Letra e dytë e Samuelit 12

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Për qata Jehovai e ka çu Natanin te Davidi. Natani ka hy te aj edhe i ka thanë: “Në nji qytet jonë konë dy burra, njoni i pasun e tjetri i vorfën.

2 I pasuni ka pasë shumë dele edhe lopë,

3 po i vorfni e ka pasë veç nji qingj të vogël femën, që e ka ble vet. Aj e ka rritë edhe e ka kqyrë shumë mirë. Qingji asht rritë bashkë me të edhe me djemtë e tij. Ka hangër pi asaj pak ushqimi që e ka pasë aj, ka pi pi gotës së tij edhe ka flejtë në krahët e tij. Për të, qingji u bo si nji çikë.

4 Nji ditë, te i pasuni ka ardhë nji mysafir. Po aj s’ka dashtë me marrë asnji pi deleve a lopëve të veta për me ia përgatitë ushqimin udhëtarit. Në vend të kësaj, e ka marrë qingjin e të vorfnit edhe ia ka përgatitë mysafirit.”

5 Kur Davidi e ka ni këtë, asht nervozu shumë me atë burrë edhe i ka thanë Natanit: “Pasha Jehovain që asht gjallë, aj burrë që e ka bo këtë e meriton me vdekë!

6 Edhe duhet me ia pagu qingjin katërfish, se e ka bo këtë punë edhe s’ka pasë pikë dhimte.”

7 Atëherë Natani i ka thanë Davidit: “Ti je qaj burrë! Qeshtu thotë Jehovai, Zoti i Izraelit: ‘Unë vet të kom ly me vaj për me të bo mbret të Izraelit edhe të kom shpëtu pi dorës së Saulit.

8 Unë kom pasë dashtë me ta dhanë shpinë e zotnisë tand edhe me t’i dhanë gratë e zotnisë tand në krahët e tu. Ta kom dhanë edhe pushtetin mbi Izraelin edhe Judën. E sikur mos me t’mjaftu krejt kjo, kom pasë dashtë me bo edhe shumë ma shumë për ty.

9 Pse e ke përbuzë Jehovain edhe e ke bo nji sen që aj e ka ndalu? Ti e ke vra me shpatë Urinë, hititin! E ke vra me shpatën e amonitëve, e masanej ia ke marrë grunë për veti.

10 Për qata, shpata tash kurr s’ka me u largu pi shpisë tane, se ti e ke marrë grunë e Urinës, hititit, për grunë tane edhe me këtë më ke përbuzë mu.’

11 Qeshtu thotë Jehovai: ‘Unë kom me ta sjellë fatkeqësinë pi vet shpia jote. Para syve tu kom me t’i marrë gratë e tua edhe kom me ia dhanë nji burri tjetër. E aj ka me flejtë me to në pikë të ditës.

12 Ti e ke bo këtë punë msheftas, po unë kom me e bo këtë para krejt Izraelit, në pikë të ditës.’”

13 Atëherë Davidi i ka thanë Natanit: “Unë kom bo gjynah kundër Jehovait.” Natani ia ka kthy: “Jehovai ta ka falë gjynahin. Ti s’ki me vdekë.

14 Ama, për shkak që me këtë punë ke kallxu shumë mungesë respekti ndaj Jehovait, djali që sapo të ka lindë ka me vdekë pa tjetër.”

15 Mas kësaj, Natani ka shku në shpi.
Jehovai e ka goditë me smundje fëmijën që gruja e Urinës ia ka lindë Davidit.

16 Davidi i asht lutë shumë Zotit të vërtetë për djalin. Ka agjëru rreptë, ka hy mrena edhe krejt natën ka nejtë shtritë në tokë.

17 Pleqtë e shpisë së tij janë përkulë mbi të edhe kanë tentu me e çu pi toke, po aj s’ka pranu edhe s’ka hangër me ta.

18 Ditën e shtatë, fëmija ka vdekë. Po shërbëtorët e Davidit janë tutë me ia kallxu. Ata kanë thanë: “Kur fëmija u konë hala gjallë, na i kemi folë, po aj s’na ka ngu. Qysh me ia thanë tash që fëmija ka vdekë? Mos po bon naj sen të tmerrshëm!”

19 Kur Davidi i ka pa shërbëtorët tu pëshpëritë me njani-tjetrin, e ka kuptu që fëmija ka vdekë. Davidi i ka vetë: “A ka vdekë fëmija?” Ata i kanë thanë: “Po, ka vdekë.”

20 Atëherë Davidi u çu pi toke, u la, e ka ly veten me vaj edhe i ka ndrru teshat. Masanej ka shku te çadra e Jehovait edhe ka ra për tokë me e adhuru. Kur u kthy në pallatin e vet, ka kërku me ia pru ushqimin edhe ka hangër.

21 Shërbëtorët e kanë vetë: “Pse je sjellë qeshtu? Derisa fëmija u konë gjallë, ke agjëru edhe ke kajtë tanë kohën. E sapo ka vdekë fëmija, je çu edhe ke hangër.”

22 Aj u ka thanë: “Derisa fëmija u konë gjallë, kom agjëru edhe kom kajtë tanë kohën, se kom menu: ‘Kush e din? Ndoshta Jehovai ka me m’kallxu mirësi edhe ka me e lanë fëmijën gjallë.’

23 Po tash që ka vdekë, pse me agjëru? A muj unë me e kthy apet? Unë kom me shku te aj, po aj s’ka me u kthy te unë.”

24 Masanej Davidi e ka ngushëllu grunë e vet, Batsheban. Ka hy te ajo edhe ka flejtë me të. Ma vonë ajo e ka lindë nji djalë, edhe ia kanë lanë emnin Salomon. Jehovai e ka dashtë atë djalë,

25 edhe përmes profetit Natan ka çu fjalë që djalit me ia lanë emnin Jedidja, për hatër të Jehovait.

26 Joabi ka vazhdu me luftu kundër Rabbës së amonitëve edhe e ka pushtu qytetin e mbretit.

27 Masanej Joabi i ka çu lajmëtarë Davidit me i thanë: “Unë kom luftu kundër Rabbës edhe e kom pushtu qytetin e ujit.

28 Tash mblidhi ushtarët tjerë, rrethoje qytetin edhe pushtoje ti. Se përndryshe, nëse e pushtoj unë, krejt merita ka me m’taku mu.”

29 Atëherë Davidi i ka mbledhë krejt ushtarët, ka shku në Rabba, ka luftu kundër qytetit edhe e ka pushtu.

30 Masanej ia ka marrë kurorën Malkamit pi kryt, edhe kurorën ia kanë vnu Davidit në krye. Ajo u konë e punume pi nji talent ari edhe u konë e zbukurume me gurë të çmueshëm. Davidi ka marrë edhe shumë pasuni si plaçkë lufte pi qyteti.

31 Banorët e qytetit i ka marrë pi aty edhe i ka shti me punu, me sharru gurë, me përdorë vegla të mprehta hekuri edhe sakica hekuri, si edhe me bo tulla. Qeshtu ka vepru me krejt qytetet e amonitëve. Në fund, Davidi asht kthy në Jerusalem bashkë me krejt ushtrinë.