Letra e dytë e Mbreterve 20
1 Në atë kohë Hiskia u smu shumë randë, sa u konë gati me dekë. Profeti Isaia, djali i Amozit, ka ardhë te aj edhe i ka thanë: «Kështu thotë Jehova: ‘Jepu udhëzime njerëzve të shpisë tande, se ti ke me dekë. S’ke me u shnoshë ma.’»
2 Atëherë Hiskia e ka kthy ftyrën kah muri edhe i asht lutë Jehovait:
3 «Ah Jehova, të lutna, kujtohu që kom ecë para teje me besnikëri e me krejt zemrën, edhe kom ba qka u konë mirë në sytë e tu.» Edhe Hiskia ka fillu me derdhë shumë lot.
4 Isaia hala s’ka mbërri te oborri i mesëm, kur i ka ardhë kjo porosi pi Jehovait:
5 «Kthehu edhe thuj Hiskias, udhëheqësit të popullit tem: ‘Kështu thotë Jehova, Zoti i Davidit, të parit tand: “Unë ta kom ni lutjen edhe t’i kom pa lotët. Tash kom me të shnoshë. Për tri ditë ke me hyp në shpinë e Jehovait.
6 Unë kom me ta zgjatë jetën edhe 15 vjet, edhe kom me të shpëtu ty edhe këtë qytet pi dorës së mbretit të Asirisë. Kom me e mbrojtë këtë qytet, për hatrin tem edhe për hatër të shërbëtorit tem David.”’»
7 Pastaj Isaia ka thanë: «Sillni fiq të thatë, të shtypun bashkë.» Ata i kanë pru edhe ia kanë vnu mbi çiban. Mbas kësaj, Hiskia ka fillu me u shnoshë pak nga pak.
8 Hiskia e ka pytë Isaian: «Qfarë shenje ka me pasë që me e ditë se Jehova ka me më shnoshë edhe që për tri ditë kom me hyp në shpinë e Jehovait?»
9 Isaia i ka thanë: «Këtë shenjë ta jep Jehova, që me ta dëshmu se ka me e mbajtë fjalën që e ka dhanë: A don që hija në shkallë me shku dhjetë shkallë përpara a dhjetë shkallë mbrapa?»
10 Hiskia i ka thanë: «Për hijen asht lehtë me shku dhjetë shkallë përpara, po jo me u kthy dhjetë shkallë mbrapa.»
11 Atëherë profeti Isaia i asht lutë Jehovait, edhe Jehova e ka kthy hijen dhjetë shkallë mbrapa, nëpër shkallët e Ahazit, ku hija veç u pat lëvizë poshtë.
12 Në atë kohë, Berodak-Baladani, djali i Baladanit, mbreti i Babilonisë, i ka çu Hiskias letra edhe nji dhuratë, se e ka ni që Hiskia u konë i smutë.
13 Hiskia i ka pritë lajmëtarët edhe ua ka tregu krejt shpinë ku i ka majtë thesaret: argjendin, arin, vajin e balsamit edhe vajrat tjerë të shtrenjtë, vendin ku i ka majtë armët edhe krejt qka ka pasë në dhomat e thesarit. S’ka mbetë kurgjo në pallatin e tij, as në krejt vendin që e ka sundu, pa ua tregu atyne.
14 Mbas kësaj, profeti Isaia ka ardhë te mbreti Hiskia edhe e ka pytë: «Qka kanë thanë këta burra edhe pi ka kanë ardhë?» Hiskia i ka thanë: «Kanë ardhë pi nji vendi të largët, pi Babilonisë.»
15 Isaia e ka pytë: «Qka kanë pa ata në pallatin tand?» Hiskia i ka thanë: «I kanë pa krejt qka kom në pallatin tem. S’ka mbetë kurgjo në dhomat e thesarit që s’ua kom tregu.»
16 Atëherë Isaia i ka thanë Hiskias: «Dëgjoji fjalët e Jehovait:
17 ‘Ka me ardhë koha kur krejt qka asht në pallatin tand edhe krejt qka kanë mbledhë të parët e tu ka me u çu në Babiloni. S’ka me mbetë kurgjo këtu.’ Kështu thotë Jehova.
18 ‘Edhe disa pi djemve që ki me i pasë kanë me i marrë, edhe ata kanë me u ba zyrtarë të oborrit në pallatin e mbretit të Babilonisë.’»
19 Atëherë Hiskia i ka thanë Isaias: «Porosia e Jehovait që ma ke pru asht e mirë.» Edhe ka shtu: «Asht mirë nëse ka paqe edhe siguri sa jom gjallë.»
20 Krejt tjerat për historinë e Hiskias, sa fuqi ka pasë, qysh e ka ndërtu pellgun e ujit edhe kanalin, edhe qysh e ka sjellë ujin në qytet, jonë të shkrume në librin e kronikave të mbretërve të Judës.
21 Në fund, Hiskia ka dekë, edhe mbas tij djali i tij Manase u ba mbret.