Letra e dytë e Samuelit 3
1 Lufta mes shpisë së Saulit edhe shpisë së Davidit ka vazhdu gjatë. Davidi u bo gjithnjë e ma i fortë, kurse shpija e Saulit gjithnjë e ma e dobët.
2 Ndërkohë, Davidit i kanë lind djem n'Hebron. Djali i tij i parë u konë Amnoni, që e ka pas me Ahinoamin pi Jezreelit.
3 I dyti u konë Kileabi, që e ka pas me Abigailin, vejën e Nabalit, karmelitit. I treti u konë Absalomi, djali i Maakës, vajzës së Talmait, mbretit t'Geshurit.
4 I katërti u konë Adonija, djali i Hagithit, kurse i pesti Shefatja, djali i Abitalit.
5 Djalin e gjashtë, Jithreamin, Davidi e ka pas me gruen e vet Eglën. Krejt këta djem i kanë lind Davidit n'Hebron.
6 Derisa lufta mes shpisë së Saulit edhe shpisë së Davidit po vazhdojke, Abneri e ka forcu gjithnjë e ma shumë pozitën e vet n'shpinë e Saulit.
7 Sauli e ka pas nji grue anësore me emnin Rizpa, vajza e Ajës. Nji ditë, Ish-Boshethi e ka marrë Abnerin n'pytje: «Pse ke flejt me gruen anësore t'babës tem?»
8 Abneri u idhnu shumë pi fjalët e Ish-Boshethit edhe i tha: «A jom unë naj kry qeni pi Juda? Deri sot i kom tregu dashni besnike shpisë së babës tand Saulit, vllaznive t'tij edhe shokëve t'tij, edhe kurrë s'të kom tradhtu te Davidi. E ti sot po m'kërkon llogari për nji punë që ka t'bojë me nji grue?
9 Zoti ma ktheftë dyfish, nëse unë s'e boj për Davidin tamam qka ia ka premtu Jehova me betim:
10 me ia marrë mbretninë shpisë së Saulit edhe me ia forcu fronin Davidit mbi Izraelin edhe Judën, pi Dani deri n'Beershebë.»
11 Ish-Boshethi s'ka mujt me ia kthy Abnerit as nji fjalë t'vetme, se u tut pi tij.
12 Menjiherë Abneri ka çu lajmëtarë te Davidi me e vet: «Kujt i takon ky ven?» Edhe i ka çu fjalë: «Lidhe nji besëlidhje me mu, edhe unë kam me bo krejt qka muj që krejt Izraelin me ta kthy n'anën tane.»
13 Davidi iu përgjigj: «Mirë! Unë kam me lidh nji besëlidhje me ty. Veç nji sen po ta kërkoj: mos provo me m'dalë përpara syve pa e marrë me veti Mikalën, vajzën e Saulit, kur t'vjen me m'taku.»
14 Pastaj Davidi ka çu lajmëtarë te Ish-Boshethi, djali i Saulit, edhe i ka çu fjalë: «Ma jep gruen tem Mikalën. Unë jom feju me të për 100 lëkura t'rrethpremjes t'filistinëve.»
15 Atëherë Ish-Boshethi ka urdhnu me e marrë Mikalën pi burri i saj, Paltieli, djali i Laishit.
16 Po burri i saj ka shku bashkë me të, tu kajt e tu e përcjell deri n'Bahurim. Atëherë Abneri i tha: «Shko, kthehu mbrapa!» Edhe aj u nis me u kthy.
17 Ndërkohë, Abneri u ka çu fjalë pleqve t'Izraelit: «Ju ka kohë që keni dashtë me e pas Davidin për mbret.
18 Tash veproni! Se Jehova i ka thanë Davidit: ‘Përmes shërbëtorit tem Davidit kam me e shpëtu popullin tem Izraelin pi duert e filistinëve edhe pi krejt armiqve tjerë.’»
19 Abneri ka folë edhe me benjaminitët. Pastaj ka shku te Davidi n'Hebron, me folë veçmas me të edhe me i kallxu për qka jonë marrë vesh Izraeli edhe krejt shpija e Benjaminit.
20 Kur Abneri ka ardh n'Hebron me 20 burra, Davidi ka shtru nji sofër për ta.
21 Abneri i tha Davidit: «M'lejo me shku e me ta mbledh krejt Izraelin para teje, o zotnia jem e mbreti jem, që ata me lidh nji besëlidhje me ty, edhe ti me u bo mbret mbi krejt qka dëshiron.» Atëherë Davidi e ka lanë me shku, edhe Abneri ka shku n'paqe.
22 Bash n'atë moment, Joabi edhe burrat e Davidit jonë kthy pi nji sulm edhe kanë pru shumë plaçkë me veti. Abneri s'u konë ma n'Hebron, se Davidi veç sa e kish lanë me shku n'paqe.
23 Kur Joabi ka mbrri me krejt ushtrinë e vet, i kanë tregu: «Abneri, djali i Nerit, u konë te mbreti, edhe mbreti e ka lanë me shku n'paqe.»
24 Atëherë Joabi ka shku te mbreti edhe i tha: «Qka ke bo kështu? Abneri paska ardh te ti, e ti e paske lanë me shku, sa që aj ka mujt me ik?
25 Ti e njeh mirë Abnerin, djalin e Nerit! Aj ka ardh veç me t'mashtru, me i marrë vesh krejt hapat e tu edhe me ditë gjithçka që je tu bo.»
26 Atëherë Joabi ka dalë pi Davidi edhe ka çu lajmëtarë mbrapa Abnerit. Ata e kanë kthy Abnerin pi sterna e Sirës. Po Davidi s'ka ditë kurgjo për këtë punë.
27 Kur Abneri u kthy n'Hebron, Joabi e ka marrë anash, mbrenda portës, me folë vetëm për vetëm me të. Po aty ia ka ngul shpatën n'bark edhe Abneri ka vdek. Kështu Joabi e ka marrë hakun për vdekjen e vllaut t'vet Asahelit.
28 Kur Davidi e ka marrë vesh ma vonë, ka thanë: «Unë edhe mbretnia jeme jemi përgjithmonë pa faj para Jehovës për gjakun e Abnerit, djalit t'Nerit.
29 Faji i raftë mbi kry Joabit edhe krejt shpisë së babës t'tij! N'shpinë e Joabit mos mungoftë kurrë dikush që vuen pi rrjedhja e trupit, që ka lebër, që punon me boshtin e tjerrjes, që vritet me shpatë a që mbetet pa bukë!»
30 Kështu Joabi edhe vllau i tij Abishai e kanë vra Abnerin, se aj ua ka vra vllaun Asahelin n'luftë n'Gibeon.
31 Pastaj Davidi i tha Joabit edhe njerëzve që jonë konë me të: «Shqyeni teshat tuaja, veshuni me thes edhe vajtojeni vdekjen e Abnerit.» Vetë mbreti David ka ecë mbrapa vigut ku e kanë bart trupin e Abnerit.
32 Abnerin e kanë varros n'Hebron. Mbreti ka kajt me za t'naltë te varri i tij, edhe krejt populli ka plas n'vaj.
33 Pastaj mbreti ka knu këtë kangë vajtimi për Abnerin:
«A u dashtë Abneri me vdek si nji njeri pa nder?
34 Duert e tua s'jonë konë t'lidhuna, as kambët
e tua s'jonë konë n'pranga. Ti ke ra
si nji njeri që bjen para kriminelëve.»
Atëherë krejt populli ka kajt prapë për të.
35 Ma vonë, sa u konë hala ditë, krejt njerëzit kanë ardh me i pru bukë Davidit për me e ngushllu. Po Davidi u betu: «Zoti ma ktheftë dyfish, nëse unë ha bukë a çkado tjetër para se me perëndu dielli!»
36 Krejt njerëzit e kanë marrë vesh këtë edhe u ka pëlqy, qysh u pëlqejke gjithçka që bonte mbreti.
37 Kështu krejt njerëzit edhe krejt Izraeli e kanë ditë që mbreti s'kish faj për vdekjen e Abnerit, djalit t'Nerit.
38 Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve t'vet: «A s'e dini që sot n'Izrael ka ra nji burrë i madh edhe udhëheqës?
39 Edhe pse jom vajos për mbret, sot jom i dobët, edhe këta burra, djemtë e Zerujës, jonë tepër t'ashpër për mu. Jehova ia ktheftë t'keqen atij që bon keq!»