Kolosianëve 3
1 Nëse pra jeni ringjallë bashkë me Krishtin, vazhdoni me kërku ato që janë nalt, ku Krishti rrin ulë në anën e djathtë të Zotit. 2 Vazhdoni me i drejtu mendimet tueja kah ato që janë nalt, jo kah ato që janë në tokë. 3 Sepse ju keni vdekë, edhe jeta juej asht e mshefun bashkë me Krishtin, që asht i lidhun me Zotin. 4 Kur Krishti, jeta jonë, të zbulohet, atëherë edhe ju keni me u zbulu bashkë me të në lavdi.
5 Prandaj mbytni pjesët e trupit tuej që janë në tokë, për sa i përket imoralitetit seksual, papastërtisë, pasionit seksual pa fre, dëshirave të damshme edhe lakmisë, që asht idhujtari. 6 Për shkak të këtyne seneve po vjen zemërimi i Zotit. 7 Qashtu jeni sjellë edhe ju dikur, kur kjo ishte mënyra juej e jetës. 8 Po tash duhet me i hjekë krejt këto: zemërimin, mllefin, ligësinë, sharjen edhe fjalët e ndyta që dalin pi goja juej. 9 Mos e rreni njani-tjetrin. Zhvishni personalitetin e vjetër bashkë me veprat e tij, 10 edhe veshuni me personalitetin e ri, që përtërihet përmes njohurisë së saktë simas pamjes së Atij që e ka kriju. 11 Këtu s’ka rëndësi a asht dikush Grek a Jude, i rrethpremë a i parrethpremë, i huj, Skit, rob a njeri i lirë, po Krishti asht gjithçka edhe në krejt.
12 Pra, si të zgjedhun të Zotit, të shenjtë edhe të dashtun, veshuni me dhimt të thellë, mirësi, përulësi, butësi edhe durim. 13 Vazhdoni me e duru njani-tjetrin edhe faljani njani-tjetrit me zemërgjerësi, edhe nëse dikush ka arsye me u anku kundër dikujt tjetër. Qysh Jehovaj ju ka falë me zemërgjerësi, qashtu boni edhe ju. 14 Po përveç krejt këtyne, veshuni me dashni, sepse ajo asht lidhja e përsosun e bashkimit.
15 Paqja e Krishtit le të sundojë në zemrat tueja, sepse për këtë paqe jeni thirrë në nji trup të vetëm. Edhe tregoni që jeni falënderues. 16 Lejoni që fjalët e Krishtit të banojnë në ju me bollëk, me krejt mençurinë. Vazhdoni me e mësu edhe me e inkuraju njani-tjetrin me psalme, kangë lavdie për Zotin edhe kangë të mbushuna me frymë, që i këndoni me falënderim. Këndoni për Jehovajn në zemrat tueja. 17 Çkado që thoni a boni, boni gjithçka në emën të Zotnisë Jezus, edhe falënderojeni Zotin, Atin, përmes tij.
18 Ju gra, nënshtrojuni burrave tuej, qysh asht e përshtatshme në Zotninë. 19 Ju burra, vazhdoni me i dashtë gratë tueja, edhe mos u zemëroni me to. 20 Ju fmi, ngoni prindërit tuej në gjithçka, sepse kjo e gëzon Zotninë. 21 Ju etën, mos i acaroni fmitë tuej, që mos me ju ra zemra. 22 Ju robër, bindjuni zotnive tuej tokësorë në gjithçka, jo veç kur ju kqyrin, pra për me ju pëlqy njerzve, po me zemër të sinqertë edhe me respekt të thellë për Jehovajn. 23 Çkado që boni, punoni me krejt shpirt, sikur për Jehovajn e jo për njerzt, 24 sepse e dini që pi Jehovaj keni me marrë trashëgiminë si shpërblim. Shërbeni si robër për Zotninë, Krishtin. 25 Kush bon padrejtësi, patjetër ka me e marrë prapë atë që e meriton për padrejtësinë e vet. Aty s’ka mbajtje ane.