Letra e dytë e Samuelit 23

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Këto jonë fjalët e fundit të Davidit: “Fjalët
e Davidit, djalit të Isait, fjalët e
burrit që u ngrit shumë nalt, të atij
që Zoti i Jakobit e ka miros,
të kangëtarit me dhunti për kangët e Izraelit.

2 Fryma e Jehovës ka folë përmes meje, fjalët
e Zotit jonë konë në gjuhën teme.

3 Zoti i Izraelit ka folë – Shkëmbi
i Izraelit më ka thanë: ‘Kur aj
që sundon mbi njerz asht i
drejtë, edhe sundon me tutë pi Zotit,

4 aj asht si drita e sabahit kur
lind dielli, nji sabah pa asnji re. Asht
si drita e kthjellët mas shiut, që
e bon barin me mbijt pi toke.’

5 A s’asht qashtu edhe shpia jem para Zotit? Se aj ka
lidh me mu nji besëlidhje të përjetshme, që e ka rregullu
me kujdes edhe e ka siguru mirë. Kjo për mu
don me thanë shpëtim të plotë edhe gëzim të pastër –
a s’e bon Zoti shpinë teme me përparu bash për qata?

6 Po burrat që s’vlejnë për kurgjo kanë me u hjek
krejt, si ferrat, se s’munesh me i kap me dorë.

7 Kush don me i prekë, duhet me u pajis
mirë me hekur edhe me bisht të shtizës, edhe
ata duhet me u djegë krejt aty për aty.”

8 Këta jonë emnat e luftëtarëve të fortë të Davidit: Josheb-Bashebeti, nji takemonit, u konë kryetari i Treshes. Nji herë aj e ka tund shtizën e vet edhe me të i ka vra mbi 800 burra.

9 Mas tij u konë Eleazari, djali i Dodos, djalit të Ahohit. Aj u konë njani pi tre luftëtarëve të fortë të Davidit që i kanë tallë filistinët. Filistinët u mblodhën aty për luftë, edhe kur burrat e Izraelit u tërhoqën,

10 Eleazari ka nejt në vend edhe i ka godit filistinët derisa ju ka randu krahu edhe ju ka ngri dora tu e majt shpatën. Jehova atë ditë ka bo që me u fitu nji fitore e madhe. Masanej burrat e Izraelit u kthynë mas Eleazarit për me i plaçkitë të vramtë.

11 Mas tij u konë Shama, djali i Ages, harariti. Nji ditë filistinët u mblodhën te Lehi, ku u konë nji arë me thjerrëza. Izraelitët ikën pi filistinëve,

12 po Shama ka dal në mes të arës edhe e ka mbrojt atë. Aj i ka vra filistinët njanin mas tjetrit, e Jehova ka bo që me u fitu nji fitore e madhe.

13 Në kohën e korrjes, nji herë tre pi 30 prijësve kanë shku te Davidi në shpellën e Adullamit. Në atë kohë, nji grup ushtarësh filistinë e kishin ngrit kampin në luginën e Refaimit.

14 Davidi u konë në fortesën në mal, kurse në Betlehem filistinët e kishin nji postë roje.

15 Atëherë Davidin e ka kap nji dëshirë e madhe edhe ka thanë: “Ah, veç me mujt me pi nji gllënjkë ujë pi sternës te porta e Betlehemit!”

16 Atëherë tre luftëtarët e fortë kanë hy në kampin e filistinëve edhe kanë marrë ujë pi sternës te porta e Betlehemit. Ujin ia kanë pru Davidit, po aj s’ka dasht me e pi, e ka derdh për Jehovën.

17 Aj ka thanë: “O Jehova, për mu s’vjen në shprehje me e bo qit sen! A me pi unë gjakun e burrave që kanë shku atje tu e rreziku jetën e vet?” Për qata s’ka pranu me e pi ujin. Këto jonë veprat që i kanë bo tre luftëtarët e tij të fortë.

18 Abishai, vllau i Joabit, djalit të Zerujës, u konë kryetari i nji grupi tjetër me tre luftëtarë. Aj e ka tund shtizën e vet edhe me të i ka vra 300 burra. Edhe aj ka pasë emën të madh, si Treshja.

19 Edhe pse aj u konë ma i respektumi pi atij grupi tjetër me tre luftëtarë edhe u konë kryetari i tyne, prapë s’e ka arrit nivelin e Treshes së parë.

20 Benaja, djali i Jehojadës, u konë nji burrë trim që ka bo shumë vepra të mëdhaja në Kabzeel. Aj i ka vra dy djemtë e Arielit, moabitit. Edhe nji ditë kur ka pasë borë, aj ka zhdryp në nji gropë uji edhe e ka vra nji luan.

21 Aj e ka mundë edhe nji egjiptian shumë të madh. Edhe pse egjiptiani e ka pasë nji shtizë, Benaja i ka dal përballë me nji shkop. Ia ka rrëmby shtizën pi dorës egjiptianit edhe e ka therë për vdekje me shtizën e tij.

22 Këto jonë veprat që i ka bo Benaja, djali i Jehojadës. Edhe aj ka pasë emën të madh, si tre luftëtarët e fortë.

23 Edhe pse aj u konë ma i respektum se të Tridhjetët, prapë s’e ka arrit nivelin e Treshes. Megjithatë, Davidi e ka vu në krye të rojës së vet personale.

24 Asaheli, vllau i Joabit, u konë njani pi të Tridhjetëve. Tjerët jonë konë: Elhanani, djali i Dodos pi Betlehemi,

25 Shama haroditi, Elika haroditi,

26 Helezi paltiti, Ira tekoiti, djali i Ikeshit,

27 Abiezeri anatotiti, Mebunai hushatiti,

28 Zalmoni ahohiti, Maharai netofatiti,

29 Helebi, djali i Baanës, netofatiti, Itai, djali i Ribait, pi Gibeaja e benjaminitëve,

30 Benaja piratoniti, Hidai pi luginat e Gaashit,

31 Abi-Alboni arbatiti, Azmaveti barhumiti,

32 Eljahba shaalboniti, djemtë e Jashenit, Jonatani,

33 Shama harariti, Ahiami harariti, djali i Shararit,

34 Elifeleti, djali i Ahasbait, djalit të maakatitit, Eliami, djali i Ahitofelit gilonitit,

35 Hezroi karmeliti, Paarai arbiti,

36 Igali, djali i Natanit pi Zoba, Bani gaditi,

37 Zeleku amoniti, Nahrai beerotiti, që ia ka bart armët Joabit, djalit të Zerujës,

38 Ira jitriti, Garebi jitriti,

39 edhe Uria hititi – gjithsej 37 veta.