Letra e parë e Samuelit 4

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Fjalët e Samuelit kanë mbërri te krejt Izraeli. Masanej izraelitët kanë dalë në luftë kundër filistinëve.
Ata e kanë ngritë kampin afër Eben-Ezerit, kurse filistinët e kanë ngritë kampin afër Afekut.

2 Filistinët janë rreshtu për luftë kundër Izraelit, edhe lufta ka shku keq për izraelitët. Filistinët e kanë mundë Izraelin edhe i kanë vra rreth 4000 burra në fushën e betejës.

3 Kur burrat janë kthy në kamp, pleqtë e Izraelit kanë thanë: “Pse Jehova e ka leju që sot filistinët me na mundë? Hajde ta marrim arkën e besëlidhjes së Jehovës pi Shilos, që me e pasë me veti edhe që ajo me na shpëtu pi duarve të armiqve tonë.”

4 Atëherë kanë çu disa burra në Shilo, edhe ata e kanë marrë që aty arkën e besëlidhjes së Jehovës, Zotit të ushtrive, që rrin në fron përmi kerubinë. Edhe dy djemtë e Elit, Hofni edhe Pinehasi, jonë konë aty te arka e besëlidhjes së Zotit të vërtetë.

5 Sapo arka e besëlidhjes së Jehovës ka hi në kamp, krejt izraelitët kanë nisë me bërtitë pi gëzimit aq fort, sa toka u dridh.

6 Kur filistinët e kanë ni këtë britmë, kanë thanë: “Qka asht kjo britmë kaq e madhe në kampin e hebrenjve?” Masanej e kanë marrë vesh që arka e besëlidhjes së Jehovës ka ardhë në kamp.

7 Atëherë filistinët i ka kapë frika. Kanë thanë: “Zoti ka ardhë në kamp! Morëm fund, se diçka e tillë s'ka ndodhë kurrë ma herët!

8 Morëm fund! Kush ka me na shpëtu pi dorës së këtij Zoti të fuqishëm? Ky asht Zoti që i ka goditë egjiptianët në shkretinë me gjithfarë goditjesh që sjellin vdekje.

9 O filistinë, merrni zemër edhe silluni si burra! Përndryshe keni me ju shërby hebrenjve, qysh ju kanë shërby ata juve. Silluni si burra edhe luftoni!”

10 Qeshtu filistinët kanë dalë në luftë. Izraelitët e kanë hupë betejën edhe krejt kanë ikë nëpër shpijat e veta. U bo nji masakër shumë e madhe, se pi izraelitëve kanë ra në luftë 30 000 ushtarë këmbësorë.

11 Edhe arka e besëlidhjes së Zotit u ka ra në dorë armiqve, kurse Hofni edhe Pinehasi, dy djemtë e Elit, kanë dekë.

12 Nji burrë pi fisit të Benjaminit ka ikë pi fushës së betejës edhe atë ditë ka ardhë në Shilo me tesha të shqyeme edhe me dhe përmi kry.

13 Kur burri ka mbërri, Eli rrinte ulun në karrige buzë rrugës. Aj po kqyrke e po pritke, se zemra i rrinte në merak të madh për arkën e besëlidhjes së Zotit të vërtetë. Burri ka vrapu në qytet për me e kallxu lajmin, edhe krejt qyteti ka shpërthy në britma.

14 Kur Eli i ka ni britmat, ka vetë: “Qka asht krejt kjo zhurmë?” Atëherë burri ka nxitu te Eli për me ia kallxu qka ka ndodhë.

15 (Eli i kishte 98 vjet. Sytë i kishin mbetë pa shikim, edhe s'mujke ma me pa kurgjo.)

16 Burri i ka thanë: “Unë jom aj që po vij pi fushës së betejës! Sot kom ikë pi aty.” Eli e ka vetë: “Qka ka ndodhë, biri jem?”

17 Atëherë lajmëtari i ka kallxu: “Izraeli ka ikë para filistinëve. Populli ka pësu nji humbje të madhe, edhe dy djemtë e tu, Hofni edhe Pinehasi, kanë dekë. Edhe arka e besëlidhjes së Zotit të vërtetë u ka ra në dorë armiqve.”

18 Sapo burri e ka përmendë arkën e besëlidhjes së Zotit të vërtetë, Eli ka ra mbrapsht pi karriges së vet, ngat portës. E ka thy qafën edhe ka dekë, se u konë plak edhe i randë. Për 40 vjet aj ka gjyku në Izrael.

19 Nusja e tij, gruja e Pinehasit, u konë shtatzanë edhe afër kohës me lindë. Sapo e ka marrë vesh që arka e besëlidhjes së Zotit të vërtetë u ka ra në dorë armiqve, edhe që vjehrri e burri i saj kanë dekë, ajo u kërrus, se e kanë kapë dhimbjet e lindjes papritmas, edhe ka nisë me lindë.

20 Kur ajo u konë tu dekë, gratë që rrishin përreth saj i kanë thanë: “Mos u tut, se e linde nji djalë.” Po ajo s'u përgjigj edhe s'ua vuni veshin fjalëve të tyne.

21 Prapëseprapë, ajo ia ka lanë djalit emnin Ikabod. Ka thanë: “Lavdia asht marrë pi Izraelit.” Me këtë e ka pasë fjalën për arkën e besëlidhjes së Zotit të vërtetë që u ka ra në dorë armiqve, edhe për atë qka i ka ndodhë vjehrrit edhe burrit të saj.

22 Ajo ka thanë: “Lavdia asht marrë pi Izraelit, se arka e besëlidhjes së Zotit të vërtetë u ka ra në dorë armiqve.”