Letra e parë e Mbreterve 16

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Jehovai ia ka çu Jehut, djalit të Hananit, nji fjalë kundër Bashës, ku i ka thanë:

2 «Unë t'kam ngrit pi pluhnit edhe t'kam ba udhëheqës të popullit tem Izrael. Po ti ke ecë rrugës së Jerobeamit edhe e ke shty popullin tem Izrael me ba mëkate, e me ato mëkate m'kanë fye.

3 Për këtë arsye, kam me e shfaros Bashën edhe krejt familjen e tij. Familjes së Bashës ka me i ndodh qysh i ka ndodh familjes së Jerobeamit, djalit të Nebatit.

4 Kush pi familjes së Bashës ka me vdekë në qytet, qentë kanë me e hangër, e kush ka me vdekë në fushë, zogjtë kanë me e hangër.»

5 Krejt senet tjera për historinë e Bashës, qka ka ba aj edhe sa fuqi ka pasë, jonë të shkrume në librin e historisë së mbretërve të Izraelit.

6 Pastaj Basha ka vdekë, edhe e kanë varros në Tirza. Mas tij, djali i vet Ela u ba mbret.

7 Jehovai, përmes profetit Jehu, djalit të Hananit, e ka çu nji fjalë kundër Bashës edhe familjes së tij, se Basha ka ba shumë sene të kqija në sytë e Jehovait edhe e ka fye me veprat e veta, qysh ka ba edhe familja e Jerobeamit, edhe se e kish mbyt atë.

8 Në vitin e 26-të të mbretit Asa të Judës, Ela, djali i Bashës, u ba mbret i Izraelit në Tirza. Ela ka mbretëru dy vjet.

9 Shërbëtori i tij Simri, që i kish nën urdhën gjysmën e karrocave të luftës, ka ba plan fshehtas kundër Elës, derisa ky u konë tu u dehë në Tirza, në shpinë e Arzës, që kujdesej për pallatin e mbretit.

10 Simri ka hi mrena edhe e ka mbyt. Kjo ka ndodh në vitin e 27-të të mbretit Asa të Judës. Pastaj Simri u ba mbret në vend të tij.

11 Sapo Simri u ba mbret edhe u ul në fron, e ka mbyt krejt familjen e Bashës. S'e ka lanë gjallë asnji burrë pi të afërmve edhe shokëve të Bashës.

12 Simri e ka shfaros krejt familjen e Bashës, qysh e kish paralajmëru Jehovai Bashën përmes profetit Jehu.

13 Kjo ka ndodh për shkak të krejt mëkateve që i kanë ba Basha edhe djali i tij Ela, edhe mëkateve që i kanë shty izraelitët me i ba. Ata e kanë fye Jehovain, Zotin e Izraelit, me idhujt e tyne që s'vlejshin kurgjo.

14 Krejt senet tjera për historinë e Elës edhe krejt qka ka ba aj, jonë të shkrume në librin e historisë së mbretërve të Izraelit.

15 Në vitin e 27-të të mbretit Asa të Judës, Simri u ba mbret në Tirza edhe ka mbretëru shtatë ditë. Në atë kohë, ushtria e kish rrethu Gibethonin, që u përkiste Filistinëve.

16 Kur në kampin e ushtrisë u mor vesh që Simri kish ba plan fshehtas kundër mbretit edhe e kish mbyt, izraelitët e kanë ba Omrin, komandantin e ushtrisë, mbret të Izraelit po atë ditë, aty në kamp.

17 Omri edhe izraelitët janë nis pi Gibethonit për në Tirza edhe e kanë rrethu qytetin.

18 Kur Simri e ka pa që qyteti u pushtu, ka hi në kullën mbrojtëse të pallatit të mbretit. Ia ka shti flakën pallatit ku u konë vet edhe ka vdekë.

19 Kjo ka ndodh për shkak të mëkateve të veta, se aj ka ba qka u konë keq në sytë e Jehovait, ka ecë rrugës së Jerobeamit edhe e ka ba mëkatin që e ka shty Izraelin me e ba.

20 Krejt senet tjera për historinë e Simrit edhe planin e fshehtë që e ka ba kundër mbretit, jonë të shkrume në librin e historisë së mbretërve të Izraelit.

21 Në atë kohë, populli i Izraelit u nda në dy grupe. Nji pjesë kanë marrë anën e Tibnit, djalit të Ginathit, edhe kanë dashtë me e ba mbret, kurse pjesa tjetër e kanë përkrah Omrin.

22 Ata që e kanë përkrah Omrin jonë konë ma të fortë se ata që e kanë përkrah Tibnin, djalin e Ginathit. Tibni ka vdekë, edhe Omri u ba mbret.

23 Në vitin e 31-të të mbretit Asa të Judës, Omri u ba mbret i Izraelit. Aj ka mbretëru 12 vjet, e gjashtë pi tyne në Tirza.

24 Për 2 talenta argjend, aj ia ka ble Shemerit malin e Samarisë edhe ka ndërtu nji qytet mbi to. Ia ka lanë emnin Samaria, mas emnit të Shemerit, që u konë pronari i përparshëm i malit.

25 Omri ka vazhdu me ba qka u konë keq në sytë e Jehovait. Aj u konë ma i keq se krejt ata që kanë sundu para tij.

26 Aj ka ecë të njajtave rrugë si Jerobeami, djali i Nebatit, edhe e ka ba mëkatin që Jerobeami e kish shty Izraelin me e ba. Ata e kanë fye Jehovain, Zotin e Izraelit, me idhujt e tyne që s'vlejshin kurgjo.

27 Krejt senet tjera për historinë e Omrit, qka ka ba aj edhe sukseset e mëdha që i ka pasë, jonë të shkrume në librin e historisë së mbretërve të Izraelit.

28 Në fund Omri ka vdekë, edhe e kanë varros në Samaria. Mas tij, djali i vet Ahab u ba mbret.

29 Në vitin e 38-të të mbretit Asa të Judës, Ahab, djali i Omrit, u ba mbret i Izraelit. Aj ka mbretëru 22 vjet në Samaria.

30 Në sytë e Jehovait, Ahabi, djali i Omrit, u konë ma i keq se krejt ata që kanë sundu para tij.

31 Aj i ka ba të njajtat mëkate si Jerobeami, djali i Nebatit. E sikur kjo mos me mjaftu, e ka marrë për grue edhe Izebelën, çikën e Ethbaalit, mbretit të Sidonit, edhe ka nis me i shërby Baalit e me u përkul para tij.

32 Përveç kësaj, aj e ka ndërtu nji altar për Baalin në tempullin e Baalit, që e kish ndërtu në Samaria.

33 Ahabi e ka ngrit edhe nji shtyllë të shenjtë. Aj e ka fye Jehovain, Zotin e Izraelit, ma shumë se krejt mbretërit e Izraelit që kanë sundu para tij.

34 Gjatë kohës kur Ahabi u konë mbret, Hieli pi Betheli e ka ndërtu prapë Jerihon. Kur i ka qit themelet, e ka humbë djalin e vet të parë, Abiramin, e kur i ka vendos portat, e ka humbë djalin e vet ma të vogël, Segubin. Kjo ka ndodh qysh e kish paralajmëru Jehovai përmes Joshuas, djalit të Nunit.