Kanga ma e bukur 2
1 „Unë jom veç nji lule shafrani e
fushës bregdetare, nji zambak i luginave.“
2 „Qysh asht nji zambak mes ferrave, qashtu
asht e dashuna jem mes vajzave.“
3 „Qysh asht nji dru molle mes drujve të pyllit, qashtu
asht i dashuni jem mes djemve. Me shumë mall
po du me u ulë nën hijen e tij, e
fryti i tij asht i ambël për gojën teme.
4 Aj më ka çu në sallën e gostisë, edhe dashnia
e tij u konë mbi mu si nji flamur.
5 Më jepni fuqi me kulaçë me rrush të thatë,
më forconi me molla, se jom smut pi dashnisë.
6 Dora e tij e majtë asht nën kry tem,
e me dorën e djathtë po më përqafon.
7 Ju vnoj në be, o vajza të Jerusalemit, për gazelat
edhe kaprojt e fushës: Mos provoni me e zgju a me
e ngacmu dashninë mrena meje, derisa ajo vetë s’asht gati.
8 Qe!
I dashuni jem, po e ni!
Kqyre!
Qe ku po vjen, po hyp maleve, po kërcen përmi kodra.
9 I dashuni jem asht si nji gazelë,
si nji kaproll i ri. Qe ku
asht, po rrin mbrapa murit tonë, po
kqyr nëpër dritare, po vështron nëpër grila.
10 I dashuni jem po folë, po
më thotë: ‘Çohu, e dashuna jem,
eja me mu, e bukura jem.
11 Kqyre, dimni ka kalu, shirat e
fortë kanë kalu e kanë shku.
12 Lulet kanë dalë nëpër fusha, ka ardh
koha me i krasit degët, edhe kënga
e turtullit po nihet në venin tonë.
13 Në drunin e fikut po piqen fiqtë e
hershëm, hardhitë kanë çelë lule edhe po lshojnë
erë të mirë. Çohu, e dashuna jem,
edhe hajde. Eja me mu, e bukura jem.
14 Pëllumbesha jem, që rrin në skutat e shkëmbit, në vendet
e mshefta të shkëmbinjve të thepisun, lëm me të
pa edhe me ta ni zanin, se zani yt asht
i kandshëm edhe pamja jote asht shumë e bukur.‘“
15 „Kapni për neve dhelprat, dhelprat e
vogla që i prishin vneshtat,
se vneshtat tona jonë plot lule.“
16 „I dashuni jem asht i imi, e unë jom e tij.
Aj i kullot delet mes zambakëve.
17 Para se me fry era e lehtë e ditës edhe
hijet me ikë, kthehu shpejt, i dashuni jem, si nji
gazelë a nji kaproll i ri në malet e ndarjes.