Letra e dytë e Mbreterve 12
1 Joasi u bo mbret në vitin e shtatë të Jehut. Aj ka sundu 40 vjet në Jerusalem. Nana e tij e ka pasë emrin Zibja edhe u konë pi Beersheba.
2 Përderisa prifti Jehojada e ka këshillu, Joasi ka bo qka u konë e drejtë në sytë e Jehovait.
3 Po vendet e nalta të adhurimit s'i kanë hjekë. Populli ka vazhdu me bo kurbane aty edhe me çu tym pi kurbaneve.
4 Joasi u ka thanë priftërinjve: “Merrni krejt paret që bihen në shpinë e Jehovait për kurbanet e shenjta, paret që jonë caktu si taksë për secilin, paret që jepen sipas vlerës që i caktohet dikujt edhe krejt paret që secili i bjen në shpinë e Jehovait me dëshirë pi zemrës së vet.
5 Priftërinjtë le t’i marrin vetë këto pare pi atyne që i japin edhe le t’i përdorin për me i ndreqë dëmet kudo që ka diçka t’prishun në shpi.”
6 Po deri në vitin e 23-të të mbretit Joas, priftërinjtë hala s’i kishin ndreqë dëmet në shpi.
7 Prandaj mbreti Joas e ka thirrë priftin Jehojada edhe priftërinjtë tjerë edhe i ka vetë: “Pse s’po i ndreqni dëmet në shpi? Pi tash mos merrni ma pare pi atyne që i japin, përveç nëse ato pare përdoren për me e ndreqë shpinë.”
8 Priftërinjtë kanë pranu mos me marrë ma pare pi populli edhe mos me e pasë ma përgjegjësinë për ndreqjen e shpisë.
9 Pastaj prifti Jehojada e ka marrë nji arkë, ia ka çelë nji vrimë në kapak edhe e ka vnu afër altarit, në anën e djathtë të hyrjes së shpisë së Jehovait. Priftërinjtë që shërbejshin si roje te dera i shtijshin aty krejt paret që biheshin në shpinë e Jehovait.
10 Kur e shihshin që në arkë jonë mbledhë shumë pare, ka ardhë sekretari i mbretit bashkë me kryepriftin me i mbledhë edhe me i numru paret që jonë pru në shpinë e Jehovait.
11 Paret e numrume ua kanë dorëzu atyne që i mbikëqyrshin punimet në shpinë e Jehovait. Ata pastaj i kanë përdorë ato pare për me i pagu mjeshtrit e drunit edhe ndërtuesit që punojshin në shpinë e Jehovait,
12 si edhe muratorët edhe ata që i gdhendshin gurët. Me ato pare kanë ble edhe dru e gurë t’gdhendun për me i ndreqë dëmet në shpinë e Jehovait, edhe i kanë pagu krejt shpenzimet tjera për ndreqjen e shpisë.
13 Po asnji pi pareve që jonë pru në shpinë e Jehovait s’asht përdorë për me bo pjata t’argjendta, gërshërë për fitila, tasa, trumbeta a naj send tjetër pi ari ose argjendi për shpinë e Jehovait.
14 Paret ua kanë dhanë veç atyne që i mbikëqyrshin punimet, edhe ata i kanë përdorë për me e ndreqë shpinë e Jehovait.
15 Burrat që i merrshin paret për me i pagu punëtorët s’kishin nevojë me dhanë llogari për to, se u konë njerëz t’besueshëm.
16 Po paret e kurbaneve për faj edhe për mëkat s’janë pru në shpinë e Jehovait, se ato u takojshin priftërinjve.
17 Në atë kohë, Hazaeli, mbreti i Sirisë, ka shku me luftu kundër Gathit edhe e ka pushtu. Masanej ka pasë ndërmend me e sulmu Jerusalemin.
18 Atëherë Joasi, mbreti i Judës, i ka marrë krejt dhuratat e shenjta që ia kishin kushtu Jehovait aj vetë edhe t’parët e tij, Josafati, Jorami edhe Ahazja, mbretat e Judës. E ka marrë edhe krejt arin pi thesaret e shpisë së Jehovait edhe pi pallati i mbretit, edhe ia ka çu Hazaelit, mbretit të Sirisë. Mas kësaj, Hazaeli u largu pi Jerusalemi.
19 Krejt tjerat për historinë e Joasit edhe krejt qka ka bo aj, jonë t’shkrume në librin e kronikave t’mbretave t’Judës.
20 Në fund, zyrtarët e pallatit të tij kanë bo komplot kundër tij edhe e kanë vra Joasin në shpinë te ledhi, në rrugën që zbret poshtë për Silla.
21 Ata që e kanë vra jonë konë zyrtarët e tij, Josakari, djali i Shimeathit, edhe Jehozabadi, djali i Shomerit. E kanë varrosë te t’parët e tij në qytetin e Davidit, edhe mas tij mbret u bo djali i tij, Amazja.