Letra e dytë e Samuelit 22
1 Atë ditë kur Jehova e ka shpëtu Davidin pi dorës së krejt armiqve të tij edhe pi dorës së Saulit, Davidi ia ka këndu Jehovës këtë kangë:
2 „Jehova asht streha jeme në shkamb edhe fortesa jeme, aj asht ai që më shpëton.
3 Zoti jem asht shkambi jem, ku kërkoj strehë, mburoja jeme
edhe shpëtimtari jem i fortë, vendi jem i sigurt,
streha jeme, shpëtimtari jem, aj që më mbron pi dhunës.
4 Unë e thirri Jehovën, që e meriton me u lavdu,
edhe aj ka me më shpëtu pi armiqve të mi.
5 Dallgët e dekës janë përplasë rreth meje, nji vërshim
i njerëzve që s'vlejshin kurgjo m'ka shti frikë.
6 Litarët e vorrit m'kanë lidhë përreth,
lakët e dekës m'kanë dalë përpara.
7 Kur kom pas hall, e kom thirr Jehovën, pa
u nalë e kom thirr Zotin tem. Pi tempullit
të vet aj e ka ni zanin tem, edhe
britma jeme për ndihmë i ka mbrri në vesh.
8 Atëherë toka asht lëkundë anej e knej edhe asht
dridhë, themelet e qiellit janë dridhë edhe janë lëkundë
anej e knej, se aj u konë i zemrum.
9 Pi hundës së tij ka dalë tym, pi
gojës së tij kanë shpërthy flakë që
djegin krejt, aj ka shpërnda thëngjij të ndezun.
10 Kur ka zhdryp, aj e ka ulë qiellin, edhe
terr i dendur u konë nën kambët e tij.
11 Aj ka ardhë tu fluturu mbi nji kerubin.
E kanë pa mbi krahët e nji shpirti.
12 Masanej e ka mbështjellë veten me terr për me u
mshef, me vërshime të errëta edhe me re të dendura.
13 Pi shkëlqimit të fortë përpara tij kanë fluturu thëngjij të ndezun.
14 Masanej Jehova ka bubullu pi qiellit, Ma i
Nalti e ka lshu zanin e vet.
15 Aj i ka gjujt shigjetat e veta edhe i ka
shpërnda armiqtë, ka çu rrufe edhe i ka hutu krejt.
16 Fundi i detit u ka pa, themelet e
tokës janë zbulu pi fjalës së fuqishme të Jehovës,
kur aj e ka nxjerrë frymën pi hundës.
17 Pi nalt aj ka zgjatë drejt meje, m'ka
kapë edhe m'ka nxjerrë pi ujnave të thella.
18 M'ka shpëtu pi armikut tem të fortë, pi atyne që
m'urrejshin e që jonë konë ma të fortë se unë.
19 Ditën kur më ka ra fatkeqësia, ata
m'kanë dalë përpara, po Jehova m'ka mbajtë.
20 Aj m'ka çu në nji vend të sigurt.
M'ka shpëtu, se i kom pëlqy.
21 Jehova më shpërblen sipas drejtësisë teme.
Se duert e mia jonë pa faj, aj ma kthen me të mira.
22 Se unë kom vazhdu me ecë rrugëve të Jehovës, edhe
s'jom largu me qëllim të keq pi Zotit tem.
23 Krejt gjykimet e tij i kom para syve, edhe
s'kam me u largu pi rregullave të tij.
24 Kam me mbetë pa faj përpara tij,
edhe kam me u rujt pi gjynaheve.
25 Jehova ma ktheftë me të mira sipas drejtësisë teme,
sipas asaj që jom pa faj përpara tij.
26 Me atë që asht besnik, ti sillesh besnikërisht, me njeriun e
fortë që s'ka të meta, ti sillesh pa të meta.
27 Me të pastrin ti je i pastër,
po me dredhacakun ti sillesh me dredhi.
28 Se ti i shpëton ata që jonë të përulun, po sytë
e tu jonë kundër mendjemdhajve, edhe ti i ul poshtë.
29 Se ti je llamba jeme, o Jehova.
Jehova asht aj që ma ndriçon terrin.
30 Me ndihmën tane muj me iu vërsul nji grupi grabitësish,
me fuqinë e Zotit muj me hyp përmi nji mur.
31 Rruga e Zotit të vërtetë asht e përsosun,
fjalët e Jehovës jonë të pastra. Për krejt ata
që kërkojnë strehë te aj, aj asht mburojë.
32 Se kush asht Zot tjetër përveç Jehovës?
Kush asht shkamb përveç Zotit tonë?
33 Zoti i vërtetë asht fortesa jeme e fortë,
edhe aj ka me ma hapë rrugën.
34 Aj më bon me kcy si nji kaproll, edhe
më mban të sigurt në shpate të rrëpijta.
35 Aj m'i mëson duert me luftu, krahët e mi
munden me e tendosë nji hark pi bakri.
36 Ti ma jep mburojën tane që më shpëton,
edhe përulësia jote më bon të madh.
37 Ti ma zgjan vendin ku i qes hapat,
edhe kambët e mia s'kanë me rrëshqitë.
38 Unë kam me i ndjekë armiqtë e mi edhe kam me i zhdukë.
S'kam me u kthy derisa të zhduken krejt.
39 Kam me i zhdukë e me i shtypë aq shumë, sa s'kanë me mujtë me u çu ma.
Kanë me ra përpara kambëve të mia.
40 Ti ke me më dhanë fuqi për luftë, kundërshtarët
e mi ke me i rrëzu poshtë meje.
41 Ti ke me i detyru armiqtë e mi me u tërhekë,
edhe unë kam me ua dhanë fundin atyne që m'urrejnë.
42 Ata kanë me bërtitë për ndihmë, po s'ka kush i shpëton, kanë
me e thirrë edhe Jehovën, po aj s'ka me ju përgjigjë.
43 Kam me i grimcu aq imët sa pluhni i tokës.
Kam me i shtypë e me i shkelë si baltën në rrugë.
44 Ti ke me më shpëtu pi grindjeve të popullit tem.
Ke me më rujtë që me u bo udhëheqës i popujve.
Nji popull që s'e kom njoft ka me më shërby.
45 Të huejt kanë me ardhë të përkulun përpara meje.
Qka kanë me ni për mu, ka me i bo me m'u bindë.
46 Të huejt kanë me e humbë guximin, kanë me
dalë pi fortesave të tyne tu u dridhë.
47 Jehova asht gjallë! Qoftë i lavdum shkambi jem! Le
të lavdohet Zoti, shkambi jem që më shpëton.
48 Zoti i vërtetë merr hak për mu,
aj i nënshtron popujt nën mu.
49 Aj më shpëton pi armiqve të mi.
Ti më ngrit përmi ata që më
sulmojnë, më shpëton pi njeriut të dhunshëm.
50 Për qata kam me të falënderu, o Jehova, mes popujve, edhe
kam me këndu kangë për me e lavdu emnin tand:
51 Zoti bon vepra të mëdhaja shpëtimi për mbretin
e vet, të mirosunit të vet ia kallxon dashninë
besnike, po, Davidit edhe pasardhësve të tij, përgjithmonë.“