ל (Lamed)
12 që njerëzit me i marrë vesh veprat e tua
t'fuqishme, edhe shkëlqimin e madh të mbretnisë tane.
מ (Mem)
13 Mbretnia jote asht nji mbretni që zgjat përjetë,
e sundimi yt vazhdon brez mas brezi.
ס (Samech)
14 Jehovai i mban krejt ata që po rrëzohen, e
i çon n'kamë krejt ata që jonë t'kërrusun.
ע (Ajin)
15 Sytë e krejtve t'kqyrin me shpresë.
Ti ua jep ushqimin kur duhet.
פ (Pe)
16 Ti e çel dorën tane, e
ua plotëson dëshirën krejt t'gjallëve.
צ (Zade)
17 Jehovai asht i drejtë n'krejt rrugët e
veta, e besnik n'krejt qka bon.
ק (Kof)
18 Jehovai asht afër krejt atyne që e thërrasin, po,
krejt atyne që e thërrasin me zemër t'sinqertë.
ר (Resch)
19 Aj ua plotëson dëshirën atyne që kanë frikë e respekt për to.
Ua dëgjon thirrjen për ndihmë edhe i shpëton.
ש (Sin)
20 Jehovai i run krejt ata që e dojnë,
po krejt t'këqijtë ka me i zhdukë.
ת (Taw)
21 Goja jem ka me e tregu lavdinë e Jehovait.
Krejt qka asht gjallë le ta lavdërojë emnin e tij t'shënjtë për jetë e mot.