Kanga ma e bukur 1
1 Kanga e kangëve, e Solomonit:
2 «Ah, sikur aj me m'puth me puthjet e gojës së vet!
Se mënyra qysh ma kallxon ti dashnin asht ma e mirë se vena.
3 Era e vajrave tu asht shumë e mirë.
Emni yt asht si vaj me erë të mirë që derdhet.
Për qata vajzat e reja të dojnë.
4 Merrem me veti, hajde të vrapojmë!
Mbreti më ka çu në dhomat e veta të mbrendshme!
Hajde, të gëzohemi e të brohorasim për ty.
Le t'i përmendim me qef shenjat e dashnisë tane, ma shumë se venën.
Po, me të drejtë ato të dojnë.
5 Jom e zeshkët, po e bukur, o çikat e Jerusalemit,
si çadrat e Kedarit, si pëlhurat e çadrave të Solomonit.
6 Mos më kqyrni ashtu pse jom e
zeshkët, se dilli më ka nxirë.
Djemt e nanës teme jon hidhru me
mu. M'kanë shti me i rujt
vneshtat, po vneshtin tem s'e kom rujt.
7 Kallxom, ti që të du kaq shumë:
Ku e kullot kopenë tane? Ku e
len me pushu në mesditë? Pse me u
konë unë si nji grue me ftyrë
të mbulume te kopetë e shokëve tu?»
8 «Nëse s'e din, oj ma e bukura ndër
gra, atëher shko mas gjurmëve të kopesë edhe
kulloti kecat e tu afër çadrave të barinjve.»
9 «Të krahasoj me nji pelë te qerret
e Faraonit, oj e dashuna jem.
10 Sa të bukura i ke faqet, me stoli rreth
e rrotull, edhe qafën e zbukurume me vargje perlash.
11 Na kemi me t'i bo stoli
prej ari, të zbukurume me argjend.»
12 «Derisa mbreti asht ulë te sofra e tij e
rrumbullakët, parfumi jem po lshon erë të mirë.
13 I dashuni jem asht për mu si nji qeskë plot
me mirrë, që e kalon natën mes gjinjve të mi.
14 I dashuni jem asht për mu si nji
tufë lulesh të kënës në vneshtat e En-Gedit.»
15 «Sa e bukur je, oj e dashuna jem! Sa e
bukur je! Sytë e tu jon si sytë e pëllumbave.»
16 «Sa i bukur je, i dashuni jem, edhe sa i dashtun!
Shtrati jonë asht në mes të gjelbërimit.
17 Trarët e shpisë tonë jon prej drunit të kedrit,
e trarët e kulmit jon prej drunit të dëllinjës.