Letra e parë e Mbreterve 20
1 Masanej, mbreti Ben-Hadad i Sirisë e ka mbledh krejt ushtrinë e vet, bashkë me 32 mbretër tjerë, me kuajt edhe qerret e tyne të luftës. Aj u nis me luftu kundër Samarisë edhe e rrethoi qytetin.
2 Masanej i çoi do lajmëtarë në qytet te mbreti Ahab i Izraelit, me ia thanë: “Kështu thotë Ben-Hadadi:
3 ‘Argjendi edhe ari yt jonë të mitë, edhe gratë e tua ma të mira e djemtë e tu ma të mirë jonë të mitë.’”
4 Mbreti i Izraelit iu përgjigj: “Qysh po thu ti, o zotnia jem edhe mbreti jem. Unë jom i yti, bashkë me krejt qka kom.”
5 Ma vonë, lajmëtarët u kthynë apet edhe ia prunë kët lajm: “Kështu thotë Ben-Hadadi: ‘Unë të kom çu fjalë ma herët: “Ti ki me m’i dhanë argjendin, arin, gratë edhe djemtë e tu.”
6 Ama nesër, bash në kët kohë, kom me i çu njerëzit e mi te ti. Ata kanë me ta kontrollu mirë shpinë tane edhe shpitë e shërbëtorëve tu, edhe krejt senet e vlefshme që i ki, kanë me t’i marrë e me i çu me veti.’”
7 Atëherë mbreti i Izraelit i ka thirr krejt pleqtë e vendit edhe u ka thanë: “Ju lutna, kqyrni edhe kuptojeni që ky njeri po don me na shti në bela. Aj m’i ka lypë gratë, djemtë, argjendin edhe arin, e unë s’ia kom refuzu.”
8 Atëherë krejt pleqtë edhe të tjerët e këshillun: “Mos e ngo edhe mos prano qka po të lyp.”
9 Kështu që aj u tha lajmëtarëve të Ben-Hadadit: “Thujani zotnis tem edhe mbretit tem: ‘Krejt qka më ke lypë herën e parë mu, shërbëtorit tand, kom me e bo. Ama kët kërkesën tjetër s’muj me ta pranu.’” Lajmëtarët u nisën edhe ia çunë kët lajm Ben-Hadadit.
10 Atëherë Ben-Hadadi i çoi fjalë: “Zotat më dënofshin dyfish, nëse pi Samarisë metet aq shumë rrënojë, sa me marrë secili pi njerëzve të mi nga nji grusht!”
11 Mbreti i Izraelit iu përgjigj: “Thujani: ‘Aj që po e vesh armaturën për luftë, mos të lavdrohet qysh lavdrohet aj që po e hjek mas luftës.’”
12 Ben-Hadadi edhe mbretërit ishin tu nejt në çadrat e tyne e tu pi, kur aj e mori kët lajm. Menjiherë u dha urdhën njerëzve të vet: “Bohuni gati për sulm!” Edhe ata u bonë gati me e sulmu qytetin.
13 Atëherë nji profet ka ardh te mbreti Ahab i Izraelit edhe i ka thanë: “Kështu thotë Jehova: ‘A po e sheh krejt qat ushtri të madhe? Sot kom me ta dhanë në dorë, edhe ti ki me e kuptu që unë jom Jehova.’”
14 Ahabi e veti: “Përmes kujt?” Profeti iu përgjigj: “Kështu thotë Jehova: ‘Përmes oficerëve të rinj të qeveritarëve të krahinave.’” Ahabi e veti apet: “Kush ka me ia nis luftës?” Profeti iu përgjigj: “Ti!”
15 Masanej Ahabi i ka numru oficerët e rinj të qeveritarëve të krahinave. Ishin 232 veta. Mas tyne i ka numru edhe krejt ushtarët izraelitë, gjithsej 7 000 burra.
16 Rreth mesditës, ata u nisën për luftë. Në qat kohë, Ben-Hadadi ishte në çadra bashkë me 32 mbretërit që i kishte aleatë, edhe po dehej tu pi.
17 Kur oficerët e rinj të qeveritarëve të krahinave dolën të parët, Ben-Hadadi menjiherë çoi njerëz me kqyr qka po ndodh. Ata u kthynë edhe i thanë: “Po vinë do njerëz pi Samarisë.”
18 Aj u dha urdhën: “Qoftë që po vinë për paqe, qoftë që po vinë për luftë, kapni të gjallë!”
19 Ama kur oficerët e rinj të qeveritarëve të krahinave dolën pi qytetit, bashkë me ushtrinë që po vinte mas tyne,
20 secili e vrau kundërshtarin e vet. Atëherë sirianët ia nisën me ikë, e izraelitët u nisën mas tyne. Ama mbreti Ben-Hadad i Sirisë ia doli me ikë me nji kalë, bashkë me disa kalorës.
21 Mbreti i Izraelit doli edhe i shkatërroi kuajt e qerret e luftës. Kështu sirianët e pësunë nji humbje shumë të randë.
22 Ma vonë, profeti ka ardh apet te mbreti i Izraelit edhe i ka thanë: “Shko, mblidhi forcat e tua edhe mendo mirë qka ki me bo, se në fillim të vitit tjetër, mbreti i Sirisë ka me ardh apet me luftu kundër teje.”
23 Këshilltarët e mbretit të Sirisë i thanë mbretit të vet: “Zoti i tyne asht Zot i maleve. Për qata na kanë mund. Ama nëse luftojmë me ta në tokë të rrafshët, na kemi me fitu.
24 Edhe nji sen tjetër: Hiqi krejt mbretërit pi pozitave të tyne, edhe në ven të tyne qiti qeveritarë.
25 Masanej mblidhe nji ushtri të madhe, bash sa ushtria që e ke hupë, me po aq kuaj edhe qerre lufte. Hajde të luftojmë me ta në tokë të rrafshët, e atëherë me siguri kemi me i mund.” Mbreti i ngoi këshillat e tyne edhe boni qysh i thanë.
26 Në fillim të vitit, Ben-Hadadi i ka mbledh sirianët edhe i ka çu në Afek, me luftu kundër Izraelit.
27 Edhe izraelitët u mblodhën edhe u furnizun me ushqim. Masanej u nisën përballë sirianëve edhe e ngritën kampin përballë tyne. Izraelitët dukeshin si dy kope të vogla dhish, në krahasim me sirianët që e kishin mbulu krejt vendin.
28 Atëherë njeriu i Zotit të vërtetë ka ardh te mbreti i Izraelit edhe i ka thanë: “Kështu thotë Jehova: ‘Pasi sirianët kanë thanë: “Jehova asht Zot i maleve, e jo i fushave të rrafshëta”, unë kom me ta dhanë në dorë krejt qet ushtri të madhe, edhe ju pa tjetër keni me e kuptu që unë jom Jehova.’”
29 Shtatë ditë kanë nejt në kampe përballë njani-tjetrit. Ditën e shtatë ia nisi lufta. Izraelitët i vranë 100 000 ushtarë sirianë që luftojshin në kambë, krejt brenda nji dite.
30 Ata që metën gjallë ikën në Afek. Ama muri i qytetit u rrëzu edhe i zuni përfundi 27 000 pi tyne. Edhe Ben-Hadadi iku në qytet edhe u mshef në qoshen ma të largët të nji shpije.
31 Atëherë këshilltarët e tij i thanë: “Kemi ni që mbretërit e shpisë së Izraelit i trajtojnë mirë të tjerët. Hajde t’i lidhim do pëlhura thesi rreth belit, ta qesim nji konop rreth qafës edhe të shkojmë te mbreti i Izraelit. Ndoshta ta fal jetën.”
32 Kështu ata i lidhën pëlhurat e thesit rreth belit, i qitën konopat rreth qafës edhe shkunë te mbreti i Izraelit. I thanë: “Shërbëtori yt Ben-Hadadi po thotë: ‘Të lutna, ma fal jetën.’” Ahabi i veti: “A asht hala gjallë? Aj asht vllau jem.”
33 Ata burra e morën kët si nji shenjë të mirë edhe menjiherë ia kapën fjalën. I thanë: “Po, Ben-Hadadi asht vllau yt.” Ahabi u tha: “Shkoni edhe ma bini këtu.” Atëherë Ben-Hadadi doli te Ahabi, edhe Ahabi e la me hyp në qerren e vet.
34 Ben-Hadadi i tha: “Unë kom me t’i kthy qytetet që baba jem ia ka marrë babës tand. Edhe ti
munesh me hap tregje në Damask, qysh ka bo baba jem në Samari.” Ahabi iu përgjigj: “Me qeto kushte, kom
me të lanë me shku.” Masanej, kur u morën vesh për qeto kushte, Ahabi e la Ben-Hadadin me shku.
35 Me urdhën të Jehovës, njani pi bijve të profetëve i ka thanë nji tjetrit: “Të lutna, më bjer!” Ama aj njeri s’pranoi me i ra.
36 Atëherë profeti i tha: “Pasi s’e ke ngu zanin e Jehovës, sapo të largohesh pi këtu, nji luan ka me të vra.” Kur aj njeri u largu, nji luan iu vërsul edhe e vrau.
37 Masanej profeti e ka taku nji njeri tjetër edhe i ka thanë: “Të lutna, më bjer!” Atëherë aj njeri i ra edhe e plagosi.
38 Masanej profeti vazhdoi rrugën edhe e priti mbretin buzë rrugës. Për mos me u njoft, e kishte lidh nji fashë përmi sy.
39 Kur mbreti kaloi aty, profeti i thirri: “O mbreti jem, unë isha në mes të luftës, kur nji njeri ma pruni nji të burgosun edhe më tha: ‘Ruje mirë ket njeri. Nëse të ikë, ti ki me e hup jetën në ven të tij, ose ki me pagu nji talent argjend.’
40 Ama, o mbreti jem, derisa unë isha i nxanë me do punë tjera, përnjiherë aj njeri u zhduk.” Mbreti i Izraelit iu përgjigj: “Qashtu ka me kon dënimi yt. Ti vet e ke vendos.”
41 Atëherë profeti e hoqi shpejt fashën pi syve, edhe mbreti i Izraelit e njohu që aj u konë njani pi profetëve.
42 Profeti i tha Ahabit: “Kështu thotë Jehova: ‘Ti e ke lanë me ikë njeriun që unë kom dasht me u shkatërru. Për qata ti ki me e hup jetën në ven të tij, edhe populli yt ka me e hup jetën në ven të popullit të tij.’”
43 Mas kësaj, mbreti i Izraelit u nis për në Samari edhe shkoi në shpinë e vet, krejt i mrrolun edhe i mërzitun.