Letra e parë e Samuelit 30

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Kur Davidi edhe burrat e tij kanë mbrri në Ziklag ditën e tretë, amalekitët veç e kishin sulmu jugun edhe Ziklagun. Ata e kishin sulmu Ziklagun edhe e kishin kallë.

2 Gratë edhe krejt ata që u konë aty i kishin marrë rob, pi ma të voglit e deri te ma i madhi. I kishin marrë me veti edhe kishin shku rrugës së vet, po s’e kishin vra kërkon.

3 Kur Davidi edhe burrat e tij kanë ardhë në qytet, e kanë pa që qyteti u kallë krejt, edhe që gratë, djemtë e vajzat e tyne i kishin marrë rob e i kishin çu me veti.

4 Atëherë Davidi edhe burrat e tij ia kanë nisë me kajtë me za të naltë, derisa ju ka hupë krejt fuqia pi të kajtunit.

5 Edhe dy gratë e Davidit i kishin marrë rob: Ahinoamën pi Jezreelit edhe Abigailën, të vejën e Nabalit pi Karmelit.

6 Davidi u konë në hall shumë të madh, se burrat e tij kanë folë me e mytë me gurë. Krejt u konë shumë të mërzitun për djemtë edhe vajzat e veta. Po Davidi ka marrë fuqi te Jehova, Zoti i vet.

7 Masanej Davidi i ka thanë priftit Abjathar, djalit të Ahimelekut: “Të lutna, ma bjer efodin!” Edhe Abjathari ia ka pru.

8 Atëherë Davidi e ka vetë Jehovën: “A me ju shku mas këtij grupi që ka plaçkitë? A kam me i zanë?” Jehova i ka kthy përgjigje: “Shko mas tyne! Ke me i zanë pa tjetër edhe ke me i shpëtu krejt.”

9 Menjiherë Davidi u nis bashkë me 600 burrat që i ka pasë me veti. Kanë mbrri deri te përroi Besor, ku disa pi tyne kanë mbetë mbrapa.

10 Davidi ka vazhdu me ju shku mas bashkë me 400 burra, se 200 burrat tjerë kanë mbetë mbrapa. Ata u konë tepër të lodhun edhe s’kanë mujtë me e kalu përroin Besor.

11 Në fushë e kanë gjetë nji egjiptian edhe e kanë çu te Davidi. I kanë dhanë me hangër edhe me pi ujë.

12 Masanej i kanë dhanë edhe nji copë kulaçi me fiq të shtypun edhe dy kulaçë me rrush të thatë. Kur ka hangër, i ka ardhë fuqia prapë, se tri ditë e tri net s’kish hangër kurgjo e as s’kish pi ujë.

13 Davidi e ka vetë: “I kujt je ti edhe pi kah je?” Aj i ka thanë: “Unë jom egjiptian, shërbëtor e skllav i nji amalekiti. Po zotnia jem më ka lanë mbrapa, se para tri ditëve jom smu.

14 Na e kemi sulmu anën jugore të keretitëve, vendin e Judës edhe anën jugore të Kalebit. Edhe Ziklagun e kemi kallë.”

15 Atëherë Davidi e ka vetë: “A munesh me më çu te ky grup që ka plaçkitë?” Aj i ka thanë: “Kam me të çu te ata, veç nëse më betohesh në Zotin që s’ke me më vra edhe s’ke me më dorëzu te zotnia jem.”

16 Qashtu aj e ka çu Davidin te plaçkitësit. Ata u kishin shpërnda gjithkah nëpër atë vend edhe po festojshin, po hajshin e po pijshin, se kishin marrë shumë plaçkë pi vendit të filistinëve edhe pi vendit të Judës.

17 Davidi i ka sulmu pi agimit e deri në mramjen e ditës tjetër edhe i ka shkatërru. Asnjani s’ka pshtu, përveç 400 burrave që kanë ikë me deve.

18 Davidi e ka marrë prapë krejt qka kishin marrë amalekitët, edhe i ka shpëtu dy gratë e veta.

19 S’ju ka mungu kurgjo pi asaj që u takonte, as e vogël, as e madhe. I kanë marrë prapë djemtë, vajzat edhe krejt plaçkën. Davidi e ka kthy krejt qka ua kishin marrë.

20 Davidi i ka marrë edhe krejt delet e lopët. Burrat e tij i kanë ngajtë përpara bagëtisë së vet edhe kanë thanë: “Kjo asht plaçka e Davidit.”

21 Në fund Davidi ka ardhë te 200 burrat që u konë tepër të lodhun me shku bashkë me të, e për qata kishin mbetë te përroi Besor. Ata kanë dalë me e pritë Davidin edhe burrat e tij. Kur Davidi ka ardhë te ta, i ka vetë qysh jonë.

22 Po krejt burrat e këqij e që s’vlejshin kurgjo, pi atyne që kishin shku me Davidin, kanë thanë: “Këta s’kanë ardhë me neve, për qata s’kemi me ju dhanë kurgjo pi plaçkës që e kemi marrë prapë. Le t’i marrin gratë edhe djemtë e vet e le të shkojnë.”

23 Po Davidi u ka thanë: “Jo, vllazni, s’bon me vepru qashtu me atë që na e ka dhanë Jehova. Aj na ka rujtë edhe na e ka dorëzu në durt tona grupin që na ka sulmu.

24 Kush ka me ju dhanë të drejtë për këtë punë? Aj që ka shku në luftë ka me marrë po aq sa aj që ka nejtë me rujtë plaçkat. Krejt kanë me i nda barabartë.”

25 Qysh pi asaj dite, kjo u bo rregull edhe ligj në Izrael.

26 Kur Davidi u kthy në Ziklag, u ka çu nji pjesë pi plaçkës pleqve të Judës, që i ka pasë miq, edhe u ka thanë: “Kjo asht nji dhuratë pi plaçkës që e kemi marrë pi armiqve të Jehovës.”

27 U ka çu dhurata atyne në Bethel, në Ramoth të Negebit edhe në Jatir,

28 në Aroer, Sifmoth edhe Eshtemoa,

29 në Rakal, atyne në qytetet e jerahmeelitëve edhe në qytetet e kenitëve,

30 atyne në Horma, Bor-Ashan edhe Athak,

31 atyne në Hebron edhe në krejt vendet ku Davidi edhe burrat e tij kishin shku shpesh.