Letra e parë e Mbreterve 21
1 Mas do kohe ka ndodh ky sen: Nabothi pi Jezreelit e ka pas nji vnesht në Jezreel. Qajo vnesht u konë ngat pallatit të Ahabit, mbretit të Samarisë.
2 Ahabi i ka thanë Nabothit: „Ma jep vneshtën tane. Ajo asht ngat shpisë teme, edhe po du me e bo kopsht për perime. Si ndrrim ta jap nji vnesht ma të mirë. Ose, nëse e ki ma për qef, ta blej.“
3 Po Nabothi i ka kthy Ahabit: „Kurrë s’ta jap trashëgiminë e t’parëve t’mi. Për Jehovën, as që mendohet nji sen i tillë.“
4 Atëherë Ahabi ka shku në shpi shumë i mërzitun edhe me nerva, se Nabothi pi Jezreelit i kish thanë: „S’ta jap trashëgiminë e t’parëve t’mi.“ Aj u shtri në shtrat, e ktheu ftyrën anash edhe s’ka dasht me hangër kurgjo.
5 Kur ka hi gruja e tij, Izebela, e ka vetë: „Pse je kaq i mërzitun, sa s’po don me hangër kurgjo?“
6 Aj i ka thanë: „I kom thanë Nabothit pi Jezreelit: ‘Ma shit vneshtën tane. Ose, nëse e ki ma për qef, ta jap nji tjetër n’ven të saj.’ Po aj m’ka thanë: ‘S’ta jap vneshtën teme.’“
7 Gruja e tij, Izebela, ia ka kthy: „A s’je ti mbret në Izrael? Çohu, ha diçka edhe mos u mërzit ma. Unë kam me u kujdes që ti me e marrë vneshtën e Nabothit pi Jezreelit.“
8 Masanej ajo ka shkru letra në emën të Ahabit, i ka vulos me vulën e tij edhe ua ka çu pleqve edhe burrave me ndikim që jetojshin në qytetin e Nabothit.
9 Në letra ka shkru: „Shpallni nji agjërim edhe ulne Nabothin krejt përpara njerzve.
10 Le t’ulen përballë tij dy burra pa pikë vlere edhe le të dëshmojnë kundër tij tu thanë: ‘Ti e ke mallku Zotin edhe mbretin.’ Masanej qiteni jashtë edhe mbytne me gurë.“
11 Burrat e qytetit, pleqt edhe burrat me ndikim që jetojshin aty, i kanë bo krejt qysh shkrujke në letrat që ua ka çu Izebela.
12 Kanë shpallë nji agjërim edhe e kanë ulë Nabothin krejt përpara njerzve.
13 Masanej kanë ardh dy burra pa pikë vlere, janë ulë përballë Nabothit edhe kanë nisë me dëshmu kundër tij para njerzve, tu thanë: „Nabothi e ka mallku Zotin edhe mbretin!“ Masanej e kanë nxjerrë jashtë qytetit edhe e kanë mbyt me gurë.
14 Izebelës ia kanë çu lajmin: „Nabothin e kanë mbyt me gurë.“
15 Sapo Izebela e ka marrë vesh që Nabothin e kanë mbyt me gurë, i ka thanë Ahabit: „Nabothi pi Jezreelit s’asht ma gjallë. Aj ka dekë. Çohu edhe merre vneshtën që aj s’ka dasht me ta shit!“
16 Kur Ahabi e ka ni që Nabothi ka dekë, ka zhdryp menjëherë te vneshta e tij me e marrë për veti.
17 Jehovai i ka dhanë Elisë pi Tishbes këtë urdhën:
18 „Çohu, shko në Samari te Ahabi, mbreti i Izraelit. Aj ka shku te vneshta e Nabothit edhe po don me e marrë për veti.
19 Thuji: ‘Kështu thotë Jehovai: «A e ke vra nji njeri edhe ia ke marrë pronën?»’ Masanej thuji: ‘Kështu thotë Jehovai: «Në venin ku qentë e kanë lëpi gjakun e Nabothit, kanë me e lëpi edhe gjakun tand.»’“
20 Ahabi i ka thanë Elisë: „Pra, m’gjete, o armiku jem!“ Elia ia ka kthy: „Të gjeta. Zoti po ta çon këtë fjalë: ‘Pasi që ti je i vendosun me bo qka asht keq në sytë e Jehovait,
21 unë kam me ta pru fatkeqësinë. Kam me fshi krejt qka len ti mas veti. Kam me i zhduk krejt pasardhësit meshkuj të Ahabit, edhe ata që jonë pa ndihmë edhe ata që jonë të dobët në Izrael.
22 Pasi që ma ke shti zemrimin edhe e ke shty Izraelin me bo gjynahe, unë kam me ja bo shpisë tane njajt si shpisë së Jeroboamit, djalit të Nebatit, edhe shpisë së Bashës, djalit të Ahijas.’
23 Edhe për Izebelën Jehovai ka thanë: ‘Qentë kanë me e hangër Izebelën në fushën e Jezreelit.
24 Kushdo pi familjes së Ahabit që vdes në qytet, qentë kanë me e hangër. E kush vdes jashtë qytetit, shpezët kanë me e hangër.
25 Kurrë s’ka pas njeri si Ahabi, që me vetëdije e ka zgjedh me bo qka asht keq në sytë e Jehovait, se gruja e tij Izebela e ka shty me vepru qashtu.
26 Aj ka bo sene shumë të neveritshme. Ka shku mas idhujve të flliqtë, qysh kanë bo amoritët, që Jehovai i ka përzanë pi vendit para izraelitëve.’“
27 Kur Ahabi i ka ni këto fjalë, i ka shqy teshat e veta edhe ka vesh tesha thesi. Ka agjëru, ka flejt me tesha thesi edhe ka ecë përreth i mërzitun.
28 Masanej Jehovai i ka çu Elisë pi Tishbes këtë fjalë:
29 „A e pe qysh u përul Ahabi para meje? Pasi që aj u përul para meje, unë s’kam me ia pru fatkeqësinë shpisë së tij sa t’jetë aj gjallë. Po kam me ia pru në kohën e djalit të tij.“