Letra e dytë e Samuelit 18

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Davidi i ka numru burrat e vet edhe ka caktu mbi ta komandantë për nga nji mijë burra edhe komandantë për nga njiqind burra.

2 Nji të tretën e ushtrisë e ka qitë nën komandën e Joabit, nji të tretën nën komandën e Abishait, djalit të Zerujës edhe vllaut të Joabit, e nji të tretën nën komandën e Ithait, gatitit. Masanej i ka nisë në luftë. Mbreti u ka thanë burrave: «Edhe unë kom me ardhë me ju.»

3 Po ata i kanë thanë: «Ti s'bon me dalë në luftë! Se nëse na duhet me ikë, armiqtë s'e kanë gajle, edhe nëse gjysa e neve dekë, apet s'e kanë gajle. Po ti vlen sa 10 000 veta pi neve. Për qata, ma mirë asht me nejtë ti në qytet edhe me na çu ndihmë pi aty.»

4 Mbreti u ka thanë: «Qka mendoni ju që asht ma mirë, qata kom me bo.» Aj ka dalë e ka nejtë te porta e qytetit, kurse krejt burrat janë nisë në grupe me nga njiqind edhe nga nji mijë veta.

5 Masanej mbreti u ka dhanë urdhër Joabit, Abishait edhe Ithait: «Për hatrin tem, silluni butë me djalin e ri Absalomin.» Krejt e kanë ni kur mbreti ua ka dhanë këtë urdhër komandantëve.

6 Masanej ushtria ka dalë me luftu kundër Izraelit, edhe beteja u bo në pyllin e Efraimit.

7 Aty burrat e Davidit i kanë mundë burrat e Izraelit, edhe Izraeli ka pësu humbje të madhe. Atë ditë kanë dekë 20 000 veta.

8 Lufta u përhap nëpër krejt atë anë. Atë ditë, pi rreziqeve të pyllit kanë dekë ma shumë burra sesa pi shpata.

9 Në fund, Absalomi ka hasë në burrat e Davidit. Mushka që po e kalëronte ka kalu nën degët e trasha të nji druni të madh, edhe Absalomit i ka metë kryt i ngatërrum në degë. Mushka ka vazhdu rrugën, kurse aj ka metë i varun në hava.

10 Nji burrë e ka pa edhe i ka thanë Joabit: «A e din qka? E kom pa Absalomin tu nejtë i varun në nji dru të madh.»

11 Joabi i ka thanë atij burrit: «Nëse e ke pa, pse s'e ke vra në vend? Me gjithë qef t'i kisha dhanë dhjetë copa argjendi edhe nji rrip për këtë punë.»

12 Po burri i ka thanë Joabit: «Edhe me m'i dhanë 1 000 copa argjendi, unë s'e kisha çu dorën kundër djalit të mbretit. Se na e kemi ni mbretin kur ju ka dhanë urdhër ty, Abishait edhe Ithait: ‘Kushdo që jeni, keni kujdes për djalin e ri Absalomin!’

13 Nëse s'e kisha ngu këtë urdhër, po ia kisha marrë jetën, mbreti patjetër e kish marrë vesh. E ti s'kishe me më mbrojtë.»

14 Joabi i ka thanë: «S'kom me hupë ma kohë me ty!» I ka marrë tre shkopinj me maje në dorë edhe ka shku te Absalomi, që hala u konë gjallë, i varun në atë dru të madh. Ia ka ngulë shkopinjtë në zemër.

15 Masanej kanë ardhë dhjetë burra që ia bartshin armët Joabit edhe e kanë goditë Absalomin derisa e kanë vra.

16 Atëherë Joabi i ka ra bririt, edhe burrat e kanë nalë ndjekjen e izraelitëve e janë kthy, se Joabi u ka dhanë urdhër me u nalë.

17 Ata e kanë marrë Absalomin, e kanë gjujtë në nji gropë të madhe në pyll edhe i kanë qitë përmi nji grumbull shumë të madh me gurë. Krejt burrat e Izraelit kanë ikë nëpër shpijat e veta.

18 Kur Absalomi u konë hala gjallë, e kish marrë nji shtyllë edhe e kish vendosë për veti në Luginën e Mbretit, se thojke: «S'kom djalë që ka me e majtë gjallë kujtimin e emnit tem.» Për qata ia ka ngjitë shtyllës emnin e vet, edhe deri sot ajo thirret «Përmendorja e Absalomit».

19 Ahimaazi, djali i Zadokut, ka thanë: «Të lutna, lëm me vrapu te mbreti edhe me ia çu lajmin. Se Jehova ia ka dhanë hakun edhe e ka shpëtu pi armiqve të vet.»

20 Po Joabi i ka thanë: «Jo, sot s'ke me çu ti lajm. Nji ditë tjetër munesh me çu lajm, po jo sot, se ka dekë djali i mbretit.»

21 Masanej Joabi i ka thanë nji kushiti: «Nisu me vrap edhe kallxoja mbretit qka ke pa!» Kushiti u përkul para Joabit edhe iku me vrap.

22 Po Ahimaazi, djali i Zadokut, e ka lutë Joabin edhe nji herë: «Qka do që të ndodhë, të lutna, lëm edhe mu me vrapu mas kushitit.» Po Joabi i ka thanë: «Pse po don me shku, o biri jem? Ti s'ki naj lajm me ia çu.»

23 Po aj ka ngulë kambë: «Qka do që të ndodhë, lëm me vrapu.» Atëherë Joabi i ka thanë: «Vrapo!» Ahimaazi ka vrapu nëpër anën e Jordanit edhe në fund e ka kalu kushitin.

24 Davidi rrike ulun mes portës së mbrendshme edhe portës së jashtme të qytetit. Roja ka hypë përmi portën e murit të qytetit edhe ka kqyrë larg. E ka pa nji burrë tu vrapu vet.

25 Roja e ka thirrë mbretin edhe ia ka kallxu. Mbreti ka thanë: «Nëse asht vet, po na bjen naj lajm.» Derisa ai burrë po afrohej,

26 roja e ka pa edhe nji burrë tjetër tu vrapu. E ka thirrë rojën e portës edhe i ka thanë: «Qe, edhe nji tjetër po vrapon vet!» Mbreti ka thanë: «Edhe ky po na bjen naj lajm.»

27 Roja ka thanë: «Sa po muj me pa, i pari po vrapon si Ahimaazi, djali i Zadokut.» Mbreti ka thanë: «Aj asht burrë i mirë, sigurisht po bjen lajme të mira.»

28 Ahimaazi i ka thirrë mbretit: «Krejt asht mirë!» U përkul para mbretit me ftyrë për tokë edhe ka thanë: «Qoftë i lavdum Jehova, Zoti yt, o zotnia jem mbret! Aj t'i ka dorëzu burrat që jonë çu kundër teje.»

29 Mbreti e ka vetë: «A asht mirë djali i ri Absalomi?» Ahimaazi i ka thanë: «U bo nji rrëmujë e madhe kur Joabi e ka nisë shërbëtorin e mbretit edhe mu, shërbëtorin tand, po s'e di qka ka ndodhë aty.»

30 Atëherë mbreti i ka thanë: «Largohu pak anash edhe rri këtu!» Aj u largu anash edhe ka nejtë aty.

31 Masanej ka mbrri kushiti edhe ka thanë: «O zotnia jem mbret, e kom nji lajm për ty: Sot Jehova ta ka dhanë hakun edhe të ka shpëtu pi duarve të krejt atyne që jonë çu kundër teje.»

32 Po mbreti e ka vetë kushitin: «A asht mirë djali i ri Absalomi?» Kushiti i ka thanë: «Krejt armiqtë e zotnisë tem mbret, edhe krejt ata që jonë çu kundër teje me të bo keq, e pafshin qysh e ka pa aj djali i ri!»

33 Mbreti u mërzit shumë edhe ka hypë në dhomën përmi hyrjen e portës. Tu hypë, kajke edhe thojke pa nalë: «O djali jem Absalom, ah, djali jem, djali jem Absalom! Ah, sikur të kisha dekë unë në vend tand, Absalom, o djali jem, djali jem!»