Letra e parë e Shembujve 10
1 Kur filistinët kanë luftu kundër Izraelit, ushtarët izraelitë kanë ikë para tyne, edhe shumë prej tyne kanë mbetë të vramë në malin Gilboa.
2 Filistinët i kanë ndjekë këmba-këmbës Saulin edhe djemtë e tij, edhe në fund ia kanë vra tre djemtë: Jonatanin, Abinadabin edhe Malkishuën.
3 Rreth Saulit lufta u bo shumë e ashpër. Shigjetarët e kanë pa edhe e kanë plagosë.
4 Atëherë Sauli i ka thanë atij që ia majke armët: “Nxirre shpatën edhe m’shpo me të! Se përndryshe këta të parrethpremët kanë me ardhë edhe kanë me m’trajtu pa pikë dhimte.” Po aj që ia majke armët s’ka dashtë, se u tut shumë. Atëherë Sauli e ka marrë shpatën edhe u lëshu mbi të.
5 Kur aj që ia majke armët e ka pa që Sauli ka dekë, edhe aj u lëshu mbi shpatën e vet edhe ka dekë.
6 Kështu kanë dekë Sauli edhe tre djemtë e tij. Krejt ata të shpisë së tij kanë dekë bashkë.
7 Kur krejt izraelitët në luginë e kanë pa që të gjithë kanë ikë, edhe që Sauli e djemtë e tij s’jonë ma gjallë, i kanë lanë qytetet e veta edhe kanë ikë. Masanej filistinët kanë ardhë edhe i kanë pushtu qytetet.
8 Të nesërmen filistinët kanë ardhë me i plaçkitë të vramët. Aty e kanë gjetë Saulin edhe djemtë e tij, që kanë ra në malin Gilboa.
9 E kanë plaçkitë Saulin, ia kanë pre kryet edhe ia kanë marrë armaturën. Masanej kanë çu lajmëtarë nëpër krejt vendin e filistinëve, për me ua kallxu lajmin idhujve të tyne edhe popullit.
10 Armaturën e Saulit e kanë qitë në shpinë e zotit të tyne, e kryet ia kanë ngjitë te tempulli i Dagonit.
11 Kur krejt njerëzit e Jabeshit në Gilead kanë ni qka i kanë bo filistinët Saulit,
12 krejt luftëtarët janë nisë, i kanë marrë trupat e vdekun të Saulit edhe të djemve të tij, edhe i kanë çu në Jabesh. Eshtnat i kanë vorrosë nën drunin e madh në Jabesh edhe kanë agjëru shtatë ditë.
13 Sauli ka dekë për shkak se s’i ka nejtë besnik Jehovait. Aj s’i ka zbatu udhëzimet e Jehovait, e përveç kësaj ka shku edhe te nji njeri që merrej me folë me shpirta,
14 në vend që me e vetë Jehovain. Për qata Jehovai e ka vra Saulin edhe ia ka dhanë mbretninë Davidit, djalit të Isait.