Kangë t'shejta 95
1 Hajdeni, t'i brohorasim Jehovës me gëzim!
Le t'i thërrasim me gëzim Shkëmbit tonë që na shpëton.
2 Hajdeni para tij me falënderime, le t'i
këndojmë edhe t'i brohorasim me gëzim.
3 Se Jehova asht nji Zot i madh, nji
Mbret i madh përmbi krejt zotat tjerë.
4 Në dorën e tij jonë thellësitë e tokës.
Majat e maleve i takojnë atij.
5 I tij asht deti, se aj e ka ba, edhe
duart e tij e kanë formu tokën e thatë.
6 Hajdeni ta adhurojmë Zotin edhe të përkulemi para tij.
Le të biem në gujë para Jehovës, që na ka kriju.
7 Se aj asht Zoti jonë, edhe na
jemi populli i kullotës së tij,
delet për të cilat aj kujdeset. Sot,
nëse e ngoni zanin e tij,
8 mos e boni zemrën kryefortë si në Meriba,
si atë ditë në Massa, në shkretinë,
9 kur të parët e juve më kanë shti në provë.
Ata më kanë sfidu, edhe pse i kishin pa veprat e mia.
10 Për 40 vjet më ka ardhë neveri pi atij brezi edhe kom thanë:
„Ata jonë nji popull që me zemër vazhdimisht largohen pi rrugës së drejtë.
Rrugët e mia nuk i kanë njoft.“
11 Për qata, në zemrimin tem kom bo be:
„Ata s'kanë me hy në pushimin tem.“