Kangë t'shejta 45
1 Diçka e mirë ma ka prekë fort zemrën.
Unë po thom:
«Kanga jem flet për nji mbret.» Gjuha jem le t'jetë si pena e nji shkruesi t'zotë.
2 Ti je ma i bukuri ndër bijtë e njerëzve.
Pi buzëve tua dalin fjalë t'kandshme.
Prandaj Zoti t'ka beku përgjithmonë.
3 Lidhe shpatën për beli, o ti i
fuqishëm, me krejt nderin edhe madhështinë tane.
4 Edhe me madhështinë tane nisu drejt fitores. Kalëro për
t'vërtetën, përulësinë edhe drejtësinë, edhe dora jote e djathtë
ka me bo punë që ngjallin frikë e respekt.
5 Shigjetat e tua jonë t'mprehta edhe i rrëzojnë popujt para teje.
Ato ua shpojnë zemrat armiqve t'mbretit.
6 Zoti asht froni yt përgjithmonë e mot.
Shkopi i mbretnisë tane asht shkop i drejtësisë.
7 Ti e ke dashtë drejtësinë edhe e ke urrejt t'keqen.
Prandaj Zoti, Zoti yt, t'ka vajosë me vajin e gëzimit, ma shumë se shokët e tu.
8 Krejt rrobat e tua kanë erë t'mirë mirre, druni aloe edhe kasie.
Pi pallatit madhështor t'ndërtum me fildish, tingujt e instrumenteve me tela po t'gëzojnë.
9 Bijat e mbretërve jonë n'mes t'zonjave që t'shoqnojnë me nder.
Gruaja e mbretit asht vendosë n'anën tane t'djathtë, e stolisun me ar pi Ofirit.
10 Ngom, oj bijë, ki kujdes edhe vnoje veshin.
Harroje popullin tand edhe shpinë e babës tand.
11 Mbreti ka me e dëshiru
bukurinë tane, se aj asht zotnia
yt. Prandaj përkulu para tij.
12 Bija e Tirit ka me ardh me nji dhuratë.
Burrat ma t'pasun kanë me u mundu me e fitu mirësinë tane.
13 Bija e mbretit n'pallat asht plot madhështi.
Rrobat e saja jonë t'zbukurume me ar.
14 Me rroba t'enduna me mjeshtri kanë me e çu te mbreti.
Vajzat e reja që jonë virgjëresha edhe që e shoqnojnë, kanë me i pru para teje.
15 Kanë me i pru mrena me brohoritje edhe gëzim.
Kanë me hy n'pallatin e mbretit.
16 Djemtë e tu kanë me e zanë vendin e t'parëve tu.
N'krejt tokën ti ke me i caktu si princa.
17 Kom me bo që emni yt me u njoft ndër krejt brezat që kanë me ardh.
Prandaj popujt kanë me t'lavdu përgjithmonë e mot.