Kangë t'shejta 33

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Gëzohuni e brohoritni për Jehovën, ju që jeni të drejtë.
Asht e drejtë që ata që kanë zemër të sinqertë me e lavdru.

2 Falënderojeni Jehovën me harpë.
Këndoni kangë për të, me nji instrument me dhjetë tela.

3 Këndojani nji kangë të re.
Bini telave me mjeshtri edhe brohoritni prej gëzimit.

4 Se krejt qka thotë Jehova asht e drejtë, edhe
krejt qka bon aj, munesh me i besu.

5 Aj e don drejtësinë edhe atë që asht e drejtë.
Dashnia besnike e Jehovës e ka mbushë krejt tokën.

6 Me fjalën e Jehovës u kriju qielli, edhe me frymën e
gojës së tij u kriju krejt qka ka në të.

7 Aj i mbledh ujnat e detit si me nji pendë,
edhe i shtin ujnat e mëdhaja në vende ku ruhen.

8 Krejt toka le t’ia ketë tutën Jehovës.
Krejt banorët e tokës pjellore le ta kenë respekt të madh për të.

9 Se aj veç foli, edhe u bo.
Aj dha urdhën, edhe krejt u vendos në ven.

10 Jehova ua ka prishë planet e mshefta kombeve.
Ua ka prishë edhe planet popujve.

11 Po vendimet e Jehovës mbesin përgjithmonë.
Mendimet e zemrës së tij mbesin pi nji brezi në tjetrin.

12 Lum aj komb që e ka Jehovën për Zot, aj
popull që Jehova e ka zgjedhë me kon i tiji.

13 Jehova kqyr poshtë pi qiellit
edhe i sheh krejt njerzt.

14 Pi vendit ku banon, aj i
kqyr krejt banorët e tokës.

15 Aj ua ka formu zemrat krejtve.
Aj e kqyr krejt qka bojnë ata.

16 Asnji mbret s'munet me u shpëtu veç pse e ka nji ushtri të madhe.
As nji burrë i fortë s'munet me e shpëtu veten veç me fuqinë e tij të madhe.

17 Kali ta jep nji shpresë të rrejshme për shpëtim, se as
fuqia e tij e madhe s'munet me ta siguru shpëtimin.

18 Po Jehova i kqyr me kujdes ata që ia kanë
tutën, ata që po e presin dashninë e tij besnike,

19 për me i shpëtu pi dekës edhe me
i majtë gjallë kur ka zi buke.

20 Na po e presim Jehovën me durim.
Aj asht ndihmësi jonë edhe mburoja jonë.

21 Për të po na gëzohet zemra, se na
i besojmë emnit të tij të shenjtë.

22 O Jehova, dashnia jote besnike le të jetë mbi
neve, derisa na po vazhdojmë me të pritë.