Letra e dytë e Samuelit 21
1 Në kohën e Davidit, nji herë ka pasë uri të madhe për tri vjet rresht. Davidi e ka vetë Jehovën për këtë punë, e Jehova i ka thanë: «Sauli edhe shpija e tij e kanë mbi veti fajin për gjakun e derdhun, se aj i ka vra gibeonitët.»
2 Atëherë mbreti i ka thirrë gibeonitët edhe ka folë me ta. (Gibeonitët s'ishin izraelitë, po ishin pi amoritët që kishin metë gjallë. Izraelitët ishin betu me i kursy, po Sauli u mundu me i zhdukë, se kish shumë zell për Izraelin edhe Judën.)
3 Davidi u ka thanë gibeonitëve: «Qka me bo unë për ju? Qysh muj me e shly këtë faj, që ju me e beku trashëgiminë e Jehovës?»
4 Gibeonitët i kanë thanë: «Qka na ka bo Sauli edhe shpija e tij, s'munet me u ndreqë me argjend a me dukat. Edhe na s'kemi të drejtë me vra kërkon në Izrael.» Atëherë Davidi u ka thanë: «Qka do që të thuni, unë kom me e bo për ju.»
5 Ata i kanë thanë mbretit: «Sa për atë burrin që na ka shfarosë edhe ka pasë plan me na zhdukë krejt, që mos me mujtë me jetu kërkun në tokën e Izraelit,
6 na i jep shtatë djem të tij. Na kemi me i varë trupat e tyne para Jehovës në Gibean e Saulit, vendin e të zgjedhunit të Jehovës.» Mbreti u ka thanë: «Kom me jua dorëzu.»
7 Po mbretit i ka ardhë gjynah për Mefiboshethin, djalin e Jonatanit edhe nipin e Saulit, për shkak të betimit që Davidi edhe Jonatani, djali i Saulit, e kishin bo para Jehovës.
8 Për qata mbreti i ka marrë Armonin edhe Mefiboshethin, dy djemtë e Rizpës, vajzës së Ajës, që ia kish lindë Saulit. I ka marrë edhe pesë djemtë e Mikalit, vajzës së Saulit, që ia kish lindë Adrielit, djalit të Barzillait, meholatitit.
9 Mbreti ua ka dorëzu gibeonitëve, e ata i kanë varë trupat e tyne në mal, para Jehovës. Të shtatit kanë dekë përnjiherë. I kanë ekzekutu në ditët e para të korrjes, bash kur ka nisë korrja e elbit.
10 Masanej Rizpa, vajza e Ajës, ka marrë nji copë pëlhure të trashë edhe e ka shtru mbi shkamb. Aty ka nejtë pi fillimit të korrjes e deri kur shiu ka ra pi qiellit mbi trupat e tyne. Ditën s'i ka lanë zogjtë e qiellit me u ulë mbi ta, e natën s'i ka lanë kafshët e egra me ju afru.
11 Davidit i kanë kallxu qka kish bo Rizpa, vajza e Ajës, gruja e dytë e Saulit.
12 Atëherë Davidi ka shku te krerët e Jabesh-Gileadit edhe i ka marrë pi ta eshtrat e Saulit edhe të djalit të tij Jonatanit. Kur filistinët e kishin vra Saulin në Gilboa, i kishin varë trupat e tyne në sheshin e Beth-Shanit. Po krerët e Jabesh-Gileadit i kishin vjedhë trupat pi aty.
13 Davidi i ka marrë eshtrat e Saulit edhe të djalit të tij Jonatanit. I kanë mbledhë edhe eshtrat e atyne që ishin varë.
14 Masanej i kanë vorrosë eshtrat e Saulit edhe të djalit të tij Jonatanit në Zela, në tokën e Benjaminit, në vorrin e Kishit, babës së Saulit. Kur i kanë kry krejt urdhrat e mbretit, Zoti i ka dëgju lutjet për atë vend.
15 Prapë ka plasë lufta mes filistinëve edhe Izraelit. Davidi edhe burrat e tij janë nisë në luftë kundër filistinëve, po mas nji kohe Davidi u lodh shumë.
16 Nji pasardhës i refaimëve, me emnin Jishbi-Benob, e kish nji shtizë pi bakri që peshonte 300 shekelë. Aj u konë i armatosun edhe me nji shpatë të re, edhe kish ndërmend me e vra Davidin.
17 Po Abishai, djali i Zerujës, i ka ardhë menjiherë në ndihmë Davidit. E ka goditë filistinin edhe e ka vra. Atëherë burrat e Davidit ia kanë kërku me ngulm mbretit: «Ti s'bon ma me dalë me neve në luftë! S'bon me e fikë dritën e Izraelit!»
18 Mas kësaj, prapë ka plasë lufta kundër filistinëve, kësaj here në Gob. Aty Sibekai, hushatiti, e ka vra Safin, nji pasardhës të refaimëve.
19 Prapë ka plasë lufta kundër filistinëve në Gob. Aty Elhanani, djali i Jaare-Orgimit pi Betlehemi, e ka vra Goliathin pi Gati. Shtiza e Goliathit u konë e trashë sa trani i vekut.
20 Prapë ka plasë lufta në Gat. Aty u konë nji burrë jashtëzakonisht i madh, që i kish nga gjashtë gishta në secilën dorë edhe nga gjashtë gishta në secilën kambë, gjithsej 24 gishta. Edhe aj u konë nji pasardhës i refaimëve.
21 Aj vazhdimisht i përqeshke izraelitët. Atëherë Jonatani, djali i Shimeit, vllaut të Davidit, e ka vra.
22 Këta të katërt ishin pasardhës të refaimëve në Gat. Ata kanë dekë pi dora e Davidit edhe e burrave të tij.