Letra e parë e Shembujve 16

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Masanej, arkën e besëlidhjes së Zotit të vërtetë e kanë shti në çadrën që Davidi e kishte ngrehë për të. Edhe para Zotit të vërtetë kanë bo kurbane të djegshme edhe kurbane të paqes.

2 Mas i ka ofru kurbanet e djegshme edhe kurbanet e paqes, Davidi e ka beku popullin në emën të Jehovait.

3 Edhe krejt izraelitëve, secilit burrë e secilës grue, u ka dhanë nga nji bukë të rrumbullakët, nji kulaç me hurma edhe nji kulaç me rrush të thatë.

4 Masanej Davidi i ka caktu do levitë me shërby para arkës së besëlidhjes së Jehovait. Ata duhej me e nderu Jehovain, Zotin e Izraelit, me e falënderu edhe me e lavdu.

5 Asafi u konë kryetari, e mas tij vinte Zakaria. Jeieli, Shemiramoti, Jehieli, Matitja, Eliabi, Benaja, Obed-Edomi edhe Jeieli u binin veglave me tela edhe harpave, kurse Asafi u binte cimbaleve.

6 Priftat Benaja edhe Jahazieli u binin trumbetave gjithë kohën para arkës së besëlidhjes së Zotit të vërtetë.

7 Atë ditë, Davidi për herë të parë e ka dhanë nji kangë falënderimi për Jehovain, që Asafi edhe vllaznitë e tij me e këndu:

8 “Falënderone Jehovain, thirrne emnin e tij,
kallxojuni popujve qka ka bo aj!

9 Këndoni për të, këndoni kangë lavdie për të,
mendoni për krejt punët e tij të mrekullueshme.

10 Folni me krenari për emnin e tij të shenjtë.
Le të gëzohet zemra e atyne që e lypin Jehovain.

11 Lypeni Jehovain edhe fuqinë e tij,
vazhdoni me e lypë gjithmonë.

12 Kujtoni punët e mrekullueshme që i ka bo,
mrekullitë edhe gjykimet që i ka dhanë,

13 ju pasardhësit e Izraelit, shërbëtorit të tij, ju
bijtë e Jakobit, që ju ka zgjedhë.

14 Aj asht Jehovai, Zoti jonë.
Gjykimet e tij vlejnë për krejt tokën.

15 Mbajeni gjithmonë në mend besëlidhjen e tij, premtimin
që e ka dhanë për nji mijë breza,

16 besëlidhjen që e ka bo me Abrahamin,
edhe betimin që ia ka bo Isakut,

17 që e ka caktu si ligj për Jakobin,
e për Izraelin si besëlidhje që zgjat përgjithmonë,

18 tu thanë:
‘Unë kom me ta dhanë vendin e Kanaanit si trashëgiminë që ta kom nda ty.’

19 Në atë kohë ju jeni konë veç pak veta,
po, shumë pak, edhe të huj në atë vend.

20 Ata kanë shku pi nji populli te
tjetri, pi nji mbretni te tjetra.

21 Aj s’e ka lanë kërkon me i shtypë,
për hatër të tyne i ka qortu mbretat:

22 ‘Mos m’i prekni ata që i kom vajosë,
mos u boni keq profetëve të mi.’

23 Këndoni për Jehovain, o krejt toka!
Lajmrojeni ditë për ditë qysh na shpëton aj!

24 Kallxojuni kombeve për lavdinë e tij, krejt
popujve për punët e tij të mrekullueshme.

25 Se Jehovai asht i madh edhe meriton me u lavdu shumë, aj të
shtin me pas ma shumë respekt e tutë se krejt zotat tjerë.

26 Se krejt zotat e popujve s’vlejnë kurgjo.
Po Jehovai e ka kriju qiellin.

27 Madhështia edhe bukuria e rrethojnë, veni ku
banon aj asht plot fuqi e gëzim.

28 Jepjani Jehovait qka i takon, o familjet e popujve,
jepjani Jehovait nderin për lavdinë edhe fuqinë e tij.

29 Jepjani Jehovait nderin që i takon emnit të tij,
bini nji dhuratë edhe hyni para tij. Përkuluni
para Jehovait me tesha të shenjta e të bukura.

30 Dridhuni para tij, o krejt toka!
Toka asht e vendosun fort, s’munet me u lëvizë pi vendit.

31 Le të gëzohet qielli, e toka le të
brohorasë! Kallxojuni popujve: ‘Jehovai u bo mbret!’

32 Le të ushtojë deti edhe krejt qka ka në të!
Le të gëzohen arat edhe krejt qka ka mbi to!

33 Edhe drujt e pyllit le të brohorasin para Jehovait!
Se aj po vjen me e gjyku tokën.

34 Falënderone Jehovain, se aj asht i mirë,
dashnia e tij besnike zgjat përgjithmonë.

35 Thirrni: ‘Shpëtona, o Zot që na shpëton!
Mblidhna bashkë edhe çlirona pi popujt, që me
e lavdu emnin tand të shenjtë edhe
me u gëzu tu të lavdu ty.

36 I lavdum koftë Jehovai, Zoti i Izraelit,
për jetë e mot.’” Atëherë krejt populli ka
thanë: “Amin!”, edhe e ka lavdu Jehovain.

37 Masanej Davidi i ka lanë Asafin edhe vllaznitë e tij aty para arkës së besëlidhjes së Jehovait, që me shërby aty gjithmonë e me i kry detyrat e përditshme.

38 Obed-Edomi edhe vllaznitë e tij, gjithsej 68 veta, bashkë me Obed-Edomin, djalin e Jedutunit, edhe Hosën, jonë konë roja të dyerve.

39 Prifti Zadok edhe priftat tjerë jonë konë para çadrës së shenjtë të Jehovait, në venin e naltë në Gibeon,

40 për me i bo rregullisht, çdo sabah e çdo mramje, kurbanet e djegshme për Jehovain mbi altarin e kurbaneve të djegshme, edhe për me i zbatu krejt senet që Jehovai ua kishte urdhnu izraelitëve në ligjin e tij.

41 Bashkë me ta jonë konë Hemani edhe Jedutuni, edhe burrat tjerë të zgjedhun, që i kanë caktu me emna për me e falënderu Jehovain, se “dashnia e tij besnike zgjat përgjithmonë”.

42 Hemani edhe Jedutuni jonë konë me ta për me u ra trumbetave, cimbaleve edhe veglave tjera që përdoreshin për me e lavdu Zotin e vërtetë. Djemtë e Jedutunit i kanë rujt dyert.

43 Në fund krejt kanë shku nëpër shpijat e veta, e Davidi ka shku me i beku ata të shpisë së vet.