Kolosianëve 2
1 Sepse du që ta dini sa shumë po luftoj për ju, për ata në Laodice edhe për krejt ata që nuk më kanë pa personalisht. 2 Kështu zemrat e tyne kanë me u ngushëllu, edhe ata kanë me qenë të lidhun bashkë në harmoni me dashni, e me pasë krejt pasuninë që vjen pi siguria e plotë e kuptimit të tyne, për me marrë njohuri të saktë për sekretin e shenjtë të Zotit, domethanë Krishtin. 3 Në të janë të mshehuna me kujdes krejt thesaret e mençurisë edhe të njohurisë. 4 Po jua thom këtë që mos me ju mashtru kërkush me argumente që tingëllojnë bindëse. 5 Sepse edhe pse me trup nuk jom aty, me frymë jom me ju edhe po gëzohem kur po shoh sa me rregull po shkoni edhe sa i fortë asht besimi juej në Krishtin.
6 Prandaj, qysh e keni pranu Krishtin Jezus, Zotninë, vazhdoni me jetu të lidhun me të. 7 Jini të rrënjosun në të, të ndërtum mbi të edhe të forcuem në besim, qysh jeni mësu, edhe mbushuni plot falënderim.
8 Kini kujdes mos t’ju marrë kërkush rob përmes filozofisë edhe ideve boshe mashtruese, që bazohen në traditat e njerzve edhe në senet themelore të botës, e jo në Krishtin. 9 Sepse në të banon në trup krejt plotësia e natyrës hyjnore. 10 Kështu përmes tij, që asht kreu i çdo qeverie edhe autoriteti, ju keni marrë plotësi. 11 Përmes lidhjes suej me të, edhe ju jeni rrethpre. Po kjo rrethprerje nuk u bo me duer, por përmes zhveshjes së trupit gjynahqar, përmes rrethprerjes që i takon Krishtit. 12 Sepse u varrosët bashkë me të në pagëzimin e tij, edhe përmes lidhjes suej me të u ringjallët bashkë me të përmes besimit tuej në veprimin e fuqishëm të Zotit, që e ringjalli atë pi të dekuneve.
13 Përveç kësaj, Zoti ju ka ngjallë bashkë me të, edhe pse ishit të vdekun në gabimet tueja edhe në gjendjen tuej të parrethpremë. Aj na i ka falë me mirësi krejt gabimet tona 14 edhe e ka bo të pavlefshme dokumentin e shkruem me dorë, që përbahej pi rregulla edhe ishte kundër neve. Aj e ka hjekë pi udha, tu e gozhdu në shtyllën e mundimeve. 15 Aj i ka zhveshë qeveritë edhe autoritetet, i ka qitë haptas si të mposhtun edhe i ka marrë me veti në marshin e fitores përmes tij.
16 Prandaj mos lejoni me ju gjyku kërkush për shkak të ushqimit e pijes, a për shkak të naj feste, a për mbajtjen e hanës së re a të sabatit. 17 Krejt këto janë hije e seneve që kanë me ardhë, po realiteti i takon Krishtit. 18 Mos lejoni me ju marrë kërkush çmimin e fitores, dikush që ka qef përulësinë e rreme edhe nji lloj adhurimi të melaqeve, tu „hy në“ senet që i ka pa. Në të vërtetë, aj asht fry pa arsye të vërtetë pi mendja e vet gjynahqare, 19 edhe nuk po mbahet te kreu, te aj përmes të cilit krejt trupi furnizohet, mbahet bashkë në harmoni përmes nyjeve edhe lidhjeve, edhe rritet me rritjen që e jep Zoti.
20 Nëse keni vdekë bashkë me Krishtin për sa i përket seneve themelore të botës, pse po jetoni sikur hala jeni pjesë e botës? Pse po ju nënshtroheni hala rregullave: 21 „Mos e kap, mos e provo, mos e prek“? 22 Ato kanë të bajnë me sene që zhduken krejt kur përdoren, edhe kështu po ndiqni urdhna e mësime të njerzve. 23 Krejt këto duken si mençuri në nji mënyrë adhurimi që njeriu ja ngarkon vetes, me përulësi të rreme edhe trajtim të rreptë të trupit, po s’kanë kurrfarë vlere në luftën kundër dëshirave të trupit gjynahqar.