Letra e dytë e Samuelit 13
1 Absalomi, djali i Davidit, e ka pasë nji motër të bukur me emnin Tamar. E Amnoni, që edhe aj u konë djalë i Davidit, ka ra në dashni me të.
2 Amnoni u mërzit aq shumë për motrën e vet Tamar, sa u smu, se ajo u konë virgjëreshë edhe aj s’e shihke kurrfarë mundësie me iu afru.
3 Po Amnoni e ka pasë nji shok me emnin Jonadab, djalin e Shimeas, vllaut të Davidit. Jonadabi u konë nji burrë shumë dinak.
4 Aj e ka vetë Amnonin: “Pse je kaq i mërzitun çdo mëngjes, ti që je djalë i mbretit? A s’po ma kallxon?” Amnoni i ka thanë: “Jom dashuru në Tamarën, motrën e vllaut tem, Absalomit.”
5 Jonadabi e ka këshillu: “Shtriju në shtrat edhe shtiru si i smutë. E kur të vjen baba yt me të kqyrë, thuji: ‘Të lutna, leje motrën teme Tamar me ardhë e me më pru diçka me hangër. Nëse ajo ma përgatit ushqimin për të smutë para syve të mi edhe ma qet me hangër, unë kom me hangër.’”
6 Kshtu Amnoni u shtri edhe u shtir si i smutë. Mbreti ka ardhë me e kqyrë, e Amnoni i ka thanë: “Të lutna, leje motrën teme Tamar me ardhë edhe me i bo dy petulla në formë zemre para syve të mi. Le të m’i qet me hangër, e unë kom me i hangër.”
7 Atëherë Davidi ka çu dikon te Tamara në shpi edhe i ka thanë: “Të lutna, shko në shpinë e vllaut tand Amnonit edhe përgatitja diçka me hangër.”
8 Kshtu Tamara ka shku në shpinë e Amnonit, aty ku aj u konë i shtrimë. Ajo e ka marrë brumin, e ka ngjeshë, i ka bo petullat edhe i ka pjekë.
9 Masanej e ka marrë tiganin edhe ia ka qitë petullat përpara. Po Amnoni s’ka dashtë me hangër edhe ka urdhnu: “Le të dalin krejt jashtë!” Edhe krejt kanë dalë.
10 Masanej Amnoni i ka thanë Tamarës: “Bjerma ushqimin në dhomën e gjumit. Nëse ti vet ma jep me dorën tane, unë kom me hangër.” Kshtu Tamara i ka marrë petullat në formë zemre që i ka përgatitë edhe ia ka çu vllaut të vet Amnonit në dhomën e gjumit.
11 Kur ajo ia ka afru petullat me hangër, aj e ka kapë edhe i ka thanë: “Hajde, shtriju me mu, motra jem.”
12 Po ajo i ka thanë: “Jo, vllau jem! Mos më poshtno, se në Izrael nuk bohen këso senesh. Mos ma bo këtë marre!
13 Qysh kom me e hekë unë këtë marre pi vetes? E ti ki me u numru ndër burrat e paturpshëm në Izrael. Të lutna, fol me mbretin, se aj s’ka me të refuzu me më dhanë mu ty.”
14 Po Amnoni s’ka dashtë me e ngu. Aj u konë ma i fortë se ajo, e ka mposhtë edhe e ka dhunu. Kshtu e ka poshtnu.
15 Mas kësaj, Amnoni ka nisë me e urrejtë shumë keq. Urrejtja që e ka pasë për të u konë edhe ma e madhe se dashnia që e kish pasë ma herët. Amnoni i ka thanë: “Çohu edhe zhduku!”
16 Po ajo iu ka lutë: “Jo, vllau jem! Me më qitë tash jashtë asht edhe ma keq se qka më ke bo.” Po aj prapë s’ka dashtë me e ngu.
17 Atëherë Amnoni e ka thirrë shërbëtorin e vet të ri edhe i ka thanë: “Të lutna, hiqma qit person pi syve edhe mshele derën mas saj!”
18 (Tamara e ka pasë veshë nji teshë të gjatë e të veçantë, qysh i veshshin çikat virgjëresha të mbretit.) Kshtu shërbëtori e ka nxjerrë jashtë edhe e ka mshelë derën mas saj.
19 Masanej Tamara ka qitë hi në krye edhe e ka shqy teshën e gjatë e të bukur që e ka pasë veshë. I ka vnu duart në krye edhe ka shku tu bërtitë e tu kajtë.
20 Vllau i saj, Absalomi, e ka vetë: “A u konë vllau yt Amnoni me ty? Motra jem, mos i fol kërkujt për këtë punë. Në fund të fundit, aj asht vllau yt. Mos e merr kaq ngat zemrës këtë punë.” Pi asaj dite, Tamara ka jetu e vetmume, e largume pi tjerëve, në shpinë e vllaut të vet Absalomit.
21 Kur mbreti David ka marrë vesh për krejt qka ka ndodhë, asht nervozu shumë. Po s’ka dashtë me ia lëndu ndjenjat djalit të vet Amnonit, se e ka dashtë shumë, për shkak që aj u konë djali i tij i parë.
22 Absalomi s’i ka folë Amnonit as mirë, as keq, se e ka urrejtë për shkak që ia ka dhunu motrën, Tamarën.
23 Mas plot dy vjetësh, njerëzit që ia qethshin delet Absalomit jonë konë në Baal-Hazor, ngat Efraimit. Absalomi i ka thirrë krejt djemtë e mbretit në nji festë.
24 Absalomi ka shku te mbreti edhe i ka thanë: “Unë, shërbëtori yt, tash po i qethi delet e mia. Të lutna, o mbret, hajde edhe ti bashkë me shërbëtorët e tu te unë.”
25 Po mbreti i ka thanë Absalomit: “Jo, biri jem! Nëse vijmë krejt na, veç barrë kemi me të bo.” Edhe pse Absalomi ka vazhdu me iu lutë, mbreti s’e ka ndrru menjen, po ia ka uru krejt të mirat.
26 Në fund Absalomi i ka thanë: “Nëse ti s’munesh me ardhë, atëherë të lutna, leje vllaun tem Amnonin me ardhë me neve.” Mbreti e ka vetë: “Pse bash Amnoni?”
27 Po Absalomi s’e ka lanë rahat, deri sa mbreti e ka çu Amnonin edhe krejt djemtë e vet tjerë bashkë me të.
28 Masanej Absalomi u ka dhanë urdhën shërbëtorëve të vet: “Kqyrni mirë edhe pritni deri sa Amnonit t’ia marrë vera pak kryt. E kur unë t’ju thom: ‘Vrajeni Amnonin!’, atëherë vrajeni. Mos u tutni! Se unë vet po jua jap këtë urdhën. Bani të fortë edhe trima!”
29 Shërbëtorët e Absalomit ia kanë bo Amnonit tamam qysh i ka urdhnu Absalomi. Atëherë krejt djemtë e mbretit janë çu menjiherë, u kanë hyp mushkave të veta edhe kanë ikë.
30 Ata hala jonë konë rrugës, kur Davidit i ka ardhë lajmi: “Absalomi i ka vra krejt djemtë e mbretit! Asnjani s’ka pshtu.”
31 Menjiherë mbreti u çu, i ka shqy teshat e veta edhe ka ra për tokë. Edhe krejt shërbëtorët e tij kanë nejtë afër tij me tesha të shqyme.
32 Po Jonadabi, djali i Shimeas, vllaut të Davidit, ka thanë: “Zotnia jem, mos meno që i kanë vra krejt djemtë e ri të mbretit. Veç Amnoni ka vdekë. Kjo ka ndodhë me urdhën të Absalomit. Që pi ditës kur Amnoni ia ka poshtnu motrën Tamarën, Absalomi e ka pasë nda menjen me e bo këtë.
33 O zotnia jem, o mbret, mos i beso lajmit që thotë: ‘Krejt djemtë e mbretit kanë vdekë.’ Veç Amnoni ka vdekë.”
34 Ndërkohë, Absalomi ka ikë. Ma vonë, kur roja po kqyrke përreth, ka pa shumë njerëz tu ardhë nëpër rrugën mbrapa tij, që shkonte anash malit.
35 Atëherë Jonadabi i ka thanë mbretit: “Kqyri! Djemtë e tu po kthehen, o mbret. Tamam qysh të thashë unë, shërbëtori yt.”
36 Ende pa i kry fjalët, djemtë e mbretit kanë hy mrena tu kajtë me za të naltë. Edhe mbreti me krejt shërbëtorët e vet kanë kajtë shumë e me dhimt të madhe.
37 Absalomi ka ikë te Talmai, djali i Amihudit, mbreti i Geshurit. Davidi ka mbajtë zi shumë ditë për djalin e vet.
38 Mas që Absalomi ka ikë në Geshur, ka nejtë aty tri vjet.
39 Me kalimin e kohës, mbreti David e ka kalu dhimtën për vdekjen e Amnonit, edhe tash e ka marrë malli për Absalomin.