Letra e dytë e Samuelit 15

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Mas kësaj, Absalomi ka marrë për veti nji qerre edhe kuaj, edhe i ka caktu 50 burra me vrapu para tij.

2 Absalomi çohej herët çdo mëngjes edhe rrike anash rrugës që çonte te porta e qytetit. Kur dikush dojke me shku te mbreti me ia paraqit nji çështje për gjykim, Absalomi e thirrke edhe e vetke: «Pi cilit qytet je ti?» Aj i përgjigjej: «Unë, shërbëtori yt, jom pi nji fis i Izraelit.»

3 Atëherë Absalomi zakonisht i thojke: «Ti e ki hakun edhe kërkesa jote asht me vend, po te mbreti s’ka kush me të ngu.»

4 Absalomi thojke edhe: «Ah, veç me më caktu mu gjykatës në këtë vend! Atëherë kushdo që ka naj problem për gjyq ose ka nevojë për nji vendim, ka me ardhë te unë, e unë kom me ia dhanë hakun.»

5 Kur naj burrë ka ardhë te aj me u përkulë para tij, Absalomi ia ka zgjatë dorën, e ka kapë edhe e ka puthë.

6 Absalomi e ka bo qeshtu me krejt izraelitët që kanë ardhë me ia paraqit rastin e vet mbretit. Qeshtu ua ka vjedh zemrat burrave të Izraelit.

7 Mas katër vjetve, Absalomi i ka thanë mbretit: «Të lutna, lëm me shku në Hebron, se po du me e përmbush zotimin që ia kom bo Jehovës.

8 Se kur unë, shërbëtori yt, jom konë tu jetu në Geshur të Sirisë, i kom dhanë fjalë Jehovës me nji zotim të fortë: ‘Nëse Jehova më kthen në Jerusalem, kom me i bo kurban Jehovës.’»

9 Mbreti i ka thanë: «Shko me paqe.» Atëherë Absalomi u nis për në Hebron.

10 Absalomi i ka çu do burra tinëz te krejt fiset e Izraelit, me nji porosi të fshehtë. U ka thanë: «Sapo ta nini zërin e bririt, thirrni: ‘Absalomi u bo mbret në Hebron!’»

11 200 burra pi Jerusalemit kanë shku bashkë me Absalomin pa ditë kurgjo. Aj i ka ftu, po ata s’e kanë ditë qka po ndodhke.

12 Derisa Absalomi po i bënte kurbanet, ka çu me e thirrë Ahithofelin, këshilltarin e Davidit, që u konë pi qytetit Gilo. Komploti u përhap gjithnjë e ma shumë, edhe numri i atyne që e përkrahnin Absalomin u rrit.

13 Mas do kohe, nji njeri ka ardhë te Davidi me i pru lajmin: «Zemrat e burrave të Izraelit kanë kalu në anën e Absalomit.»

14 Menjihere Davidi u ka thanë krejt shërbëtorve të vet në Jerusalem: «Hajde, ikim shpejt pi këtu, se përndryshe s’ka me shpëtu asnjani pi Absalomi! Shpejtoni, se na nxen shumë shpejt, na shtin në fatkeqsi edhe e sulmon qytetin me shpatë!»

15 Shërbëtorët i kanë thanë mbretit: «O zotnia jonë mbret, qka do që vendos ti, na si shërbëtorët e tu jemi gati me bo.»

16 Qeshtu mbreti u largu bashkë me krejt njerëzit e shpisë së vet, po i ka lanë mbrapa dhjetë gratë e tij të dyta, që me u kujdesë për pallatin.

17 Rrugës, mbreti edhe krejt ata që e përcillnin u nalën te Beth-Merhaku.

18 Krejt shërbëtorët e tij që kanë shku me të, edhe krejt kerethitët, pelethitët edhe gatitët, 600 burra pi Gati që iu kishin bashku Davidit, kanë kalu para mbretit, e aj i ka kqyrë derisa po kalojshin.

19 Mbreti i ka thanë Ithait, gatitit: «Pse po don me ardhë me neve? Kthehu edhe rri me mbretin e ri. Ti je i huj edhe jeton larg vendit tand, në mërgim.

20 Ti veç dje ke ardhë, e sot unë me të kërku me ardhë me neve, pa ditë as ku po shkojmë? Kthehu edhe merr njerëzit e tu me veti. Jehova ta kallxoftë dashninë e tij besnike edhe besnikninë ndaj teje.»

21 Po Ithai i ka thanë: «Pasha Jehovën që asht gjallë, edhe pasha zotninë tem mbret që asht gjallë, kudo që të jesh ti, zotnia jem mbret, aty kom me konë edhe unë, shërbëtori yt, qoftë për dekë a për jetë!»

22 Atëherë Davidi i ka thanë Ithait: «Shko edhe kalo matanë.» Qeshtu Ithai, gatiti, ka kalu matanë bashkë me krejt burrat e vet edhe familjet e tyne.

23 Krejt njerëzit në atë vend kajshin me za të naltë, derisa krejt këta njerëz po kalojshin matanë. Mbreti rrike te lugina e Kidronit. Krejt kanë kalu matanë, kah rruga që çon në shkretinë.

24 Aty u konë edhe Zadoku, bashkë me krejt levitët që e bartshin arkën e besëlidhjes së Zotit të vërtetë. Ata e kanë lshu poshtë arkën e besëlidhjes së Zotit të vërtetë. Abiathari ka hypë përpjetë, derisa krejt njerëzit që po dilshin pi qytetit po kalojshin matanë.

25 Po mbreti i ka thanë Zadokut: «Ktheje arkën e besëlidhjes së Zotit të vërtetë në qytet. Nëse e kom pëlqimin e Jehovës, aj ka me më kthy edhe ka me ma mundësu me e pa apet arkën edhe vendin ku rrin ajo.

26 Po nëse aj thotë: ‘S’jom i kënaqun me ty’, atëherë le të bojë me mu qka t’i duket e mirë atij.»

27 Mbreti i ka thanë edhe priftit Zadok: «Ti je shikues. Kthehuni në qytet me paqe. Merrni me veti edhe dy djemtë e juej, Ahimaazin, djalin tand, edhe Jonatanin, djalin e Abiatharit.

28 Unë kom me nejtë te vendet ku kalohet Jordani në shkretinë, derisa të më vijë naj lajm pi ju.»

29 Qeshtu Zadoku edhe Abiathari e kanë kthy arkën e besëlidhjes së Zotit të vërtetë në Jerusalem edhe kanë nejtë aty.

30 Davidi ka hypë përpjetë Malit të Ullinjve tu kajtë, me kryt e mbulum edhe me kambë zbathun. Edhe krejt ata që e përcillnin e kishin kryt e mbulum edhe kajshin.

31 Dikush ia ka çu lajmin Davidit: «Ahithofeli asht bashku me ata që po bojnë komplot me Absalomin.» Atëherë Davidi ka thanë: «O Jehova, të lutna, bo që këshillat e Ahithofelit me u dokë pa men!»

32 Kur Davidi ka mbrri në majë të malit, aty ku njerëzit i përkuleshin Zotit, i ka dalë përpara Hushai, arkititi, me teshën e gjatë të shqyme edhe me dhe në krye.

33 Davidi i ka thanë: «Nëse kalon matanë me mu, veç barrë ma shton.

34 Po nëse kthehesh në qytet edhe i thu Absalomit: ‘Unë jom shërbëtori yt, o mbret. Ma herët jom konë shërbëtori i babës tand, po tash jom shërbëtori yt’, atëherë munesh me m’i prishë këshillat e Ahithofelit që i ka dhanë kundër meje.

35 Edhe priftat Zadoku e Abiathari jonë aty me ty. Qka do që merr vesh në shpinë e mbretit, kallxoju atyne.

36 Ata i kanë aty edhe dy djemtë e vet, Zadoku djalin e vet Ahimaazin, edhe Abiathari djalin e vet Jonatanin. Përmes tyne më çoni fjalë për krejt qka nini.»

37 Qeshtu Hushai, shoku i Davidit, ka shku në qytet, derisa Absalomi ka mbrri në Jerusalem.