Kangët e vajimit 3
1 Unë jom njeriu që kom pa shumë mjerim për shkak të shkopit të zemrimit të tij.
2 Aj më ka përzanë edhe më ka bo me ec në terr, e jo në dritë.
3 Po, aj e ka kthy dorën kundër meje pa nalë, tanë ditën. ב (Bet)
4 Aj ma ka lodh e ma ka prish mishin edhe lëkurën, edhe m'i ka thy eshnat.
5 Aj më ka rrethu pi krejt anët, më ka mbulu me helm të idhët edhe me vështirësi.
6 Më ka detyru me nejt në terr, si ata që kanë dekë moti. ג (Gimel)
7 Aj më ka mbyll si me mure, që mos me mujt me ik. Më ka lidh me zingjirë të randë bakri.
8 Edhe kur po bërtas i dëshpërum për ndihmë, aj s'po ma pranon lutjen.
9 Aj m'i ka blloku shtigjet me gurë të latum. M'i ka bo rrugët krejt të shtremta. ד (Dalet)
10 Aj po më pret në pritë si ariu, si luani në vendin ku rrin i mshefun.
11 Më ka largu pi rrugët edhe më ka shqy copë-copë. Më ka lonë krejt të vetmum.
12 Aj e ka ngreh harkun edhe më ka vu si shënjestër për shigjetën. ה (He)
13 M'i ka shpu veshkat me shigjetat e kukurës së vet.
14 Jom bo për hajgare te krejt popujt. Tanë ditën këndojnë kangë për me u tall me mu.
15 Aj më ka ngop me sene të idhta edhe më ka dhanë me pi pelin. ו (Waw)
16 Aj po m'i then dhambët me gurë të vegjël. Po më bon me u struk prej frikës në hi.
17 Ti ma ke marrë qetësinë. E kom harru qka asht e mira.
18 Për qata po thom: „M'ka hup krejt shkëlqimi jem, edhe shpresat që i kom pasë te Jehova.“ ז (Zajin)
19 Të lutna, kujtoje mjerimin tem edhe që kom mbet pa vend temin, kujtoje pelinin edhe helmin e idhët.
20 Ti pa tjetër ke me i kujtu këto edhe ke me u përkul thellë kah unë.
21 Qita po e kujtoj në zemër, e për qata kom me prit me durim. ח (Chet)
22 Falë dashnisë besnike të Jehovës, na s'jemi shkatërru krejt, se dhimta e tij për neve s'mbaron kurrë.
23 Ato jonë të reja çdo mëngjes. Besniknia jote asht tepër e madhe.
24 „Jehova asht pjesa jem“, kom thanë unë, „për qata kom me prit me durim në të.“ ט (Tet)
25 Jehova asht i mirë me atë që shpreson në të, me atë që e kërkon pa nalë.
26 Asht mirë me prit në qetësi e me durim shpëtimin pi Jehova.
27 Asht mirë për nji burrë me e majt zgjedhën qysh në rini. י (Jod)
28 Le të ulet vetëm edhe le të rrin pa fol, kur Zoti ia ka ngarku këtë barrë.
29 Le ta ngjesh gojën në pluhun, se nashta ka hala shpresë.
30 Le t'ia kthej faqen atij që e godet. Le t'i duroj krejt fyerjet. כ (Kaf)
31 Se Jehova s'ka me na hedh poshtë përgjithmonë.
32 Edhe pse aj ka shkaktu pikëllim, prap ka me pasë dhimt për neve, se dashnia e tij besnike asht shumë e madhe.
33 Se aj s'e ka për zemër me u shkaktu mjerim njerëzve, as me i bo me u mërzit. ל (Lamed)
34 Me i shkel me kambë krejt të burgosunit e tokës,
35 me ia mohu nji njeriu të drejtën e vet para syve të Ma të Naltit,
36 me e mashtru nji njeri në çashtjen e tij gjyqësore, krejt këto Jehova s'i duron. מ (Mem)
37 Kush munet me thanë diçka e me bo që ajo me ndodhë, nëse Jehova s'e ka urdhnu?
38 Pi goja e Ma të Naltit s'dalin në të njejtën kohë edhe të këqijat edhe të mirat.
39 Pse me u anku nji njeri që asht gjallë për pasojat e gjynahit të vet? נ (Nun)
40 Hajde t'i kqyrim mirë rrugët tona, t'i shqyrtojmë edhe të kthehemi te Jehova.
41 Hajde t'i ngrejmë zemrat tona, bashkë me durt tona, kah Zoti në qiell:
42 „Na kemi bo gjynahe edhe jemi çu kundër teje, e ti s'na ke falë. ס (Samech)
43 Ti na e ke mbyll rrugën me zemrimin tand. Na ke ndjek edhe na ke vra pa pasë dhimt për neve.
44 Ti e ke mbyll rrugën deri te ti me nji re, që lutja jonë mos me mujt me kalu.
45 Ti na ke bo si bërllok e si mbeturina mes popujve.“ פ (Pe)
46 Krejt armiqtë tonë e kanë çel gojën edhe po folin kundër neve.
47 Frika edhe gropat kurth na kanë ra për hise, bashkë me shkretimin edhe shkatërrimin.
48 Pi sytë e mi po rrjedhin lot si lumë, për shkak të shkatërrimit të çikës teme, popullit tem. ע (Ajin)
49 Lotët po më rrjedhin pi sytë pa nalë, pa pushu hiç,
50 derisa Jehova me kqyr pi qielli edhe me pa.
51 Sytë e mi më kanë sjell mjerim për shkak të krejt çikave të qytetit tem. צ (Zade)
52 Armiqtë e mi më kanë ndjek si nji zog, pa pasë kurrfarë arsye.
53 Ata ma kanë shujt jetën në gropë. Pa nalë më kanë gjujt me gurë.
54 Uji më ka kalu përmi kry, edhe unë kom thanë: „Mbarova!“ ק (Kof)
55 O Jehova, unë e kom thirr emnin tand pi thellësia e gropës.
56 Ngoma zanin. Mos i mshel veshët kur po të thirri për ndihmë edhe kur po të lutna me ma lehtësu hallin.
57 Ti m'u ke afru atë ditë kur të kom thirr. M'ke thanë: „Mos u tut.“ ר (Resch)
58 Ti e ke mbrojt çashtjen teme, Jehova, ti ma ke shpëtu jetën.
59 Ti e ke pa padrejtësinë që ma kanë bo, Jehova. Të lutna, ma jep të drejtën.
60 Ti e ke pa qysh kanë dasht me u hakmarrë kundër meje, edhe krejt planet e tyne të mshefta kundër meje. ש (Sin ose Shin)
61 Ti i ke ni talljet e tyne, Jehova, edhe krejt planet e tyne të mshefta kundër meje,
62 qka po del pi goja e atyne që më kundërshtojnë, edhe qysh po pëshpëritin për mu tanë ditën.
63 Kqyri ata! Qoftë kur jonë ulë, qoftë kur jonë në kambë, po tallen me mu në kangët e tyne! ת (Taw)
64 O Jehova, ti ke me ua kthy atyne qysh e meritojnë për krejt punët që i kanë bo.
65 Ti ke me ua bo zemrën të fortë e të pandjeshme. Ky ka me konë mallkimi yt për ta.
66 Ti ke me i ndjek me zemrimin tand edhe ke me i zhduk pi poshtë qiellit të Jehovës.