Letra e dytë e Shembujve 14
1 Në fund Abija ka vdekë edhe e kanë vorros në Qytetin e Davidit. Mas tij, djali i tij Asa u ba mbret. Gjatë mbretnimit të tij, vendi ka pasë qetësi për dhjetë vjet.
2 Asa ka ba qka u konë e mirë edhe e drejtë në sytë e Jehovait, Zotit të vet.
3 Aj i ka hjek altarët e zotave të huj edhe vendet e nalta të adhurimit. I ka thy shtyllat e shenjta edhe i ka pre shtyllat e shenjta pi druni.
4 Përveç kësaj, i ka thanë popullit të Judës me e kërku Jehovain, Zotin e të parëve të tyne, edhe me e zbatu ligjin e urdhnat e tij.
5 Pi krejt qytetet e Judës i ka hjek vendet e nalta të adhurimit edhe vendet ku digjej temjani. Gjatë mbretnimit të tij, mbretnia ka pasë qetësi.
6 Pasi në vend ka pasë qetësi, aj ka ndërtu qytete të fortifikume në Judë. Gjatë atyne viteve, kërkush s’ka luftu kundër tij, se Jehovai i ka dhanë qetësi.
7 Asa i ka thanë popullit të Judës: “Hajde t’i ndërtojmë e t’i forcojmë këto qytete me mure, kulla, dyer edhe shula. Vendi hala asht nën kontrollin tonë, se na e kemi kërku Jehovain, Zotin tonë. E kemi kërku atë, edhe aj na ka dhanë qetësi gjithkah përreth.” Kështu ata i kanë kry me sukses punët e ndërtimit.
8 Asa e ka pasë nji ushtri prej 300 000 burrave pi Juda, të pajisun me mburoja të mëdha edhe heshta. Pi Benjamini kanë ardh 280 000 luftëtarë të fortë. Ata kanë pasë mburoja të vogla edhe harqe për luftë.
9 Masanej Serahu, etiopiani, ka ardh me luftu kundër tyne me nji ushtri prej 1 000 000 ushtarëve edhe 300 karroca lufte. Kur ka mbrri në Mareshë,
10 Asa i ka dal përballë, edhe ushtritë jonë rreshtu për luftë në luginën Zefata, afër Mareshës.
11 Masanej Asa i asht lut Jehovait, Zotit të vet: “O Jehova, për ty s’ka dallim a jon të fortë a s’kanë fuqi ata që ti i ndihmon. Na ndihmo, o Jehova, Zoti jonë, se na kemi besim te ti. Në emnin tand kemi dal me luftu kundër kësaj ushtrie kaq të madhe. O Jehova, ti je Zoti jonë. Mos i le njerëzit me dal ma të fortë se ti.”
12 Atëherë Jehovai ka ba që etiopianët me e hup luftën përballë Asës edhe Judës, e etiopianët kanë ikë.
13 Asa edhe burrat e tij i kanë ndjekë deri në Gerar. Gjithnji e ma shumë etiopianë kanë ra të vdekun, derisa në fund s’ka mbetë asnji gjallë. Jehovai edhe ushtria e tij i kanë shkatërru. Mas kësaj, burrat e Judës kanë marrë shumë plaçkë lufte.
14 Ata i kanë pushtu edhe krejt qytetet përreth Gerarit, se njerëzit e atyne qyteteve i ka kap nji frikë e madhe pi Jehovait. Ushtria i ka plaçkit qytetet, se aty ka pasë shumë sene me marrë.
15 Përveç kësaj, i kanë sulmu edhe çadrat e atyne që mbanin bagëti, edhe kanë marrë shumë dele, dhi e deve. Masanej jonë kthy n’Jerusalem.