Letra e dytë e Samuelit 5
1 Me kalimin e kohës, krejt fiset e Izraelit kanë ardh te Davidi n'Hebron edhe i kanë thanë: «Kqyre! Na jemi gjak i njajtë.
2 Ma herët, kur Sauli u konë mbreti jonë, ti i ke udhëheq ushtritë e Izraelit n'luftë. Edhe Jehova t'ka thanë: ‘Ti ke me konë bari i popullit tem Izraelit edhe udhëheqës i Izraelit.’»
3 Kështu krejt pleqtë e Izraelit kanë ardh te mbreti n'Hebron, edhe aty mbreti David ka lidh nji besëlidhje me ta para Jehovës. Pastaj ata e kanë vajos Davidin për mbret t'Izraelit.
4 Davidi i ka pas 30 vjet kur u bo mbret, edhe ka sundu 40 vjet.
5 Pi Hebronit ka sundu mbi Judën 7 vjet e 6 muj. Kurse pi Jerusalemit ka sundu mbi krejt Izraelin edhe Judën 33 vjet.
6 Nji ditë, mbreti bashkë me burrat e tij ka shku drejt Jerusalemit me luftu kundër jebusitëve që jetojshin n'atë ven. Po ata e kanë përqesh Davidin, tu i thanë: «Ti kurrë s'ke me mujt me hi këtu! Edhe t'verbrit e t'çalët kanë me t'përzanë.» Se ata mendoshin: «Davidi kurrë s'ka me mujt me hi këtu.»
7 Po Davidi e ka pushtu kalanë e Sionit, që sot quhet qyteti i Davidit.
8 Atë ditë Davidi ka thanë: «Kush i sulmon jebusitët, le t'shkojë nëpër tunelin e ujit me i vra ‘t'çalët edhe t'verbrit’, që unë i urrej!» Për këtë arsye thuhet: «I verbri a i çalti kurrë s'ka me hi n'shpi.»
9 Pastaj Davidi u vendos n'kala, edhe ajo u qujt qyteti i Davidit. Davidi ia ka nis me ndërtu gjithkah përreth, pi murit mbrojtës kah mbrendia.
10 Davidi u bo gjithnjë e ma i fortë, edhe Jehova, Zoti i ushtrive, u konë me të.
11 Mbreti Hiram i Tirit ka çu lajmëtarë te Davidi, bashkë me dru cedri, mjeshtra t'drunit edhe mjeshtra që ndërtojshin mure me gurë. Edhe ata ia kanë nis me ia ndërtu nji pallat Davidit.
12 Davidi e ka kuptu që Jehova ia ka forcu pozitën si mbret i Izraelit edhe ia ka ngrit nderin mbretnisë së tij për hatër t'popullit t'vet Izraelit.
13 Masi u shpërngul pi Hebroni n'Jerusalem, Davidi ka marrë edhe gra tjera anësore edhe gra tjera, edhe i kanë lind edhe ma shumë djem e vajza.
14 Këta jonë emnat e djemve që i kanë lind n'Jerusalem: Shammua, Shobab, Nathan, Salomo,
15 Jibhar, Elishua, Nefeg, Jafia,
16 Elishama, Eljada edhe Elifelet.
17 Kur filistinët e kanë ni që Davidi u vajos për mbret t'Izraelit, krejt jonë nis me e kërku. Davidi e ka marrë vesh këtë edhe ka shku n'kalanë n'mal.
18 Filistinët kanë ardh n'luginën e Refaimit edhe jonë shpërnda aty.
19 Davidi e ka vet Jehovën: «A me shku me luftu kundër filistinëve? A ke me m'i dhanë n'dorë?» Atëherë Jehova iu përgjigj Davidit: «Shko! Se unë pa tjetër kam me t'i dhanë filistinët n'dorë.»
20 Kështu Davidi ka shku n'Baal-Perazim. Aty Davidi i ka mund filistinët edhe ka thanë: «Jehova i ka ça rreshtat e armiqve para meje, qysh i çan uji me vrull pengesat.» Për këtë arsye aj ven u qujt Baal-Perazim.
21 Filistinët i kanë lanë idhujt e vet aty, edhe Davidi me burrat e tij i kanë marrë e i kanë largu.
22 Ma vonë, filistinët kanë ardh prapë edhe jonë shpërnda n'luginën e Refaimit.
23 Kur Davidi e ka vet Jehovën, aj iu përgjigj: «Mos i sulmo drejt për drejt! Sillu përreth tyne edhe sulmoji pi mbrapa, përballë shkurreve Baka.
24 E kur ta nin zhurmën si t'hapave t'ushtrisë n'majë t'shkurreve Baka, atëherë vepro pa hezitu! Se Jehova ka me shku para teje me e mund ushtrinë e filistinëve.»
25 Davidi ka vepru qysh e ka urdhnu Jehova, edhe i ka mund filistinët gjatë krejt rrugës pi Geba deri n'Gezer.