Letra e dytë e Mbreterve 18

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Në vitin e tretë të Hosheas, djalit të Elës, mbretit t’Izraelit, Hiskia, djali i mbretit Ahaz t’Judës, u bo mbret.

2 Aj i ka pasë 25 vjet kur u bo mbret edhe ka sundu 29 vjet në Jerusalem. Nana e tij e ka pasë emrin Abi edhe u konë çika e Zakarjës.

3 Aj ka bo qka u konë e drejtë në sytë e Jehovait, qysh ka bo edhe i pari i tij, Davidi.

4 Hiskia i ka hjekë vendet e nalta të adhurimit, i ka thy shtyllat e shenjta edhe e ka rrëzu shtyllën e shenjtë të drunit. E ka thy edhe gjarpnin e bakrit që e kishte bo Moisiu. Se deri në atë kohë, populli i Izraelit kishte çu tym pi kurbaneve para atij gjarpni, edhe e thirrshin idhulli i gjarpnit t’bakrit.

5 Hiskia ka pasë besim te Jehova, Zoti i Izraelit. Asnji pi mbretave t’Judës, as ata para tij e as ata mas tij, s’u konë si aj.

6 Aj ka nejt gjithmonë afër Jehovait. S’u largu pi tij, po i ka mbajtë urdhnat që Jehova ia kishte dhanë Moisiut.

7 Edhe Jehova u konë me të. Çkado që ka ndërmarrë, ka vepru me mençuri. Aj i ka dalë kundër mbretit të Asirisë edhe s’i ka shërby ma.

8 E ka pushtu edhe territorin e filistinëve deri në Gaza edhe rrethinën e saj, pi kullat e rojeve deri te qytetet e fortifikume.

9 Në vitin e katërt të mbretit Hiskia, domethanë në vitin e shtatë të Hosheas, djalit të Elës, mbretit t’Izraelit, Shalmaneseri, mbreti i Asirisë, ka shku me ushtri kundër Samarisë edhe e ka rrethu.

10 Mas tri vjetëve, Samarinë e kanë pushtu. Kjo ka ndodhë në vitin e gjashtë të Hiskisë, domethanë në vitin e nëntë të Hosheas, mbretit t’Izraelit.

11 Mbreti i Asirisë i ka marrë izraelitët me zor edhe i ka çu në Asiri. I ka vendosë në Halah, në Habor te lumi Gozan, si edhe në qytetet e medëve.

12 Kjo ka ndodhë se ata s’ia kanë ni fjalën Jehovait, Zotit të tyne. S’e kanë mbajtë besëlidhjen e tij, asnji pi urdhnave që Moisiu, shërbëtori i Jehovait, ua kishte dhanë. S’kanë dashtë me ni edhe s’janë bindë.

13 Në vitin e 14-të të mbretit Hiskia, Sanheribi, mbreti i Asirisë, ka ardhë me ushtri kundër krejt qyteteve të fortifikume të Judës edhe i ka pushtu.

14 Atëherë Hiskia, mbreti i Judës, i ka çu fjalë mbretit të Asirisë në Lakish: “Unë kom gabu. Largohu pi këtu edhe unë kom me ta dhanë krejt qka ma kërkon.” Mbreti i Asirisë i ka kërku Hiskisë, mbretit t’Judës, 300 talenta argjendi edhe 30 talenta ari.

15 Atëherë Hiskia ia ka dhanë krejt argjendin që u konë në shpinë e Jehovait edhe në dhomat e thesareve të pallatit të mbretit.

16 Në atë kohë, Hiskia i ka hjekë dyert edhe shtyllat anash dyerve të tempullit të Jehovait, që aj vetë i kishte veshë me ar, edhe ia ka dhanë mbretit të Asirisë.

17 Pastaj mbreti i Asirisë e ka çu Tartanin, Rabsarisin edhe Rabshakeun me nji ushtri shumë t’madhe pi Lakishi në Jerusalem, te mbreti Hiskia. Ata kanë ardhë në Jerusalem edhe jonë ndalë te kanali i ujit i pellgut të epërm, afër rrugës së madhe që shkon te fusha e larësve të rrobave.

18 Kur ata e kanë thirrë mbretin, Eljakimi, djali i Hilkisë, që kujdeseshke për pallatin, ka dalë te ta bashkë me Shebnën, sekretarin, edhe Joahun, djalin e Asafit, që i shkrujke ngjarjet.

19 Rabshakeu u ka thanë: “Ju lutna, thujini Hiskisë: ‘Mbreti i madh, mbreti i Asirisë, po t’thotë: “Në qka po mbështetesh ti?

20 Ti po thu: ‘Unë e kom nji plan edhe e kom fuqinë që m’duhet për luftë.’ Po këto jonë veç fjalë boshe. Te kush po ki besim që po guxon me u çu kundër meje?

21 Ti po mbështetesh veç te Egjipti, që asht si nji kallam i thyem. Kur dikush mbështetet në të, aj ia shpon pëllambën e dorës. Qashtu i ndodhë secilit që ka besim te faraoni, mbreti i Egjiptit.

22 Ndoshta po thuni: ‘Na kemi besim te Jehova, Zoti jonë.’ Po a s’asht Hiskia aj që i ka hjekë vendet e nalta të adhurimit edhe altarët e tij, edhe i ka thanë Judës edhe Jerusalemit: ‘Ju duhet me u përkulë para këtij altari këtu në Jerusalem’?”’

23 Tash hajde bone nji bast me zotninë tem, mbretin e Asirisë. Unë po t’i jap 2 000 kuaj, nëse ti munesh me gjetë mjaft kalorës për ta.

24 Qysh munesh ti me e detyru me u tërhjekë qoftë edhe guvernatorin ma t’parëndësishëm të zotnisë tem, edhe nëse mbështetesh te qerret e luftës edhe kalorësit e Egjiptit?

25 A thu kom ardhë unë kundër dëshirës së Jehovait me e shkatërru këtë vend? Vetë Jehova m’ka urdhnu: ‘Hyn me ushtri në këtë vend edhe shkatërroje.’”

26 Atëherë Eljakimi, djali i Hilkisë, Shebna edhe Joahu i kanë thanë Rabshakeut: “T’lutna, fol me neve, shërbëtorët e tu, në gjuhën aramaike, se na e kuptojmë atë gjuhë. Po mos fol në gjuhën e judenjve para njerëzve që jonë mbi mur.”

27 Rabshakeu u ka thanë: “A thu zotnia jem m’ka çu veç te ju edhe te zotnia juj me ua thanë këto fjalë? Kjo ka t’bojë edhe me burrat që jonë mbi mur, që bashkë me ju kanë me e hanger jashtëqitjen e vet edhe kanë me e pi urinën e vet.”

28 Pastaj Rabshakeu ka bërtitë me za t’naltë në gjuhën e judenjve: “Ngoni fjalët e mbretit të madh, mbretit të Asirisë!

29 Mbreti po ju thotë: ‘Mos e leni Hiskinë me ju mashtru. Aj s’mundet me ju shpëtu pi duart e mia.

30 Edhe mos e leni Hiskinë me ju shty me pasë besim te Jehova, edhe nëse ju thotë: “Jehova ka me na shpëtu pa tjetër. Ky qytet s’ka me ra në duart e mbretit të Asirisë.”

31 Mos ia ngoni fjalën Hiskisë, se mbreti i Asirisë po ju thotë: “Boni paqe me mu edhe dorëzohuni. Atëherë secili ka me hanger pi hardhia e vet e rrushit edhe pi fiku i vet, edhe ka me pi ujë pi cisterna e vet,

32 derisa t’vi unë edhe t’ju çoj në nji vend që asht si vendi juj, ku ka drithë e venë t’re, bukë e vreshta, ullinj edhe mjaltë. Atëherë keni me jetu e s’keni me vdekë. Mos ia ngoni fjalën Hiskisë. Aj veç po ju mashtron kur po thotë: ‘Jehova ka me na shpëtu.’

33 A ka mujtë naj zot i naj populli me e shpëtu vendin e vet pi duart e mbretit të Asirisë?

34 Ku jonë tash zotat e Hamathit edhe të Arpadit? Ku jonë zotat e Sefarvajimit, të Henës edhe të Iwës? A kanë mujtë ata me e shpëtu Samarinë pi duart e mia?

35 Asnji pi këtyne zotave s’ka mujtë me e shpëtu vendin e vet pi duart e mia. Atëherë qysh ka me mujtë Jehova me e shpëtu Jerusalemin?”’”

36 Po populli ka nejt në heshtje. Asnji s’ia ka kthy asnji fjalë, se mbreti u kishte urdhnu: “Mos i jepni kurrfarë përgjigjeje.”

37 Pastaj Eljakimi, djali i Hilkisë, që kujdeseshke për pallatin, Shebna, sekretari, edhe Joahu, djali i Asafit, që i shkrujke ngjarjet, kanë shku te Hiskia me rrobat e shqyme edhe ia kanë tregu krejt qka kishte thanë Rabshakeu.